“Kushtetuta jonë është e qartë, si dhe Konventa e të Drejtave të Njeriut, e sqarojnë shumë mirë dallimin midis votimit dhe zgjedhjeve”, tha zoti Meta. Ai paraqiti vendimin e Gjykatës së Strasburgut në vitin 2015, ku zgjedhjet me një kandidat janë cilësuar si fiktive, dhe u mohojnë qytetarëve të drejtën për të zgjedhur.
“Në vitin 2015 Gjykata e Strasburgut vendosi në një çështje të ngjashme kundër Bullgarisë, ku disa shtetas bullgarë me origjinë turke pretenduan shkeljen e të drejtës së votës së tyre. Gjykata ka arsyetuar se: e drejta e votës e garantuar nga neni 3 i Protokollit nr.1 nuk është e limituar në veprimin e zgjedhjes së një kandidati dhe hedhjen e votës në kutinë e votimit. Vota e çdo zgjedhësi duhet të krijojë mundësinë e këtij të fundit të ndikojë në formimin e organeve ligjvënëse, në të kundërt e drejta e votës, procesi i zgjedhjeve dhe për rrjedhojë edhe rendi demokratik në përgjithësi, do t’i mungonte e drejta në substancën e saj. Të thuash zgjedhje me një kandidat do të thotë të bësh një proces fiktiv, pra qytetarëve u mohohet e drejta për të zgjedhur. Për këtë çështje, Bullgaria u dënua me një gjob të caktuar”, – tha zoti Meta.
Kuvendi i Shqipërisë, me kërkesë të 55 deputetëve, nisi një procedurë shkarkimi nga detyra për shkeljen e rëndë të Kushtetutës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në komisionin hetimor parlamentar, zoti Meta, theksoi se vendimi i tij për të shtyrë zgjedhjet me dekret, ishte zgjidhja e vetme në kushtet kur të dyja palët politike si tha ai, “kishin një marrëveshje për konflikt”.
Ai tha se për të ishin të papranueshme edhe kushti i vendosur nga drejtuesi i partisë demokratike, Lulzim Basha, që të mos ulej në dialog me kryeministrin Edi Rama, edhe kushti i drejtuesit të qeverisë për të mos negociuar një datë të re zgjedhjesh. Presidenti Meta tha se nuk mund të priste që të humbte jetën ndonjë polic edhe nga demonstrues të acarruar edhe “nga gjuha shpesh helmuese e kryeministrit”.
“Edhe OSBE e përmendi në raport që presidenti bëri thirrje të vazhdueshme për dialog. Bëra përpjekje, por kishte dy pengesa, e para kokëfortësia e kryeministrit për të mos diskutuar mundësinë e shtyrjes së 30 qershorit dhe së dyti kokëfortësia e kryetarit të PD për të mos u ulur në një tryezë me zotin Rama si kryeministër, të dyja për mua ishin të papranueshme, se opozita, e cila ishte larguar nga Kuvendi, nëse do të ulej në dialog për çfarë do të fliste? E papranueshme ishte edhe kërkesa e Bashës që të mos ulej me Ramën Kryeministër. Kur mora këtë vendim ishte një situatë e çmendur, të dy palët nuk mbanin asnjë lloj përgjegjësie” – tha zoti Meta.
Ai shtoi se nuk ishte dakort me opozitën, kur thonin se nuk mbajnë përgjegjësi për popullin që del në demonstrata, por s’kam qenë asnjëherë dakort as me mitingjet e qeverisë, që në thelb ishin antimitingje.
“Sa herë opozita vinte në protestë në bulevard, edhe Rama organizonte mitingje kundër opozitës pa marrë parasysh që kishte një detyrë më të rëndësishme, e pa marrë parasysh se gjuha e tij shpesh helmuese acaronte protestuesit” – tha zoti Meta.
Presidenti theksoi se duke nxjerrë atë dekret ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë dhe ka shmangur një proces jodemokratik të votimit me një kandidat.
