MENU
klinika

Intervista/ Refektimi i ish-Presidentit

Moisiu për Shqipërinë: Pa ’97-ën do ishim ndër të parët në NATO dhe BE!

07.09.2019 - 16:43

Z. Moisiu, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton se “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”.

Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Kjo është një ngjarje e madhe, shumë domethënëse dhe e paharrueshme, pavarësisht se po ndodhte disa mijëra kilometra larg vendit tonë, por era, ndikimi i saj u ndien. Fillimisht si kuriozitet i ngjarjeve të ndryshme botërore, por pastaj si një sinjal i fortë, i një epoke të re në afrim. Sigurisht në atë kohë, këto ndjesi mund t’i ndaje vetëm me ndonjë mik shumë të afërt e të besueshëm, si dhe me njerëzit e familjes. Diktatura ishte gjithë veshë.

Në atë kohë unë isha në Tiranë. Kisha dalë në pension që në janar të vitit 1985, isha ende anëtar i PPSH-së, por konsiderohesha “i goditur”. Kjo shprehje përdorej për ata si puna ime, që ende për një arsye ose tjetër, militonin në radhët e partisë në pushtet, por nën zë nuk konsideroheshin më të besueshëm. Rrjedhimisht bisedoja lirshëm vetëm me nja dy tre pensionistë në lagje, që i kisha të kolauduar si njerëz që mendonin pak a shumë si unë për këto zhvillime dhe nuk kisha rrezik që të më denonconin.

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Koha ishte e tillë që njerëzit nuk dinin më çfarë të bënin. Ekonomia kishte shkuar në fund, shumica e njerëzve paguheshin me gjysmë rroge, duke mos shkuar në punë, për mungesë të lëndëve të para në industri. Bujqësia tejet e rrënuar. Për dy litra qumësht duhet të ngriheshe që në orën dy të mëngjesit. Pa folur për mungesën totale të mishit dhe bulmetrave të tjerë, që përbënin themelin e ushqimit njerëzor. Çdo gjë ishte tejet e rrënuar, pa folur për pasigurinë se në çdo moment mund të bëheshe pre e sigurimit.

Kështu me përhapjen e këtij lajmi njerëzit filluan të mendonin seriozisht se po afrohet një kohë e re. Por, çështja shtrohej kur? Pushteti i kohës kishte filluar të bënte përpjekjet e para për të gjetur dhe krijuar mundësi, që t’i dilte përpara të keqes. Megjithatë, hapat e tij ishin të dëshpëruara dhe shpesh qesharake. Filluan teoritë e gjysëm qengjit, të arëzëve dhe të tjera shpikje qesharake, që sigurisht nuk sillnin asgjë të re. Njerëzit filluan të flisnin pak më të trimëruar, por gjithmonë njëri me tjetrin, si dhe me njerëz që i njihnin mirë.

Jo vetëm kaq, njerëzit filluan të kërkojnë më shumë llogari dhe të flasin më hapur për disa të drejta të tyre. Kështu, më kujtohet një debat që u zhvillua në organizatën tonë të partisë, të bllokut ku banonim, ku militonim mjaft intelektualë pensionistë, por me pikëpamje përparimtare dhe liberale. Shtrohej problemi që të hiqeshin antenat nga çatitë, për të mos ndjekur televizionet e huaja. Ne reaguam në organizatë me forcë, duke kërkuar që në radhë të parë të hiqen antenat e Dajtit, që përdoreshin nga blloku për të parë stacionet italiane, pastaj të na kërkohej kjo ne të thjeshtëve. Kështu në prill 1990, kur udhëheqja bëri vizitë në varrezat e dëshmorëve dhe bashkë me byronë dhe qeverinë ishte edhe Nexhmije Hoxha.

Ne në organizatë e ngritëm me të madhe dhe kritikuam, duke thënë se Nexhmija nuk kishte pse të shkonte në varreza bashkë me pjesën zyrtare. Këtë e quajtëm presion nga ana e saj, për të treguar që ajo vazhdon të dominojë dhe drejtojë. E të tjera probleme të asaj kohe. Këto tregonin se pikërisht ngjarjet e rënies së Murit të Berlinit dhe zhvillimet e mëvonshme, krijuan një atmosferë kundërshtuese brenda organizatave të partisë, gjë që më përpara nuk kishte ndodhur. Filluan kritika të rënda ndaj disa prej anëtarëve të Byrosë Politike, që konsideroheshin të paaftë, kritika për përbërjen e qeverisë, e të tjera fenomene që tregonin se po krijohej një mendësi e re në radhët e inteligjencës shqiptare, e cila nuk do të pranonte si më përpara të thonte vetëm “si urdhëron!”. Të gjitha këto e të tjera, ishin shenja që tregonin se ajo ngjarje pati ndikim pozitiv drejt rritjes së frymës kundërshtuese të njerëzve në vendin tonë.

