MENU
klinika

Dalin kujtimet e besnikut të Enverit

Kur armiku është duke dhënë shpirt…

20.09.2019 - 08:58

“Albanian Free Press” ka botuar dorëshkrimet personale, të cilat përmbajnë kujtime të rralla të ish-anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko.

“Gjendja po shtrëngohej akoma më shumë dhe ne po përgatiteshim për të luftuar më me energji dhe forcë kundër nazistëve gjermanë”. Kështu i komenton “grahmat” e fundit të betejave partizane me fashistët italianë, në këto dorëshkrime të radhës, ish-anëtari i Byrosë Politike, Rita Marko, që “Albanian Free Press” sjell ekskluzivisht për lexuesin për të katërtin numër radhazi. “Kur armiku është duke dhënë shpirt, ai vepron si një derr i egër, i plagosur, që s’di nga të vërsulet më parë për të të dëmtuar. Dhe Lufta që u zhvillua në Maliq e Symizë tregoi se po hynim në një etapë të re”, komenton ai. Teksa jep detaje nga lufta e Voskopojës, ajo e Leskovikut etj…

  • Lufta e Voskopojës

Rita Marko rrëfen sesi çlirimi i Voskopojës u bë me rrethim e me bisedime, teksa partizanët ishin të vendosur ta çlironin atë me çdo kusht. Kujtojmë se Voskopoja ishte një bazë e rëndësishme për forcat e armikut.

Pas likuidimit të komunës së Moçanit, çetës partizane të Gorë-Oparit, në të cilën bëja pjesë edhe unë, i dilte një detyrë tjetër më e vështirë: të likuidonte komunën e Voskopojës. Voskopoja ishte një fshat i madh dhe bazë e rëndësishme për forcat e armikut. Ishte qendër komune dhe xhandarmërie. Megjithëse ishte djegur disa herë, ajo përsëri kishte dyqane, furra dhe një popullsi jo të vogël. Armiku donte ta mbante Voskopojën në duart e veta, se ajo ishte një qendër me rëndësi administrative dhe ushtarake për gjithë atë zonë. Por jo më pak e rëndësishme ishte ajo për Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Për këto arsye, komanda e qarkut të Korçës, i vuri detyrë çetës partizane të Gorës dhe disa çetave të tjera partizane, që të likuidohej komuna e Voskopojës dhe garnizoni ushtarak i saj. Ishte janar i vitit 1943. Çeta partizane Gorë-Opar u nis nga Zvarishti në malin e Shipckës, Krushovë dhe përmes një dëbore të madhe, doli në Voskopojë. Partizanët u vendosën në Shipckë dhe në Krushovë. Komandanti i çetës, komisari, unë dhe dy-tre shokë të tjerë u futëm natën ilegalisht në Voskopojë. Shkuam në shtëpinë e komunistit Jorgji Pina. Pasi na informoi mbi gjendjen në fshat, vendosëm lidhjet edhe me shokët e tjerë voskopojarë. Në të njëjtën kohë, shtabet e çetave kishin bërë rrethimin e plotë të Voskopojës. Para se të vepronim, kërkuam të bisedonim me ata që komandonin forcat. Me aftësitë e komunistit revolucionar, Nuri Resnja dhe Miha Dollaku na sollën në takim komandantin e e rreth 50 milicëve, toger Riza Kodhelin dhe komandantin e xhandarëve shqiptarë, Ibrahim Rukën.

Me ta patëm një bisedë interesante. U kërkuam që të dorëzoheshin pa kushte. Milicët dhe xhandarët të inkuadroheshin në çetën partizane, kurse karabinierët italianë të çarmatoseshin dhe të liheshin të lirë për të ikur. Në fillim, ata kundërshtuan, por më në fund pranuan të dorëzohen. Milicët e xhandarët u dorëzuan të gjithë. Çlirimi i Voskopojës u bë me rrethim e me bisedime, porse ne ishim të armatosur e të vendosur që ta çlironim atë me çdo kusht. Po të ishte nevoja edhe me përpjekje. Rojet e vëna në vendet kyçe nuk u hoqën, se ndryshe edhe mund të dëmtoheshim.

