Pavlina Nika, këngëtare shqiptare dhe pionere e skenës me origjinë korçare e lindur më 15 maj të vitit 1931.
Para se të bukurën ta shoh në talent apo përmes virtyteve të një individi, sigurisht do të duhet të ndikohemi në fillesa nga pamja e jashtme. Dhe për Pavlinën, diçka e tillë duket se ishte tashmë i realizuar si qëllim. Ishte kaq e bukur!- do të shpreheshin bashkëkohësit e saj. Ndoshta nëse do kishte lindur diku tjetër, do kishte qëndruar pa frikë në radhët e Marlen Ditrich apo Greta Garbos.
Dhe e tillë mbeti gjithnjë derisa u largua nga kjo botë. Në heshtje pa i humbur absolutisht nur i saj, që pak e kishin të tillë.
Fillimet e saj të brishta do të shënjoheshin në grupin amator të Radio-Korçës.
Në vitet ’50 ishte këngëtare soliste në Ansamblin e Ushtrisë dhe u afirmua si këngëtare e skenës në Estradën e Ushtarit.
Ndërkohë përgjatë këtyre viteve në skenën shqiptare, me zërin e saj të qartë, të purpurt, të fuqishëm dhe shumë emocional, filloi të interpretojë me shumë sukses këngë të lehta të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj si dhe ka punuar nën drejtimin e muzikantëve të talentuar dhe artistëve të mëdhenj të muzikës tonë si Çesk Zadeja, Ibrahim Tukiçi, Avni Mula, Pandi Peleshi, etj.
Në një nga intervistat e saj para se të ndahej nga jeta teksa fliste për karrierën e saj Pavlina thoshte: “Fillimisht, në vitin 1946, kam qenë në korin e Kishës së Korçës, në kishën e Shën Gjergjit. Pastaj, kalova në korin “Lira” që quhej kori i sindikatave në atë kohë. Aty më ka dëgjuar i ndjeri Gaqo Abrazi, i cili ka qenë “Artist i Popullit” dhe më ka marrë në Ansamblin e Ushtrisë. Në vitet ’50 kam filluar aty. Kam kënduar me Avni Mulën, Ibrahim Kukiçin, me të ndjerin Mentor Xhemali dhe shumë këngëtarë të mëdhenj. Në Korçë kam kënduar me Kristaq Antoniun, me zonjën Kraja dhe kam marrë mësime të mëdha prej tyre.”
Më tej vijonte për muzikën e lehtë shqiptare: “Fillimet e muzikës së lehtë janë me Agim Prodanin në estradën e shtetit. Një formacion i vogël orkestral i drejtuar nga Agim Prodani, ishte dhe vëllai i tij Medi Prodani, ishte Tonin Shala me kondrabas. Ishte një kualitet shumë i lezetshëm. Kishte shumë kërkesa Agimi. Kur regjistronim një këngë rrinim nga ora 4 pasdite e deri në mëngjes. Agimi kërkonte shumë në muzikën e tij.
Këto mund të konsiderohen si fillimet e muzikës së lehtë shqiptare”
Pavlina rrëfente se më vonë kishte filluar të këndonte edhe muzikën e huaj, në estradën e shtetit, në vitin 1957-të.
“Unë kam kënduar këngë arabe, indiane, çeke, bullgare, polake e kineze. Filmat latinë që vinin unë i shihja të gjithë për t’iu afruar interpretimeve origjinale.”
Rrëfimi i këngëtares vijon me nostalgjinë për aktivitetet e asokohe, duke treguar se si krijoheshin grupe të vogla që luanin nëpër bare e restorante, ku shkonin njerëzit.
Po përtej kësaj Pavlina shton se edhe ky argëtim ishte i kufizuar sipas saj “të merrnin e të çonin gjëkundi, o të hiqnin nëse bëje gabim në këngë, ose po të shprehje një fjalë dashurie. Mund të të pushonin edhe nga puna fare.
Orientimet lidhur me muzikën që bëhej në estradë vinin nga partia të gjitha. Kur kishte shfaqje premierë vinin këta të partisë dhe menjëherë na e hiqnin këngën. Bile do t’iu tregoj diçka. Më kujtohet një koncert recital i imi që kam dhënë, kisha këngën “Qielli i lumturisë” dhe më thanë ta heq atë këngë. U ngrit i ndjeri Çesk Zadeja dhe thotë: Si ta hiqni? Këto janë këngë që i këndon gjithë bota. Përse i hiqni?”
***
Në repertorin e saj ajo ka shumë këngë korçare, patriotike, partizane etj.
Shumë kompozitorë filluan të shkruajnë këngë të reja me destinacion zërin e saj.
Në vitin 1957 kaloi në Estradën e Tiranës dhe së bashku me këngëtaren Anita Take u bënë të njohura e mjaft të preferuara me interpretimin e tyre në skenat e vendit, por edhe ato të Evropës.
Së bashku me Anita Taken, formuan duetin e papërsëritshëm “Nikaj-Take”. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike, koncerte, festivale, spektakle, festa popullore etj. Me këngët dhe interpretimet e bëra, ajo ka merituar plotësisht simpatinë dhe duartrokitjet e publikut.
Në repertorin e saj shënohen këngë, që kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, si: “Udhët e lumturisë”, “S’të harroj”, “Kënga ime të kushtohet ty”, “Një lule”, “Kujtim i shtrenjtë”, “Ç’po dremit liqeni i kaltër”, “Midis gushës ke një pikë”, “Autobusi”, “Kujtimet e studentit”, “Shtëpia e pushimit”, “La Paloma”, “Me duar të arta”, “Gaz zemra ime”, “Trëndafil mos u zemëro” etj.
Ajo është e njohur dhe me një aktivitet të gjerë në lëvrimin e këngës popullore vlonjate.
Dalja e saj e fundit në skenë është recitali i vitit 1986 në Teatrin e Estradës së Tiranës, me regjisor Kosta Kamberin.
Pavlina Nikaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri”, i argjendtë në vitin 2005, ndërsa në vitin 2005 u nderua me titullin “Qytetare Nderi” e Tiranës.
Pavlina Nikaj u nda nga jeta më 14 tetor të vitit 2011, në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas, tek të gjitha ata që e njohën, buzëqeshjen e bukur dhe zërin e papërsëritshëm.
Dhimbja ishte e madhe, më tepër edhe për shumë këngëtarë të brezit të saj e më tepër për miken, Anita Taken e cila pas humbjes së Pavinës do të shprehej pa fshehur mallëngjimin e saj:
“Kam humbur një shoqe. Me Pavlinën kam bashkëpunuar në disa shfaqje dhe kam kujtime të bukura. Ikja e saj është një humbje e madhe për muzikën e lehtë shqiptare”.
“Isha i ri kur dëgjoja këngët e saj me atë zë, ku tingulli më dukej si mrekulli e natyrës. E më pas u rrita mes këngëve të saj dhe duartrokisja me sa fuqi që kisha e bërtisja me të madhe ‘edhe një herë’”, kujton regjisori Sulejman Dibra, teksa shton se recitali i saj i vitit 1986, ku ka bashkëpunuar me të, do të mbetet kujtimi më i bukur i jetës së tij.
/ Bionelda Skonja