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Ju vetë keni patur një rol të rëndësishëm në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. Sot, kur ktheni kokën pas si e shikoni këtë rrugëtim?

Kjo mund të ishte një intervistë më vete. Do përpiqem të theksoj disa aspekte. Por mendoj se kjo qëndron plotësisht. Veç të tjerave mund të them se kam përshtypjen, se edhe elita politike perëndimore u gjend e papërgatitur për të ndikuar sa më mirë në këtë situatë që u krijua në gjithë lindjen. U kërkuan disa gjëra të përshpejtuara dhe bëhej presion për këtë. Nuk u tregua aspak kujdes që për të marrë frenat e organizatave politike të reja, të përzgjidheshin njerëz sa më të përshtatshëm. Arrivistë ka në çdo vend dhe në çdo kohë. E pikërisht këta njerëz tërhoqën më shumë vëmendjen e misionarëve dhe të dërguarëve të ndryshëm të perëndimit, duke fituar mbështetjen e tyre si individë, me mendimin se ata ishin njerëzit e duhur që mund të sillnin ndryshimet e duhura.

Më kujtohet një bisedë me Ramiz Alinë në 28 nëntor të vitit 2005. Duke pirë një kafe me të gjatë pritjes festive, i thashë: -“Z. President Alia, dëshiroj t’ju bëj një pyetje”. -“Urdhëroni”, më tha. -“Desha t’ju pyes, ku i gjetët këta dy persona që u vendosën në krye të dy partive kryesore shqiptare? Njëri prej tyre, i zgjuar, por dallohej për qefli dhe pijetar, ndërsa tjetri për dobësi arriviste dhe mungesë tolerance”. Sigurisht, ai nuk mi pranoi tërësisht këto mendime, por me këtë desha të them që për fat të keq në krye të vendit, në ato kohëra nuk u ndodhën ata që duhet të ishin. E them këtë se duhej bërë një përzgjedhje e mirë e gjithanshme, si nga drejtuesit vendorë të kohës, po ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë. Sigurisht edhe vetë njerëzit duhet të ishin treguar më të vëmendshëm. Duhet të mbështeteshin njerëz më të ekuilibruar dhe të arsyeshëm. Shqipëria ka pasur edhe ka njerëz që mendojnë më shumë dhe më mirë për vendin dhe popullin.

Kam mendimin se u harrua se është vështirë që të eksportohet demokracia. Ajo kërkon jo vetëm njerëzit e duhur, por edhe traditë dhe histori. U harrua se në vendin tonë përmbysjen e bënë në radhë të parë studentët, që në shumicën dërrmuese ishin pasues të njerëzve që kishin pushtetin. Për fat të keq, klasat e përmbysura nga komunizmi, ishin dërrmuar aq shumë, sa ato nuk ishin në gjendje të luanin ndonjë rol të rëndësishëm në atë përmbysje.

Po marr vetëm një shembull, që për mendimin tim është më i rëndësishmi, më domethënësi dhe më treguesi i asaj që po mundohem të sqaroj dhe të argumentoj. Po përmend teorinë e famshme të “SHOKUT”. Që për mendimin tim ishte shkatërrimtare. Ajo tek ne u zbatua dhe u përkrah në mënyrë vërtet shokuese dhe qorrazi, pa asnjë diskutim të ekonomistëve vendas. Ne kishim një industri, për vendin tonë dhe për kohën jo të keqe, e cila prodhonte shumë gjëra të dobishme. Pavarësisht nga standarti jo i kohës, por ajo prodhonte hekur, qelq, manifakturë, prodhime të ndryshme mekanike, druri etj.

Nëse nuk do të kishte ndodhur viti 97, Shqipëria do të ishte ndër të parat në NATO dhe në BE. Vendi do kishte ecur shumë më përpara, nuk do t’i kishim këto plagë që kemi sot. Edhe për këtë asnjeri nuk është përgjigjur dhe nuk ka dhënë llogari

Alfred Moisiu

Por çfarë ndodhi me të? Brenda një kohe të shkurtër e gjitha u braktis, u shkatërrua, u kthye në skrap dhe njerëzit që punonin në ato uzina dhe fabrika, papritur u gjendën në rrugë. Por kush ishin ata. Ishin specialistë, me përvojë dhe dije. Dihet që përgatitja e specialistëve jo vetëm që do kohë, por është pjesa më e vështirë për zhvillimin industrial. Uzina e prodhimit të mjeteve të Preçizionit të Lartë në Korçë për shembull, ishte bërë shumë e njohur edhe në Europë për prodhimet e saja tepër cilësore.