Ishte ditë e dielë. Atë e kthyem në një ditë feste. Vetëm ne bëheshim dyqind a treqind partizanë. Në këtë ditë gëzimi mora lajmin e hidhur për vdekjen e vëllait tim, Llazarit, në Korçë. Por ne bëmë edhe një gabim që na kushtoi shtrenjtë. Nuk patëm nën kontroll të fortë pesë karabinierë italianë të postës. U mjaftuam vetëm me izolimin e tyre në zyrë dhe aq. Mirëpo na doli se ata kishin aty radio transmetuese. Me njërën prej tyre, ata njoftuan Korçën se ç’kish ndodhur. Nga ora trembëdhjetë, në një kohë të bukur, ndonëse me një metër e gjysmë dëborë që zbardhte vendin, dëgjuam krismën e një pushke në rrugën automobilistike.

Unë isha kujdestar për sigurimin e rrugës. Korrieri që erdhi me vrap, i lodhur së tepërmi dhe tërë shkumë në gojë, më thotë se nga Voskopi, Gjonomadhi e Lavdari po vinin forca të mëdha armike për në Voskopojë. Patrulla jonë ra në përpjekje me ta. Morëm masa të menjëhershme. Komanda e përbashkët e çetave vendosi që forcat të përhapeshin në tre drejtime: forcat e çetës sonë morën rrugën automobilistike, çeta e Oparit të Sipërm me Asllan Gurën u nda më dysh: një grup i saj mori anën e djathtë, kurse tjetri anën e majtë të rrugës. Forcat armike i ishin afruar Çezmës së Kuqe. Përpjekja nisi te Ura e Llukës.

U zhvillua një luftë e rreptë në të gjitha drejtimet. Aksioni ish i rrufeshëm. Të gjithë partizanët u mobilizuan mirë. Armiku po shkatërrohej nga minuta në minutë. Në çast mbeti i vrarë majori italian. Lufta bëhej dhëmb për dhëmb. Riza Kodheli, i cili deri atëherë ishte në shërbim të okupatorit, u bë i tmerrshëm për armiqtë. E pashë me sytë e mi trimërinë e tij. Para se të fillonte luftën me fashistët, Riza Kodheli kish pyetur një shokun e tij të xhandarmërisë, Jake Backën: “Përsa i përket detyrës sonë si xhandar, ne e tradhtuam betimin që kishim bërë. Atëherë përse luftojmë?”, dhe po vetë u përgjigj: “Për Atdheun!”. Riza Kodheli luftonte me trimëri kundër armiqve dhe qëllonte me përpikmëri të madhe. Gjatë dy orëve luftë mbetën të vrarë shumë milicë e xhandarë. U zunë robër njëzetë karabinierë italianë.

Përveç majorit, u vra dhe nëntogeri, Sali Piluri. U zunë gjithashtu mjaft materiale luftarake. Hymë në Voskopojë dy herë fitimtarë; herën e parë kur e çliruam dhe herën e dytë kur thyem operacionin e fashistëve, që deshën të rivendosnin sundimin e tyre. Me vete mbajtëm robërit italianë, ndërsa shqiptarët i liruam dhe u thamë të shkonin e të tregonin se ç’panë në atë luftë. Aksioni i Voskopojës ishte një nga aksionet më të rëndësishme të zhvilluara gjer atëherë kundër okupatorit fashist dhe tradhëtarëve të vendit në qarkun e Korçës. Robërit italianë i këmbyem më vonë me shokët tanë të burgosur në Korçë. Ditën e nesërme, kur forcat partizane ishin tërhequr, forcat armike bënë djegie të mëdha në Voskopojë. Vranë tetë vetë nga populli! Këto vrasje dhe raprezaljet nuk bënin gjë tjetër veçse shtonin më shumë urrejtjen e popullit kundër armiqve. Pas luftës së Voskopojës, nga çeta partizane e Gorë-Oparit u transferova si zëvendës-komisar i çetës së Riza Kodhelit, ndërsa Foni Thano erdhi si komisar. Para nesh dilte një punë e rëndë dhe e vështirë për edukimin dhe kalitjen revolucionare të partizanëve të kësaj çete, pjesëtarët e së cilës deri në ato çaste, ishin xhandarë e milicë në shërbim të okupatorit.