“Të shtunën para se të merrja një akt të tillë, pasi u njoha edhe me dokumentet shtetërore sekrete që mund të digjej Kuvendi i Shqipërisë, në këtë moment kam bërë aktin më të mirë. E kam pasur të pamundur të thërras një tryezë, kur të dy palët kishin një marrëveshje për konfrontim ishte detyra ime të evitoja pasoja, që do t’i vuanin qytetarët shqiptarë” – tha presidenti Meta.
Ai shtoi se presidenti nuk mund të bënte gjë tjetër përveç shtyrjes së zgjedhjeve kur të dyja palët donin konfrontim, se s’mund të priste të humbte jetën një polic për të nxjerrë dekret, sepse do të ishte një faturë e madhe për stabilitetin dhe besueshmërinë e vendit. Analisti Afrim Krasniqi tha se seanca e sotme do të hyjë në histori si hera e parë që ndërmerret një nismë për të shkarkuar presidentin e republikës, pavarësisht se nisma është e destinuar të mos ketë sukses.
“Akti i sotëm i komisionit parlamentar për të marrë në pyetje kreun e shtetit dhe vendimi i Presidentit të Republikës për të shkuar atje është më tepër një përpjekje e të dy palëve për të ndjekur procedurat e parashikuara nga Kushtetuta. Të dyja palët janë të ndërgjegjshme se seanca e sotme ishte më shumë pjesë e marrëdhënieve publike se sa zgjidhje e krizës. Krizën mes parlamentit dhe presidentit do ta zgjidhë vetëm Gjykata Kushtetuese kur ta kemi atë. Mendimi i Komisionit të Venecias do ta ndihmojë këtë proces, por nuk do ta zgjidhë. Gjykata është organi i vetëm që do të përcaktojë cila nga palët ka respektuar Kushtetutën dhe cila nga palët është gabim në pretendimet e veta. Presidenti ishte shumë i qetë sot, sepse argumentet e tij ishin më shumë të natyrës juridike dhe politike. Ai ishte i qetë edhe për faktin se komisioni është i paragjykuar në përbërjen dhe në nismën e tij, ishte më i dobët në raport me presidentin dhe me argumentet që ata pretendojnë ndaj presidentit të Republikës. Kjo seanca do të hyjë në historinë politike të vendit si hera që presidenti i Republikës del para një komisioni parlamentar, që ka marrë nismën për shkarkimin e tij, ndonëse nisma është e destinuar të mos ketë sukses” – tha zoti Krasniqi.
Ndërkaq analisti Lutfi Dervishi kujtoi që socialistët e zgjodhën president zotin Meta për hir të raporteve të tij me opozitën, e tani duan ta shkarkojnë pikërisht për këtë cilësi.
“E veçanta sot ishin tonet e ulta dhe mirësjellja e shfaqur aq sa dukej se nuk po kërkohej shkarkimi i kryetarit të shtetit, por sqarimi i një keqkuptimi deklaratash. Shkarkimi de facto i Presidentit është i vështirë për të mos thënë i pamundur. Nga pikëpamja ligjore shumicës i duhet të mbledhë ⅔ e votave me opozitën e re në Parlament, të shpresojë që Komisioni i Venecias nuk do të shprehet dhe Gjykata Kushtetuese do të ngrihet dhe të konfirmojë shkarkimin. Konstituimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese është i vështirë dhe pothuaj i pamundur të arrihet në një kohë të shpejtë. Shumica kërkon të shkarkojë një president, që vetë e zgjodhi dy vite më parë si përfaqësues më të mirë të interesave të opozitës. Me procesin e shkarkimit të nisur në qershor dhe seancën e sotme shumica synon delegjitimimin dhe dobësimin e figurës së Ilir Metës si President i Republikës” – tha zoti Dervishi.
Kjo është hera e parë në historinë e pluralizmit shqiptar që një president përballet me një Komision Hetimor për t’u pyetur si i dyshuar mbi shkeljen e Kushtetutës, duke rrezikuar shkarkimin e tij.
Ky proces mund të përmbyllet vetëm me një interpretim dhe vendim nga Gjykata Kushtetuese, e cila për më tepër ende nuk është funksionale/VOA