MENU
klinika

Paniku nga tërmeti

Kryebashkiaku i Elbasanit: Jemi në gatishmëri!

23.09.2019 - 13:38

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka folur në mbledhjen e këshillit bashkiak për situatën pas tërmetit me magnitudë 5.8, që tronditi vendin dhe shkaktoi dëme të mëdha.

Kryebashkiaku Gledian Llatja ka bërë një “radioskopi” të situatës së krijuar nga lëkundjet sizmike, duke thënë se në terren ndodhen katër grupe verifikimi dhe është kërkuar riekspertimi i gjendjes së katër shkollave në zonat rurale, të cilat janë të amortizuara.

Sipas kryebashkiakut të Elbasanit, nga verifikimi rezulton se nuk ka dëmtime të ndërtesave të reja dhe as te pallatet e ndërtuara vitet e fundit.

Nën interesin e drejtpërdrejtë të kryebashkiakut, konvikti i ish-shkollës Pedagogjike në Elbasan është i gatshëm që të sistemojë të familjet, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti.

“Në dispozicion janë vënë 80 shtretër për të përballuar çdo situatë të mundshme. Gjithashtu edhe mensat dhe ambientet e tjera në këtë konvikt”, ka thënë ai.

Kryebashkiaku Llatja është interesuar direkt duke qenë vetë prezent deri në orët e vona të mbrëmjes. Sipas tij, janë marrë masa që të vihen në dispozicion të qytetarëve edhe hapësira të tjera.

“Shtabi i Emergjencave në Bashkinë e Elbasanit është në gatishmëri për t’iu përgjigjur në kohë qytetarëve për çdo situatë të mundshme ndonëse në Elbasan pasojat e tërmetit nuk kanë qenë shqetësuese. Gjithashtu qytetarëve u bëhet thirrje që të mos ndikohen nga lajme të rreme për mundësinë e rënies së tërmeteve”, ka shtuar Llatja.

Më herët, Llatja ishte në terren pranë familjeve e bizneseve për të evidentuar dëmet dhe për të marrë masat për të bërë sistemimet e duhura. Ai ka deklaruar se “Shprehim vëmendjen e gatishmërinë maksimale ndaj çdo familje e do t’ju jemi pranë për të kaluar momentet e vështira”.