Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Shtetit të Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gedler, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Meta e uroi Ambasadorin Gedler për marrjen e detyrës dhe i përcolli përshëndetjet dhe falenderimet për Presidentin Reuven Rivlin dhe autoritetet izralite për emërimin në Tiranë të një diplomati me eksperiencë dhe kontribut të shquar në këtë fushë.
Kryetari i Shtetit e siguroi Ambasadorin për bashkëpunim të ngushtë me qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore e historike ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë dhe dy popujve tanë.
Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, si dhe trendin pozitiv të bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Meta theksoi se ka ende potencial për t’i rritur më tej marrëdhëniet ekonomike-tregtare.
“Izraeli mund të shërbejë si një shembull i shkëlqyer se si një komb i vogël, që përballet me shumë sfida, mund të zhvillojë vendin e tij, mbështetur në kapacitetin njerëzor e intelektual. Jam krenar, për kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, – u shpreh Meta.
Me këtë rast, Kreu i Shtetit konfirmoi pjesëmarrjen në Konferencën Botërore për Holokaustin, që do të zhvillohet në Janar 2020 në Jerusalem, i ftuar nga Presidenti i Izraelit Reuven Rivlin.