MENU

Nga The Economist

Dikur pjesë e ‘Varshavës’, Shqipëria me një bazë ajrore të NATO-s

20.09.2019 - 11:28

Prestigjozja “The Economist” i ka kushtuar një artikull bazës ajrore të Kuçovës, aty ku pritet që NATO të investojë 50 milion dollarë, për ta shndërruar në një bazë ajrore për forcat e saj.

Duke fluturuar në formacion perfekt, ata rrotullohen mbi pistë përpara se të prekin tokën. Për momentin, pëllumbat janë të vetmit që përdorin aktivisht bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Por jo për shumë kohë.
Në fillim të vitit të ardhshëm, makineritë e rënda pritet të lëvizin për të kthyer këtë bazë ajrore të heshtur në një bazë të NATO-s. Shtatëdhjetë e një avionë të ndryshkur dhe të prishur sovjetikë dhe kinezë do të largohen prej këtu. ‘Ditët e lavdishme po rikthehen,’ thotë Viktor Vangjeli, 78 vjeç, një ish-pilot MIG-ësh në pension.

————————————-
Shqipëria komuniste kishte një forcë ajrore të frikshme, por që prej vitit 2005 shqetësimet për sigurinë dhe mungesa e parave detyruan që MiG-ët e saj të fundit të uleshin në tokë. Në Kuçovë ata qëndrojnë të mjerë në goma të shfryra. Mbishkrimet në rezervuarët e karburantit kujtojnë vitet 1970, kur inxhinierë nga Kina montuan MiG-ët që kishin dërguar këtu dhe kur burra si z. Vangjeli stërviteshin atje.

Aktualisht, Forca Ajrore shqiptare ka në përdorim helikopterë. Kuçova pret vetëm avionw agrokulturorë (për spërkatje) dhe disa vizitorë ushtarakë. Ajo mbetet e hapur në raste emergjencash.
Një ekip i NATO-s është duke vendosur se si do të investojë rreth 50 milion dollarë në fazën e parë të rindërtimit të bazës. Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, pasi kishte lënë Traktatin e Varshavës në vitin 1968 pas vitesh mosmarrëveshjeje me Rusinë. Plani nuk është që Aleanca të ketë avionë të vendosur atje përgjithmonë, por që ajo të jetë një bazë operative për furnizimim me karburant dhe për ruajtjen e municioneve në tunelet e saj të epokës komuniste, të ndërtuara fillimisht për të strehuar 100 aeroplanë luftarakë.
Në vitet 1970 baza punësonte 3.000 njerëz, thotë komandanti i saj, major Arqile Olldashi. Tani numri është 110. Kjo, plus shkatërrimi i industrive të epokës komuniste, çoi që popullsia e Kuçovës të ulej nga 20,000 në rreth 12,000 banorë. Është ende e dukshme pista e parë, e shtruar nga një kompani italiane e naftës në 1939. Vendasit shpresojnë se rindërtimi i bazës do të thotë punë për ta. Në kulmin e saj mesatarisht 25 fluturime zhurmonin çdo ditë.
Në 1999 NATO ngriti dronë nga baza gjatë luftës në Kosovë. Edhe pse është një vend me shumicë myslimane, shqiptarët janë egërsisht pro-Amerikanë, veçanërisht për shkak të mbështetjes amerikane për kosovarët kundër serbëve në atë kohë. Zyrtarët e NATO-s minimizojnë raportet se ata janë të shqetësuar për atë që rusët mund të bëjnë në Ballkanin Perëndimor. Por shuma e madhe e parave që ata po investojnë në Kuçovë nënkupton të kundërtën.
Fuqia ushtarake e Shqipërisë po ripërtërihet në mënyra të tjera. Një stacion radarësh pjesërisht i financuar nga Pentagoni është duke u ndërtuar në male; nga viti i ardhshëm, ajo do të zbardhë pikat e zeza në aftësinë e mbikëqyrjes së NATO-s në Ballkan.
Kjo, thotë Olta Xhaçka, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, do ta bëjë vendin e saj “syrin në rajon” të NATO-s.