Fabrika e e prodhimit të telave të bakrit në Shkodër ishte gjithashtu një xhevahir i industrisë dhe përmbyllte industrinë e bakrit në vend. Të gjitha këto u zhdukën, u konsideruan pjesë të komunizmit. U tha që do t’i bëjmë më të mira. Ku jemi tani? Asgjë nuk prodhojmë, vetëm fjalë, sharje, shpifje, emigrim, vjedhje, vrasje, kanabis etj. Dhe për fat të keq asnjeri deri tani nuk ka mbajtur përgjegjësi për këtë. Sikur te ne ra cunami! Në fakt ishin njerëzit drejtues të pazot dhe të paaftë, që e kryesuan këtë shkatërrim. Por më e keqja është se prishëm dhe njeriun. Këtu nuk e kam fjalën për njeriun e ri të Partisë së Punës, por për shqiptarin shekullor.

U lindën mashtruesit, gënjeshtarët, hajdutët me kollare, dhe të tjerë njerëz me vese nga më të shëmtuarat. Sigurisht këta lloj njerëzish ekzistojnë kudo, por te ne sikur janë shtuar shumë. Injoranca është bërë e modës, rëndësi ka nëse di të bësh para, sesi kjo nuk ka rëndësi. Është arritur të mendohet që i zoti është ai që ia hedh shtetit. I paaftë quhet ai që është i ndershëm dhe zbaton ligjet e shtetit. Pra, dikush duhet të përgjijgjet për këtë.

Përkundrazi shumica e politikanëve kryesorë janë po ata që kanë qënë që në fillim. Nuk jam nga ata që mallkoj, por këta njerëz e meritojnë të mallkohen në mënyrën më të fortë për atë që i kanë shkaktuar këtij vendi, dhe ende nuk heqin dorë. Mburrren sikur e shpëtuan këtë popull, që ka marrë arratinë e nuk di çtë bëjë. Mundohen që të këqijat t’ia kalojnë njeri-tjetrit, harrojnë se ato nuk lindën në një ditë.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Sigurisht nuk mund të mohohen ndryshimet dhe përparimet e vendit tonë. Kjo do të ishte e padrejtë dhe e pavend, por ama duhet ta them me plot gojën, që sikur ata që e morën përsipër drejtimin e vendit, të kishin qenë më të përkushtuar dhe të aftë, të mendonin më shumë për Shqipërinë se sa për pushtet, të mos kishin grirë pasurinë e këtij vendi, ne sot do të ishim shumë e shumë më mirë.

Mund të shtoj edhe këtë, nëse nuk do të kishte ndodhur viti 97, Shqipëria do të ishte ndër të parat në NATO dhe në BE. Vendi do kishte ecur shumë më përpara, nuk do t’i kishim këto plagë që kemi sot. Edhe për këtë asnjeri nuk është përgjigjur dhe nuk ka dhënë llogari. Me këtë desha të them se para se të vemë në punë imagjinatën, të rrisim kërkesën e llogarisë pse shqiptarët janë katandisur në këtë gjendje.

Shpresoj dhe jam besimplotë që me realizimin e reformës në drejtësi, klasa politike shqiptare do të pastrohet ndjeshëm, në mënyrë që t’i hapet rrugë një politike të drejtuar për fuqizimin e vendit, zhvillimin real të demokracisë dhe ta kthejë këtë vend një shtëpi të dëshiruar të shqiptarëve.

Alfred Moisiu

Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja, pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria, është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?

Shumë gjëra për këtë i thashë më sipër. Desha të shtoj se pa një drejtësi të fortë, të pavarur dhe të aftë, është e vështirë që ne të ecim përpara dhe të rreshtohemi me të tjerët. Nuk mund ta pranoj dhe as ta kuptoj mënyrën sesi ne e kemi kuptuar demokracinë. Të gjihë themi e duam, por në fakt më shumë pëlqejmë anarshinë. Të gjitha edhe mund t’i falja, por ca vese të politikanëve tanë, si dhe të medias, nuk mund t’i përtyp fare. Si është e mundur që të flasësh kaq keq për vendin tënd, vetëm e vetëm që të dëmtohet sa më shumë “x”apo “y”.

