MENU
klinika

Ç' shkruan Aurel Plasari?

Kur po ndryshohej shqiponja e flamurit!

21.09.2019 - 11:11

Në faqen e tij në rrjetin social Facebook, Aurel Plasari ka shkruar diçka në lidhje me shqiponjën në flamurin tonë kombëtar.

Sipas tij, klasa politike e viteve ’90 donte të rikonfiguronte flamurin e Shqipërisë dhe simbolin e tij kryesor, shqiponjën. Por ishte pikërisht historiani i njohur Kristo Frashëri i cili e shpëtoi shqiponjën…

  • Më poshtë, statusi i plotë i prof. Plasarit:

Në vitet e para ’90, mes marrëzive të “politikës së re” për t’u marrë edhe me historinë, u bë edhe propozimi për të ndryshuar konfigurimin e shqiponjës së flamurit kombëtar me argumentin që shqiponja në të nuk duhej t’i kishte krahët “të hapur”, por “të mbyllur”, jo “horizontalë”, por “vertikalë” etj. dhe se konfigurimin ekzistues të saj e paskësh imponuar… Enver Hoxha.

Fatmirësisht forcat politike ranë dakord që të thirrej për të dhënë mendimin e tij si historian i specialitetit edhe Kristo Frashëri. Më 1992 ai paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë një varg argumentesh historike, juridike dhe politike, të shoqëruara me ilustrimet dhe burimet dokumentare, kundër propozimit për ndryshimin e konfigurimit të shqiponjës në flamurin kombëtar. Argumentet e paraqitura prej tij përmblidhen si vijon:

Flamuri kombëtar me shqiponjë dykrenore me krahë të hapur nuk ishte caktuar nga Enver Hoxha më 1946, por nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 1912, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare, nga Preveza deri në Mitrovicë. Si rrjedhim flamurin kombëtar mund ta ndryshonte një tjetër kuvend mbarëkombëtar. Kuvendi i Shqipërisë kishte të drejtë të caktonte vetëm flamurin e Republikës së Shqipërisë, i cili nuk do të ishte flamuri kombëtar, por vetëm flamuri i shtetit shqiptar.

Kështu shqiptarët do të kishin dy flamurë. Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi nuk mund të hiqnin dorë nga flamuri kombëtar, i cili njihej si flamuri i Skënderbeut, për të përdorur flamurin e Republikës së Shqipërisë. Do të ndodhte kështu një përçarje midis pjesëtarëve të kombit shqiptar.

Argument tjetër: me flamurin që ishte në përdorim shqiptarët kishin zhvilluar deri atëherë luftërat e tyre çlirimtare kundër zgjedhës osmane, veprimtarinë e qeverisë së Ismail Qemalit, luftën çlirimtare të Vlorës, Kongresin patriotik të Lushnjës. Atë flamur kishte Shqipëria në kohën e monarkisë së mbretit Zog. Me atë flamur kishin luftuar jo vetëm partizanët, por edhe çetat balliste e legaliste. Me atë flamur zhvilloheshin demonstratat në Kosovë kundër zgjedhës serbe etj.

Dhe argumenti i fundit: me ndryshimin e flamurit do të krijohej në rrafshin ndërkombëtar përshtypja se shqiptarët e ndryshojnë shqiponjën sa herë ndryshojnë regjimin, gjë që nuk e bëri as Enver Hoxha, i cili pretendonte se me fitoren e Luftës Nacionalçlirimtare dhe vendosjen e “pushtetit popullor” fillonte një epokë e re në historinë e Shqipërisë.

Në përfundim Kuvendi i Shqipërisë nuk e miratoi propozimin për ndryshimin e shqiponjës në flamurin kombëtar.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen