Dy vjet pas largimit fizik të Dritëro Agollit, shoqja e tij e zemrës Sadije Agolli, iu bashkua rrugëtimit të tij qiellor.
Në 26 shkurt të këtij viti, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, zonja fisnike që mbajti derën e Agollajve hapur për këdo pati nevojë u nda nga jeta. Sot, do të mbushte 77-vjeç. E bija Elona e kujton në rrjetet sociale përmes një dedikimi prekës.
“Gëzohemi për datat e lindjes , tonat, të fëmijëve apo prindërve. Por ka datëlindje që shoqërohen nga loti i dhimbjes.
E prisnim bashkë 14 shtatorin, të darkonim e të pinim një kafe, të kujtonim babin dhe çastet e lumturisë e dashurisë me të. Sado trishtimi i ndarjes me të ishte i pamat , pëlqeje të gëzonim e bisedonim paqësisht, të kujtonim e të bënim plane.
Në këtë ditë, më shumë se çdo ditë e datë tjetër, ndjej humnerën e zbrazëtisë, pafuqishmërisë, mungesës së ngasjes së fortë për të dhënë fort dashuri e shpresë për më të shenjtën jetë në jetën time, për mamin. Urimi “ Gëzuar datëlindjen mam”, tani është zëvendësuar me mërmëritje shpirti, mallëngjimi, loti.
E unë prapë dua të them me zë të lartë e jo të mekur mam : “ Zoti mē ka përkëdhelur që kam ardhur në jetë nga ti mam . “Gëzuar datëlindjen Mam “!” shkruan ajo.