Kjo është njëlloj si ajo përralla që tregojnë, kur njëri kishte hipur në pemë dhe po priste po atë degë ku qëndronte. Pse duhet të katandisemi kështu? Jemi një popull që kemi tradita të mira, që na i vlerësojnë të gjithë, por për pushtet jemi bërë si mos o Zot. Ne shqiptarët kemi nevojë për më shumë kulturë dhe fisnikëri. Jemi vendi që kemi nxjerrë Shën Terezën, Aleksandër Moisun e të tjerë korifej. Skënderbeun e madh, pavarësisht se kanë kaluar shekuj, bota e vlerëson dhe e merr për shembull. Po ne stërnipat e tij, çfarë po bëjmë?

Megjithatë dua të them se shqiptarët janë një popull që kanë pasur një histori shumë të vështirë në shekuj, por ama e kanë ruajtur gjuhën, kulturën, zakonet dhe ne prapë do të ngrihemi në këmbë si komb. Por që të ndodhë kjo, klasa jonë politike duhet shkundur, dhe duhet detyruar të bëjë detyrën e saj, ashtu sikurse ndodh në vendet e tjera europiano-perëndimore.

Eshtë thënë se vendet e Evropës Lindore, hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ata shtete që zgjodhën një qasje më radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”-u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke dhe Polonia), apo edhe Sllovakia, ndërkohë që shtetet që e “humbën” vrullin dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria dhe Sllovenia), mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe a ishte e duhura?

Po sigurisht secili vend ka karakteristikat, mundësitë dhe aftësitë e tija. Ka shumë rëndësi të njihen karakteristikat përkatëse. Klasa politike në ato vende si në Poloni dhe Çeki, është e vjetër dhe me tradita. Ne nuk kishim traditat e duhura. Dhe ato cilësi që u fituan gjatë viteve të diktaturës, për gjykimin tim u vlerësuan gabimisht dhe padrejtësisht.

Kështu që në një rrëmujë të vërtetë ju hap rrugë njerëzve që kishin pak kulturë e njohuri, duke vënë përpara parullën të shkatërrojmë komunizmin. E pësuam si rasti që tregohet për maminë, që bashkë me placentën hodhi dhe fëmijën. Harruam se çdo gjë ishte bërë dhe ndërtuar nga duart dhe me djersën e këtij populli dhe jo nga bllokmenët. Pra, ne na dëmtoi mungesa e kulturës dhe fisnikërisë të atyre që udhëhoqën në këto kohë. Mendoj se kjo ka qënë shumë e rëndësishme.

93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonëm, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbas im “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve.

Për këtë kam folur edhe më lart. Por dua të them se edhe ne pjesa tjetër e popullit kemi përgjegjësinë tonë për çka po ndodh. Pra, e para është që duhet të zgjedhim njerëz të vërtetë në krye dhe të mos shkojmë pas berihait. Ata që nuk e meritojnë, nuk duhet t’i lëmë të dalin në krye. Këtë e zgjidh vetëm vota. Ta mendojmë mirë kur e hedhim atë. Gjërat nuk zgjidhen me protesta, por me mençuri. Të tjerët nuk kanë ndonjë gjë më tepër se ne, vetëm se ata ta japin besimin, por po nuk e justifikove, më nuk të qasin.

Ku e shoh Shqipërinë në 2049-ën? E shoh si një Zvicër e vogël në Ballkan. Lum kush do të rrojë ta shohë Shqipërinë si Zonjë. Po përsëris Frashërin. Por duhet të them se kemi shumë për të bërë që të rikthejmë shqiptarin si na e kanë lënë të parët tanë, kam parasysh shqiptarin e kohës së Fishtës, Naimit…

Alfred Moisiu

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

Nuk dua të përsëris veten, megjithëse edhe vetë jam pjesë e klasës politike të këtij vendi, por sikurse e kam thënë edhe më parë, është klasa politike më e dobët që mund të ketë parë ky vend. E kam thënë edhe herë të tjera se, ato që ka arritur Shqipëria në drejtimin ekonomik, nuk janë aspak meritë e klasës politike të dëshiruar për shqiptarët, për rininë tonë dhe për të ardhmen e kombit të copëtuar shqiptar, por meritë e biznesmenëve shqiptarë, të cilët me kurajon, iniciativën, vendosmërinë, aftësinë dhe sakrificat e tyre e kanë arritur këtë stad zhvillimi. Nuk do të gaboja po të thoja se politika jo vetëm se nuk e ka ndihmuar zhvillimin e biznesit shqiptar, por e ka penguar.

Shpresoj dhe jam besimplotë që me realizimin e reformës në drejtësi, klasa politike shqiptare do të pastrohet ndjeshëm, në mënyrë që t’i hapet rrugë një politike të drejtuar për fuqizimin e vendit, zhvillimin real të demokracisë dhe ta kthejë këtë vend një shtëpi të dëshiruar të shqiptarëve.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.