  • Me çetën partizane “Tomori”

Udhëtimi për në Teqenë e Backës, ndërsa rrugës partizanët vranë një lepur. Por u thanë se ishte gjynah ta haje. Detaje mbi atë çka besonin atëherë skrapallinjtë e sektit bektashi

Nga maji i vitit 1943, çeta partizane e Riza Kodhelit, në të cilën isha zëvendës-komisar, bëri një udhëtim nga Opari i Sipërm-Qafë Martë për në Teqenë e Backës. Ky ishte një udhëtim shumë i bukur e i gëzueshëm, për arsye se Riza Kodheli dhe gati të gjithë pjesëtarët e çetës (ish milicët e Voskopojës), ishin skraparllinj. Megjithëse kishte boshllëqe, çeta sa vinte bëhej më e fortë. Qëllimi i udhëtimit tonë në Skrapar, Potomë, Backë e Taraveckë ishte që të ngrinim një bazë zë fortë në këto fshatra dhe t’i lidhnim më ngushtë me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Duke kaluar Qafën e Martës, Ndreka, një partizan mirditor, vrau një lepur. Menduam ta merrnim me vete dhe ta gatuanim në ndonjë bazë, ku do të qëndronim. Skaparllinjtë në atë kohë bënin be’ për baba Ahmetin. Ishin të sektit bektashian. Lepuri na hapi gjatë rrugës një bisedë të zjarrtë. Shokët e Skraparit thoshnin se ishte gjynah të hahej lepuri. Po ta merrnin vesh këtë fshatarët dhe Babai i teqesë, nuk do të na pranonin në shtëpi!.

“Do ta bëjnë hasha tërë çetën”, na tha Rizai. Një partizani i kish rënë ca gjak lepuri mbi këpucë. I thanë t’i hidhte ato. Kohë lufte. Duhej t’i merrnim parasysh të gjitha. Duke luftuar okupatorin dhe tradhtarët, na u desh të bënim njëkohësisht edhe një luftë tjetër: të luftonim paragjykimet, luftë kjo ndoshta më e vështirë se lufta që po bënim kundër armikut. Edhe Rizai në fillim nuk na mbështeste në këtë drejtim. Na dhanë edhe një porosi tjetër: kur të shkonim në teqe, t’i hiqnim këpucët. Çështja e lepurit u mbajt shumë e fshehtë edhe nga vetë Rizai. Kjo u mbyll me kaq dhe nuk u mor vesh. Në teqen e Backës kaluam shumë mirë. Po kështu, mirë na eci e gjithë puna jonë në Skrapar. Riza Kodheli ishte trim dhe i kuptonte mirë punët e komitëve. Nuk e fuste kurrë çetën partizane në rrugë pa krye. Ai ndoqi me vendosmëri rrugën e partisë e të popullit dhe arriti të bëhej komandant i Brigadës së 20 Sulmuese partizane.

  • Lufta për çlirimin e Leskovikut

Kjo luftë hyri në historinë e LANÇ-it të prefekturës së Korçës, si një aksion i organizuar në shkallë prefekture dhe u bë pikënisja për aksione më të gjera në të ardhmen

Qershor i viti 1943. Sipas udhëzimeve të Komitetit Qendror të Partisë dhe vendimit të Komitetit Qarkor, çetat partizane të Gorës, Oparit, Devollit, Kolonjës, Fushës së Korçës dhe Rrëzës, duke udhëtuar ditë e natë në drejtim të Vithkuqit-Stratobëdës, Qesarakës e të Shalësit.

Grumbullimi i të gjithë forcave partizane të prefekturës së Korçës në këtë sektor krijonte një forcë të mjaftueshme goditëse për shpartallimin e garnizonit italian dhe çlirimin e nënprefekturës së Leskovikut. Gjer në këtë kohë, ishin likuiduar të gjitha komunat e postë-komandat e xhandarmërisë në prefekturën e Korçës. Shtabi i përbashkët i çetave hartoi planin e çlirimit të Leskovikut. Me pjesën më të mirë të partizanëve që dolën vullnetarisht, u krijuan repartet e sulmit. Këto do të hynin brenda në qytet, ndërsa forcat e tjera do të përqendroheshin në afërsitë e qytetit dhe do ta mbyllnin atë në një rrethim të plotë. Repartet e sulmit brenda në qytet kishin si objektiv kryesor kazermat.

Një grup partizanësh zuri rrugën e Korçës dhe një tjetër atë të Përmetit, me qëllim që të godiste e ndalonte çdo ndihmë që mund t’i vinte garnizonit të rrethuar në Leskovik. Komunistët, duke dhënë shembullin, hynë të parët në repartet e sulmit. Në qytet hymë natën. Goditja filloi e organizuar si nga brenda edhe nga jashtë. Në Leskovik është bërë një luftë e ashpër. Për herë të parë gjatë kohës partizane, unë pashë luftë nëpër rrugët e qytetit, luftë që zgjati gjithë natën e gjithë ditën. Armiku pati shumë të vrarë e të plagosur.

