MENU
klinika

Kosova zhvendoset në vendin e dytë

Kane shkatërron i vetëm Bullgarinë!

07.09.2019 - 20:24

Kosova qëndroi vetëm pak orë në krye të Grupit A kualifikues të Euro 2020, pasi Anglia rifitoi pozicionin e parë me suksesin e lehtë 4-0 me Bullgarinë në takimin e luajtur në “Wembley”, në prani të rreth 80 mijë spektatorëve.

Përfaqësuesja e “Tre Luanëve”, tashmë me 9 pikë të plota në 3 ndeshje, zhvendos “Dardanët” në vendin e dytë, me 8 pikë, 2 më shumë se Çekia.

Skuadra e drejtuar nga Gareth Southgate nuk e vuri në asnjë moment në diskutim suksesin, falë “yjeve” që ka në përbërje, teksa shkëlqeu Harry Kane me tregolësh (2 me penallti).

Kane e zhbllokoi takimin në minutën e 24-t, i shërbyer nga Sterling, pas gabimit në pasim të portierit bullgar, ndërsa në fillim të fraksionit të dytë sulmuesi i Tottenhamit shënoi të dytin personal, me 11-metërsh (50’), për të ardhur më pas te goli i Sterling (55’), i shërbyer thuajse mbi vijën fatale pikërisht nga Kane.

Në të 77-ën numri 9 i Anglisë realizoi të 3-tin personal po nga pika e bardhë, para se t’i linte vendin Alex Oxlade-Chamberlain.

Islanda, e cila bën pjesë në grupin e Shqipërisë, mori një fitore të lehtë ndaj Moldavisë me rezultatin e pastër 3-0, duke u ngjitur në kuotën e 12 pikëve.

Fitore tepër e rëndësishme në transfertë edhe për Ukrainën, që bën pjesë në Grupin B. Skuadra e Shevçenkos mposhti me rezultatin 0-3 Lituaninë.