Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të zgjerojnë shkëmbimin e studentëve dhe studiuesve përmes Programit Fulbright.
Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka bërë ditur nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me SHBA për zbatimin e programit të Fullbright në fushën e arsimit.
Duke e cilësuar “një super lajm për Shqipërinë”, Cakaj thekson se “sot kam pasur nderin të nënshkruaj Memorandumin e Mirëkuptimit mes SHBA-ve dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për zbatimin e programit të Fullbright në fushën e arsimit me Asistent Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës, Marie Royce”.
Ministri Cakaj sqaron se “falë këtij Memorandumi, duke filluar që në vjeshtën e këtij viti, qeveria shqiptare do të vendosë në dispozicion 150 mijë euro për të gjithë ata studentë ekselentë që do të përzgjidhen për të vijuar studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet programit Fullbright, shkruan atsh. Ky buxhet do të jetë i përvitshëm dhe do të rrisë me disa herë kuotat e studimit të studentëve shqiptarë në universitetet më prestigjioze amerikane në programe shkencore që variojnë nga 3 muaj deri në 24 muaj”.
“Kjo nismë në fakt vjen në kuadër të paktit të Qeverisë shqiptare dhe angazhimit të saj maksimal për një vëmendje të shtuar ndaj studentëve, për të nxitur rritjen e cilësisë së arsimimit dhe inkurajuar rezultate sa më të larta në studimet universitare”, shprehet ai.