MENU
klinika

Ja kur do të luhet

FSHF merr vendimin për derbin Tirana-Partizani

24.09.2019 - 20:59

FSHF nuk pranon kërkesën e Tiranës, që derbi i madh i kryeqytetit, në kuadrin e javës së gjashtë të Superiores, i pari për këtë sezon, të zhvillohet me drita.

Klubi bardheblu, që është pritës në këtë rast, kërkoi që supersfida të startonte në orën 19:00, sepse kështu do të prodhonte më tepër emocione, tifozët do të kishin mundësi ta ndiqnin, jashtë orarit të punës, por FSHF nuk ka pranuar. Shkak është bërë ndriçimi i “Selman Stermasit”, i cili nuk është në parametrat normalë të kërkuar.

Po ashtu, futja në punë e gjeneratorit dhe e llampave të ndriçimit, në rast të ikjes së energjisë elektrike, kërkon një kohë të konsiderueshme, rreth 20 minuta.

Kjo gjë u dëshmua para pak kohësh, më 27 gusht, gjatë ndeshjes Tirana-Teuta, kur skuadrave iu desh të prisnin gati gjysmë ore për t’u ndriçuar stadiumi dhe rifilluar loja. Një incident i tillë pati ndodhur edhe në dhjetor 2016, po në derbin Tirana-Partizani të asaj kohe, kur pllakosi terri në stadium e fushën e blertë. Të tilla pauza janë problematike për lojtarët, jo vetëm në planin sportiv, por edhe shëndetësor.

Pra, përfundimisht, derbi Tirana-Partizani do të luhet të dielën, me start orën 16:00.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN