Maja Anzhelu (1928-2014), shkrimtarja me emrin e vërtetë Marguerite Johnson, ishte gjithashtu aktore dhe aktiviste afrikanoamerikane, një figurë e rëndësishme në lëvizjen amerikane për të drejtat civile.
Ishte një ikonë në Shtetet e Bashkuara, e cila me tekstet dhe pozicionet e saj, la gjurmë të përjetshme në historinë e luftës për të drejtat civile. Maja Anzhelu ishte bërë një institucion kombëtar, librat e saj janë përfshirë në kurrikulat shkollore.
Aktore, këngëtare, balerinë, shkrimtare, poete, aktiviste, ka punuar përkrah Malkolm X, Martin Luter Kingut, recitoi një poezi në fjalimin inaugurues të Bill Klintonit në vitin 1993, mori Medaljen Presidenciale të Lirisë në 2010 nga duart e Barak Obamës. Ka shkruar shtatë autobiografi, pasi, siç thotë specialistja e estetikës Françoise Zamour, ajo kishte shtatë jetë dhe fati i saj u martua me atë të Shteteve të Bashkuara në shekullin XX.
E lindur në Misisipi, Maja Anzhelu ishte vetëm 3-vjeçe kur u dërgua në shtëpinë e gjyshes së saj në Arkansas, si mijëra fëmijë zezakë, prindërit e të cilëve merrnin rrugët për të provuar fatin e tyre në Shtetet Veriore ose Kaliforni.
Në 1959, Anzhelu u dashurua me Vusumzi Make, shok lufte i Nelson Mandelës, të cilin e ndoqi deri në Egjipt, më pas u transferua në Gana, ku u takua me Malkolm X. Në 1965, kur u kthye në Shtetet e Bashkuara për të punuar me të, predikuesin e vranë. Si rrjedhojë, ajo u përfshi katërcipërisht në lëvizjen për mbrojtjen e të drejtave civile pas Martin Luter Kingut.
Më 4 prill 1968, në 40-vjetorin e lindjes së Maja Anzhelusë, Martin Luter Kingu u vra. E inkurajuar nga Xhejms Balduin, ajo filloi të shkruajë.
“Letër vajzës sime” është libri i parë i autores. Drejtuar fëmijës që nuk e pati kurrë, kjo “letër” është një koleksion i pabarabartë i poezive, teksteve intime dhe politike, me anë të të cilave autorja transmeton mësime të jetës brezave të rinj.
Botuar në vitin 1969, “E di pse këndon zogu i mbyllur në kafaz”, në këtë roman ajo i lejon vetes të krijojë personazhe, duke kombinuar tiparet e njerëzve të ndryshëm dhe duke riorganizuar momentet e jetës së saj. Ajo lë një mesazh të qëndrueshmërisë dhe guximit përballë fatkeqësive. Ajo vazhdon të njëjtën ushtrim në librin e saj “Ndërsa jam e zezë”, botuar në 1981. Nuk e pranonte pabarazinë klasore, gjinore, racore, të gjithfarëllojshme dhe as nuk pyeti kurrkënd duke përfshirë dhe nënën e saj, kur u martua me Josh Angelos, pavarësisht se ishte i bardhë dhe grek.
Rruga e saj nisi në Sën Luis, Misuri, nga ku mori rrjedhë e gjithë historia e saj, për t’u bërë ndofta artistja më me peshë e këtij shekulli dhe prej së cilës morën shkas mijëra të tjerë për të vazhduar rrugëtimin e tyre.
Për vite të tëra, Anzhelu, e cila vdiq në vitin 2014, nuk e festoi ditëlindjen e saj – një kujtesë e dhimbshme e vdekjes së Martin Luter Kingut. Veçse, për mbi 30 vjet, ajo dhe e veja e Kingut, Coretta Scott King, do të takoheshin, telefononin ose do t’i dërgonin njëra-tjetrës lule çdo 4 prill.
“Unë jam një grua fenomenale. Gruaja fenomenale, jam unë!” – shpall me krenari në poezinë e saj të famshme “Gruaja fenomenale” poetesha. Kryelartë? Gati e vërtetë. Kjo grua ishte vërtet fenomenale dhe është vetë Mishel Obama që e riafirmon atë në vdekjen e Maja Anzhelusë në maj të vitit 2014. Pothuajse të gjithë librat janë përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë të ndryshme.
Toni Morrison, Alice Walker, Rita Dove, Louise Erdrich, Amy Tan, Sandra Cisneros… Maja Anzhelu kryeson listën e gjatë të shkrimtareve afrikano-amerikane. Ata formojnë “komunitetin e grave zezake që shkruajnë”, siç i quanin në vitet 1970-1980. Çdonjëri prej teksteve të tyre tregojnë histori të jetuara të grave zezake në Shtetet e Bashkuara, histori që i ndihmuan për t’i bërë ato të dukshme.
Por interpretimi që Maja Anzhelu i jep kësaj teorie përmes historisë së jetës së saj, është konfirmimi që të qenit grua e zezë sigurisht çon në pengesa, por që asnjë prej tyre nuk është e pakapërcyeshme. Në stilin e saj poetik, ajo ndan në secilin prej teksteve të saj duke frymëzuar vëzhgime dhe përvoja të pasura me mësime.
A nuk u shërua ajo nga përdhunimi, mutizmi, varfëria, braktisja e prindërve të saj, i dashuri i dhunshëm dhe shumë vështirësi të tjera?
UNË NGRIHEM PËRSËRI
Mund të gëzohesh se po më braktis,
Se nga dhimbja e gjitha po mpihem
Ti mendon se po më shkel me këmbë,
Por si pluhur, unë përsëri do ngrihem.
Të shqetëson kryelartësia ime?
Ç’gjë të shkaktoi, papritur mërzinë?
Se unë rri sikur kam puse me naftë,
Që burojnë aty poshtë në kuzhinë?
Njësoj si dielli, njësoj si hëna
Në baticat në harmoni
Njësoj si shpresa që çohet lart,
Unë do ngrihem përsëri.
Dëshiroje të më shihje të thyer,
Me kokë të ulur e sy me lot,
Me supe varura si lule tharë,
Grua e mjerë që një fjalë se thotë?
Mos të lëndon krenaria ime,
Mos ndoshta kujton se po lajthis,
Se qesh sikur kam miniera ari,
Atje prapa, në oborrin e shtëpisë?
Mund të më qëllosh me fjalët e tua,
Mund t’i plagosësh sytë e mi,
Mund të më vrasësh me urrejtjen tënde,
Por njësoj si era do ngrihem përsëri.
Brengosesh se jam e bukur, seksi,
Pse të kapi papritur habia?
Se unë eci sikur kam diamante
Aty ku takohen kofshët e mija?
Nga kasollet e turpit të historisë
Unë ngrihem
Nga e kaluara e hidhur, mes bukurisë
Unë ngrihem;
Jam ujvarë e lartë, e zezë freskuese,
Po fryhem e derdhem po aq tmerruese.
Duke lëne pas frikën e natës së gjatë
Unë ngrihem
Në një agim mrekullisht të qartë
Unë ngrihem
Duke bartur dhuntitë e të parëve të mi
Jam ëndërra dhe shpresa e skllaves për liri
Unë ngrihem përsëri,
Përsëri ngrihem
Ngrihem përsëri.