MENU
klinika

Premier League

Nuk ka surpriza/ Arsenal dhe United mbyllet pa fitues!

30.09.2019 - 23:23

Përfundoi pa fitues kryendeshja e javës së 7 në kampionatin anglez, mes Manchester United dhe Arsenalit, me dy skuadrat që u ndanë në barazim 1-1 në “Old Trafford”, duke u detyruar të kënaqen me nga një pikë.

Pritej shumë nga “djajtë e kuq” në këtë takim, pasi vinin pas humbjes ndaj West Hamit dhe me vetëm 8 pikë të grumbulluara në 6 javët e para, ndërsa pjesa e parë dha idenë se mund t’ia dilnin të riktheheshin te tre pikët.

Ishte pikërisht skocezi McTominay që në minutën e 45-të të takimit, shënoi një gol spektakolar me goditje nga vija e zonës së 16 metrave, ndërsa portieri gjerman i “topçinjve”, Bernd Leno pati mundësi vetëm të shikojë topin që shkoi drejt trekëndëshit të portës.

Megjithatë në pjesën e dytë ishte vetë futbollist i Manchester United, Tuanzebe, që gaboi një pasim, duke ia dhuruar të riut të Arsenalit, Saka, që shërbeu saktë për Aubameyang dhe ky i fundit nuk gaboi para De Geas, duke rikthyer baraspeshën.

Minutat në vijim ishin vërtetë të luftuara nga të dy skuadrat, teksa si Manchester United, ashtu edhe Arsenal patën mundësi të gjejnë golin e fitores, por forma e mirë e portierëve De Gea dhe Leno, bëri që ndeshja të mbyllej në barazim.

Ky ishte një tjetër rezultat zhgënjyes për Manchester United, që renditet në vendin e 10, me vetëm 9 pikë në 7 javë, ndërsa Arsenali mbetet në vendin e katërt me 12 pikë të grumbulluara, 9 më pak se Liverpooli kryesues.