Federata Spanjolle e Futbollit ka dënuar me 300 euro gjobë Barcelonën për negocimin me Antoine Griezmann, teksa futbollisti ishte ende nën kontratë me Atletico Madrid.
Federata vendosi të marrë këtë vendim simbolik, me arsyetimin se klubi katalanas nuk ka përmbushur disa kritere të transferimit, por nuk u arrit të provohej se Barça dhe Griezmann kishin firmosur marrëveshjen, që në muajin mars, ashtu siç pretendon Atletico Madrid.
Ndërkohë që fillimisht ishte kërkuar që dënimi për katalanasit të ishte me mbylljen e “Camp Nou”, për disa ndeshje pa tifozë, por kjo është hedhur poshtë.
Ndërkohë Atletico Madrid pret një zgjidhje nga FIFA, duke qenë se pretendojnë se Barcelona iu detyrohet 80 milionë euro, pasi në mars kur është filluar negocimi mes Barcelonës dhe Griezmann ka qenë klauzola 200 milionë euro për largimin, ndërsa Barça pagoi 120 mln, duke e nënshkruar publikisht marrëveshjen pas 31 korrikut.
Nga kjo marrëveshje u zbulua se sulmuesi francez ka përfituar 14 mln euro komisione, duke e zhvilluar negocimin vetë dhe jo me praninë e agjentit të tij.