Po është e vërtetë që pa ligj nuk mund të pretendosh se mund të bësh shtet real demokratik bashkëkohor. Pa ligj nuk mund të kesh një zhvillim të duhur të ekonomisë, kulturës, marëdhënieve të drejta dhe të barabarta fqinjësore.

Duhet thënë se tek ne deri tani të paktën është zbatuar parimi : “Ligji, por është edhe Maliqi”. Me këtë dua të them se ligjet tona janë të mira, në disa drejtime mund t’i quaja edhe shumë të mira, por ka çaluar zbatimi i tyre, pasi ato kanë bashkëjetuar me leitmotivin që përmenda më lart. Gjykoj se detyra themelore e shoqërisë tonë dhe shtetit është të rrënjosë tek secili se pa ligje, pa zbatimin e tyre të saktë dhe të përpiktë e të drejtë, nuk mund të kemi zhvillim. Dhe ky mentalitet duhet të rrënjoset që në bangat e shkollës, te fëmijët tanë. Pra, duhet të bëjmë një punë kolosale për të çrrënjosur mentalitetin ekzistues dhe të vendosim të duhurin. Dhe kjo mund të arrihet duke pastruar jo vetëm klasën politike, por edhe administratën, duke forcuar masat ndaj shkelësve si dhe edukimin e gjithanshëm, duke filluar që nga arsimi.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Tashmë është e njohur që me zbatimin e reformës në drejtësi, duke pastruar deri në fund sistemin ekzistues të korruptuar, krijimi i Institucioneve të reja si SPAK, Byroja Hetimeve dhe Prokuroria e gjykatat e reja, në kuptimin e pastrimit të tyre, radhën e ka aplikimi serioz dhe pa asnjë lëshim i vënies para drejtësisë të gjithë atyre që deri tani kanë abuzuar dhe janë tallur me këtë popull.

Kam bindje se këto masa do të na japin mundësinë dhe të drejtën që ky vend, ky popull të radhitet plotësisht me popujt e tjerë të Europës.

Mendoj se realizimi me sukses i këtyre masave në vendin tonë do të jetë një shembull pozitiv jo vetëm për Rajonin e Ballkanit, por edhe për disa vende Europiane, që kanë probleme, mos sa ne afër nesh në disa drejtime. Kjo është për të mirën e kontinentit të vjetër.

Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?

Më keni bërë një pyetje të vështirë, pasi për fat të keq unë nuk do ta arrijë këtë datë. Megjithatë Shqipërinë e shoh si një Zvicër e vogël në Ballkan. Lum kush do të rrojë ta shohë Shqipërinë si Zonjë. Po përsëris Frashërin.

Por duhet të them se kemi shumë për të bërë që të rikthejmë shqiptarin si na e kanë lënë të parët tanë, kam parasysh shqiptarin e kohës së Fishtës, Naimit. Pse e them këtë, pasi përveç deformimeve të kohës së diktaturës, gjatë tranzicionit tek njeriu shqiptar kanë pësuar ndryshime të mëdha disa cilësi të njohura për popullin tonë. Kështu janë dëmtuar ose humbur fisnikëria, mençuria, njerëzillëku, ndershmëria, trimëria, xhentilesa, bujaria, mikpritja, respekti i ndërsjellë, besnikëria, është dobësuar ndjeshëm fuqia bindëse e besimeve fetare dhe janë zhvilluar së tepërmi antipodet e tyre. Besoj dhe shpresoj shumë që në atë kohë këto gjëra të rikthehen në natyrën e popullit tonë. Për këtë i dalin detyra të shumta shoqërisë, politikës, arsimit, familjes dhe besimeve fetare.

Dhe ajo që është kryesorja, shpresoj shumë se do të të kemi një klasë politike vërtet perëndimore dhe me sensin real demokratik, si dhe një gjyqësor plotësisht sipas kërkesave të reformës, që është në fillim të zbatimit.

Z. President, ju faleminderit.

Faleminderit juve!/ bota.al

U plagos me thikë gjatë sherrit ku u vra Martin Cani

Del nga spitali 14-vjeçari Luis Meçja

Katedralja 860-vjeçare përfshi nga flakët, 5 vite më parë

Rihapet ‘Notre Dame’ pas restaurimit!

Shënimi i 80 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë

Kryeministri Rama homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Dyshimet se pas vrasjes fshihet një grup i strukturuar kriminal

Atentati mafioz ndaj djalit të ish-gjyqtarit, dosja i kalon SPAK!