Pësoi shumë dëme. Ne mundëm të tërhiqnim mjaft materiale lufte. Në këtë luftë mori pjesë edhe aviacioni armik, duke na qëlluar me mitraloza. Lufta më e rreptë u bë te kazermat. Atje armiku ishte fortifikuar së tepërmi. Tërë populli i Leskovikut, burra e gra, na kanë ndihmuar me gjithë zemër. Ata u treguan të gatshëm ndaj çdo kërkese që bënim ne, mjaft që të fitonim. Në Leskovik luftoi si trim i vërtetë Ilo Terova. U plagos rëndë në këmbë dhe vdiq nga hemoragjia e madhe. Ne nuk u dhamë asnjë ndihmë mjekësore se na mungonte.

Po ta mjekonim, me siguri që do të jetonte e do luftonte akoma. Sa na u dhimbs ai trim! Në këto përpjekje u plagosën edhe partizanë të tjerë. E kam të vështirë të kujtoj sot, pas kaq vjetësh, gjithë ato që ndodhën në Leskovik. Por mund të them me gojën plot, se atje u bë një luftë e ashpër dhe heroike; luftë e vërtetë partizane, siç kish porositur e udhëzuar Partia. Lufta e Leskovikut hyri në historinë e LANÇ të prefekturës së Korçës si një aksion i organizuar në shkallë prefekture dhe u bë pikënisja për aksione më të gjera në të ardhmen. Gjithashtu, një luftë e ashpër u bë edhe te Ura e Shalësit, që pengoi ndihmat që i dërgonin armiqtë garnizonit të tyre.

  • Aksioni i Kuqarit, Përmet 1943

Zgjerohej dhe forcohej lufta partizane. Aksioni i Kuqarit ishte një goditje e fortë për okupatorët fashistë italianë e tradhtarët e vendit

Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇLSH, disa nga forcat partizane të Qarkut të Korçës duhej të merrnin pjesë në një aksion në front te gjerë, që kishte për qëllim të godiste ushtrinë italiane në garnizonin e Përmetit e në atë të Kuqarit. Forcat partizane të Beratit e të Gjirokastrës duhej të godisnin nga Qafa e Kiçokut e nga Gryka e Mezhgoranit. Partizanët e Korçës ishin vendosur pranë Kuqarit.

Shtabi i përgjithshëm i këtyre forcave kishte vendosur që goditja kryesore të jepej nëKuqar të Përmetit. Në këtë kohë, Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare kishte marrë proporcione të gjera. Ishin krijuar kushte dhe këtë e kërkonte edhe vetë zhvillimi i mëtejshëm i luftës, që të organizoheshin aksione në shkallë të gjerë me pjesëmarrjen e 2-3 qarqeve. Kërkohej që të tregohej forca e organizuar e ushtrisë sonë partizane dhe, njëkohësisht, të goditeshin forcat armike italiane të vendosura në Kuqar e në Përmet, me qëllim që të pastrohej kjo zonë, që ishte aq e rëndësishme për LANÇ-in.

Batalionit partizan të Gorë-Oparit, në të cilin bëja pjesë unë, iu caktua detyra të godiste garnizonin e Kuqarit. Këtë urdhër e morëm kur ishim në Opar. Pas një marshimi prej tre-katër ditësh e netësh, përmes Kolonjës, Dangëllisë, Zavalanit, Frashërit dhe Hetovës, arritëm në Kuqar. Të gjitha lëvizjet e partizanëve u bënë në mënyrë shumë të fshehtë, që të mos merrte vesh armiku se ishin zbrazur zonat e lira partizane. Marshimi që bëmë ishte i gjatë, i vështirë dhe bëhej në mot të keq. Megjithëkëtë, partizanët qëndronin shumë lart moralisht.

Pasi të gjitha forcat partizane u vendosën në pozicione, në afërsitë ku do të zhvillohej aksioni u caktua që goditja do të bëhej në orën 24 të datës 1 korrik 1943. Në të njëjtën orë dhe datë do të godisnin në Përmet dhe në pikat e ndryshme dhe forcat e tjera partizane. Sulmi mbi Kuqar ishte i befasishëm. Megjithëse ne nuk e njihnim mirë terrenin, i shkaktuam armikut dëme të mëdha. Përveç armëve të lehta, në këtë aksion përdorëm edhe mitroloza, antitanke dhe mortaja 82 mm.

