Me shumë vështirësi Interi fiton 1-2 në Sardenjë ndaj Cagliarit dhe ngjitet në krye të Serie A me pikë të plota 6 sëbashku me Juventusin dhe Torinon.
Edhe pse nuk bindi me lojë skuadra e Antonio Contes u tregua pragmatiste dhe shfrytëzoi rastet që ju krijuan. Një fitore e arritur edhe për meritë të Stefano Sensit që ishte i vetmi lojtar që bindi në radhët e zikaltërve.
Në minutën e 25-të Lautaro Martinez zhbllokoi shifrat pas asistit perfekt të Sensit një gol që u kontrullua edhe nga sistemi VAR përpara se të akordohej për shkak të pozicionit të sulmuesit argjentinas që gjithsesi ishte në linjë me lojtarin e fundit të Cagliarit.
Vendasit megjithatë të shtyrë edhe nga publiku vendas barazuan rezultatin me Joao Pedron në minutën e 50-të, pas asistit të argjentinasit Nandez.
Megjithatë për të marrë për dore Interin në këtë transfertë të vështirë mendoi Sensi që pasi u ndal nga traversa pas një goditjeje dënimi, arriti plot klas të fitonte një 11-metërsh që Lukaku në hije deri në ato momente e kthehu lehtësisht në gol.
Sulmuesi belg humbi një rast të artë për t’i çuar shifrat në 1-3 pak minuta më vonë ndërsa edhe Politano nuk ishte i saktë përpara portës në më shumë se 2 raste.
Në ndeshjet e tjera të javës së 2-të spikat humbja e Atalantës në shtëpi ndaj Torinos. Me Berat Gjimshitin në fushë bergamaskët u mposhtën me rezultatin 2-3 dhe nuk u mjaftuan 2 golat e Duvan Zapatës për të marrë pikë. Fiorentina e Montellës ndërkohë u mposht 2-1 nga Genoa duke pësuar humbjen e 2-të në 2 javë, ndërkohë që Verona sërish me Marash Kumbullën si titullar triumfoi me rezultatin 0-1 në transfertën ndaj Lecces.