1715-Vdes mbreti Luisi XIV i Francës. Napoleoni e ka quajtur “Mbreti i vetëm i vlefshëm në Francë”. Luisi i 14-të ka ndenjur në fron për më shumë se 72 vjet, mbretërimi më i gjatë në Europë. Më mirë ai kujtohet si Mbreti i Diellit, emër që simbolizon stilin e tij absolutist të qeverisjes. Për më shumë se një gjysmë shekulli, ai e udhëhoqi shtetin francez në lartësinë e ndikimit të saj në fillim të shekullit 18. Ai bëri tre luftëra duke treguar fisnikërinë dhe diplomacinë e tij në gjithë Europën. Patronazhi i tij për artet solli në dritë, artistë si Molieri dhe filozofë si Monteskje. Shprehja më e famshme e tij është “Unë jam shteti”.
1806– Eksploratori Zebulon Pike shkruante në ditarin e tij për një mal që kishte parë, por ku nuk kishte mundur të ngjitej. Ai shkruante se “asnjë qenie njerëzore nuk do të mund të ngjitej ndonjëherë në majën e tij.” Sipas tij, mali piktoresk në veri të vendit ku më vonë do të ngrihej qyteti Kolorado Springs, ishte 5 mijë metra i lartë. Vite më vonë shteti i Kolorados e quajti malin, Pike’s Peak, për nder të eksploratorit, Zebulon Pike. Sa për parashikimin e tij se askush nuk do të mund të ngjitej në majën e malit aty nga mesi i viteve 1890 u ndërtua një hekurudhë me binarë të ngushtë, që i çonte turistët në majë të malit. Më së fundi u ndërtua edhe një rrugë me asfalt që arrinte deri në majë të malit 4 mijë e 200 metra të lartë. Veç kësaj zhvillohet edhe një garë me makina, e quajtur Ngjitja e Majës së Pajkut, gjatë së cilës, automobilistët i ngjiten me shpejtësi majës së malit.
1916– Kongresi amerikan miratoi ligjin e parë federal për mbrojtjen e fëmijëve në vendin e punës. Ligji ishte rezultat i fushatës njëshekullore të reformatorëve për të mos lejuar teprime në punën e fëmijëve. Deri në atë kohë fëmijë nën moshën 16-vjeçare, punonin në industrinë tekstile, në miniera dhe fabrika me orë të zgjatura dhe me paga të ulëta. Më 1918 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e ndryshoi ligjin për mbrojtjen e fëmijëve në marrëdhënie pune, duke thënë që Kongresi i kishte kapërcyer kompetencat e tij kushtetuese. Kongresi u përpoq edhe dy herë të tjera para viteve 1930 për të mos lejuar shfrytëzimin e punës së fëmijëve, por pa sukses.
Më 1938 Kongresi miratoi Ligjin mbi Standardet e Drejta në Punë. Ky ligj përcaktonte për gjithë vendin nivelin e pagës më të ulët dhe numrin më të madh të orëve për një ditë pune, duke zgjidhur kështu problemet kushtetuese që kishin penguar zbatimin me forcë të ligjeve për mbrojtjen e fëmijëve në marrëdhënie pune.
1928 – Ahmet Zogu e shpall Shqipërinë monarki dhe shpallet mbret. Ahmet Zogu ka qenë mbret i Shqipërisë për 10 vjet 7 muaj e 6 ditë. Ai u kurorëzua Mbreti i Shqipërisë më 1 shtator të vitit 1928. Monarkia i tij mori fund kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Ahmet Zogu është një nga personalitetet më të mëdhenj të historisë shqiptare. Një figurë kontradiktore dhe mjaft komplekse për të cilin janë botuar shumë libra.
Ndoshta një portret më të saktë për të jep diplomati i shquar Eqrem bej Vlora, që shkruante për Zogun: “Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme. Edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe zgjidhte probleme shumë të vështira dhe të huaja për të, ai rrallë gabonte. Sikundër edhe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendjeje të ftohtë dhe praktike, udhëhiqeshin gjithnjë dhe vetëm prej interesave të tij…”.
1939– Në orën 4:45 të mëngjesit, rreth 1.5 milion trupa gjermane sulmuan Poloninë në të gjithë kufirin prej 1.750 milje dhe i gjithë territori u vu nën kontrollin e Gjermanisë. Në të njëjtën kohë, forcat ajrore bombarduan aerodromin polak, dhe luftanijet e nëndetëset gjermane sulmuan forcat detare polake në detit Baltik. Lideri nazist Adolf Hitleri deklaroi se sulmi frontal ishte një masë mbrojtëse për ta, por Britania dhe Franca nuk ishin të bindura. Më 3 shtator, ato i shpallën luftë Gjermanisë, duke filluar Luftën e Dytë Botërore.