MENU
klinika

Eksportet 'Made in Albania'

OBT: Shqipëria kryeson me bujqësinë dhe fasonerinë

26.09.2019 - 16:27

Bujqësia dhe fasoneria janë dy ndër sektorët që dominojnë eksportet “Made in Albania” në tregjet e huaja.

Raporti i publikuar së fundmi nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) tregon një panoramë gjithëpërfshirëse duke evidentuar produktet kryesore të eksportit shqiptar.

Sipas të dhënave nga ky raport, në total në vitin 2018, Shqipëria ka eksportuar rreth 2.9 miliardë dollarë produkte ndër të cilat dominojnë eksportet e prodhimeve nga manifaktura që zë pjesën kryesore me rreth 70%, më pas vijnë hidrokarburet dhe minierat me rreth 17% për të vazhduar me eksportet agrobujqësore që zënë rreth 12%.

Raporti evidenton se Shqipëria renditet në vendin e parë për eksportet e produkteve jobujqësore, që kapin shifrën e 227 milionë dollarëve në fund të vitit 2018.

Në vend të dytë renditen eksportet e fasonerisë, këpucët dhe artikujt e lëkurës, në vend të tretë vijnë kostumet për burra dhe në vend të katërt bluzat për burra e djem.

Raporti i OBT cilëson me peshë të rëndësishme edhe eksportin e energjisë elektrike.

Ndërsa eksporti i produkteve bujqësore, domatet e freskëta apo të shtypura, renditen në vend të parë, me rreth 38 milionë dollarë në vit.

Më pas ndjekin eksportet e perimeve të ndryshme, por me diferencë të ndjeshme nga vendi i parë në renditje.