Armiku ishte i fortifikuar në bunkerë betonarme, por ne e shkulëm që andej. Në kohën që kërciste pushka në Kuqar, pushkët u dëgjuan edhe në Përmet, Kiçok dhe Mezhgoran. Armiqtë, të tronditur nga kjo goditje, u tërhoqën me humbje. Aksioni i Kuqarit ishte një goditje e fortë për okupatorët fashistë italianë e tradhtarët e vendit. Në Kuqar u vërtetua ideja se forcat partizane të shumë qarqeve, të drejtuara nga Komanda e Përgjithshme e UNÇL, mund të vepronin shumë mirë së bashku në një front të gjerë.

Midis shumë partizanëve dhe kuadrove, këtu drejtuan me aftësi e luftuan me trimëri Islam Radovicka, Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica, Taqi Skëndi, Misto Treska, Josif Pashko, Kleopatra Maliqi, Xhafer Cenko Lubonja, Faiko Zajmi, Dhora Leka, Miçe Veshi, Leni Terezi, Raqi Zavalani, Xhuli Frashëri, Skënder Vinçani, Vriska Buzali(Faberi), Selami Pronjari, Ali Goskova e të tjerë. Ky aksion u dha zemër e përvojë të mirë çetave partizane për aksionet e mëvonshme. Aksioni i Kuqarit hyn në historinë e LANÇ si një nga aksionet e gjera e shumë të rëndësishme.

  • ETAPAT

Italia fashiste kapitulloi, por lufta s’kish mbaruar

Kur kapitulloi Italia fashiste, më 8 shtator 1943, isha komisar i çetës partizane të Gorës. Komandant qe Neki Pirgu (Dushku). U vendosëm në kodrat përkundrejt Maliqit, në vendin Kala. Çeta jonë kishte arritur 30-40 veta, por situata e krijuar favorizonte shtimin e radhëve të saj. Zumë pozicione në drejtim të Symizës, për të goditur autokolonat italiane. Nga Nevzat Haznedari, një shoku ynë, mora një komunikatë ku shkruhej për situatën e brendshme dhe të jashtme. Nga sa shkruante ajo komunikatë dhe nga situata e krijuar ato ditë, na u duk se po mbaronte lufta. Qejfi na e donte. Na kishte marrë malli të hynim njëherë në Korçë. Kjo dëshirë na u shtua akoma më shumë kur Nevzati na tha se në Korçë kishte hyrë një çetë.

Donim të merrnim hakun edhe për vrasjen e gjashtëdhjetë e ca punonjësve korçarë nga autoblindat italiane në një demonstratë që ishte bërë atje kohët e fundit. Nga zhvillimi i situatës dhe sipas udhëzimeve shumë të përpikta të Partisë, megjithëse lufta po zhvillohej në favorin tonë, prapëseprapë nuk kishte ardhur koha për t’u kthyer në qytet. Na prisnin të tjera beteja , edhe më të ashpra se gjer atëherë. Në rrugën e Symizës kaloi një autobus. Partizanët e ndaluan dhe e kontrolluan. Zumë dy elementë jo të mirë. Mësuam se forcat gjermane po vinin në Shqipëri.

Në atë autobus ishte dhe shoku Marko Karoli, i lidhur me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Rruga ishte mbushur plot me njerëz që ktheheshin nga kampet e përqendrimit të armikut. Në autobus ishte dhe shoku Nasi Gjoka, që kthehej nga Porto-Romano e Durrësit dhe shokë të tjerë që ishin nëpër kampe e burgje. U rekomanduam shokëve që takuam në autobus, që të mos shkonin nga rruga e Maliqit, se mund t’u ndodhte ndonjë e keqe nga ushtritë italiane. Nga ana tjetër e lumit vepronte batalioni partizan i Gorë-Oparit. U organizua goditja kundër një garnizoni italian që arrinte 700-800 veta.

Të shoqëruar me autoblinda, ata mundën të largoheshin. Megjithëse ishin ditët e fundit të pushtimit, fashistët italianë përdorën egërsinë më të madhe. Edhe njëherë doli në dritë teza e njohur se, kur armiku është duke dhënë shpirt, ai vepron si një derr i egër, i plagosur, që s’di nga të vërsulet më parë për të të dëmtuar. Lufta që u zhvillua në Maliq e Symizë tregoi se po hynim në një etapë të re. Gjendja po shtrëngohej akoma më shumë dhe ne po përgatiteshim për të luftuar më me energji dhe forcë kundër nazistëve gjermanë.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen