Në vitet kur pushtimi osman për tërhiqej zvarrë për të lënë Shqipërinë, Shkodra nuk ishte e qetë.
Sigurisht që një pushtim 500 vjeçar nuk mund të largohej aq thjeshtë nga një vend i cili ishte krejt i përçarë mes atyre që e dinin se ishin pushtuar dhe atyre që mendonin se me Turqinë po bashkëjetonin shumë të lumtur.
Për fat të keq, këto ndasi kishin marrë edhe ngjyrime fetare duke i bërë njerëzit, herë pas here, të lidhnin identitetin fetar me atë shtetëror ku po të ishe mysliman, domosdoshmërisht ishe turk. Po të ishe katolik, domosdoshmërisht ishe italian. Po të ishe ortodoks, domosdoshmërisht ishe grek dhe/ose sllav.
Në Shkodër ekzistonin veç katolikë e myslimanë.
Dëshmitë e kohës thonë se katolikët përshëndeteshin gjtihnjë në italisht “Buon Giorno” (edhe Konica në revistën “Albania” thotë se është e vështirë të gjej një katolik shkodran që nuk di italisht), ndërsa myslimanët në arabisht “Selam Alekium”.
E gjithë kjo atmosferë ngjizi dhe polli luftë në të cilën lanë kokën edhe shumë njerëz të shquar, luftëtarë apo intelektualë. Kërcënimet mes katolikëve dhe myslimanëve u bënë gjithnjë e më të rëndë. Në hyrje të prefekturës, në lagjen Fushë Çelë u çelën hendeqe dhe u lanë gjithnjë roje.
Jeta e qytetit u paralizua aq sa, sikurse dom Ndoc Nikaj dëshmon, u mbyll edhe tregu i qytetit.
Prenkë Pasha, i cili në atë kohë ishte vendosë në Shkodër, punonte mjaft me të dy krahët, qoftë atë katolik, edhe me atë mysliman. Por puna e tij nuk mjaftonte, pasi të gjithë donin që të ishin “të parët” dhe “të vrisnin të tjerët”.
Lagjja katolike dhe ajo myslimane qenë ndarë mes tyre dhe askush nuk kalonte as në kufirin që i ndante, nga frika mos mund të merrej si kërcënim.
Duheshin zgjidhur çështje të rëndësisë së parë si flamuri apo shkronjat dhe veç kështu, Shkodra “mund të ishte e lirë” sërish.