MENU
klinika

Kriza politike

Paralajmërimi i Nishanit: Do ketë reagim të fuqishëm, nëse Rama…

21.09.2019 - 11:46

Platforma që po përgatit opozita e bashkuar, sipas ish-Presidentit Bujar Nishani është një mundësi që kriza politike të zgjidhet dhe palët të shkojnë në një marrëveshje.

Por sipas Nishanit, nëse kjo platformë nuk pranohet nga Edi Rama, si përgjigje do të marre protestat e fuqishme nga populli.

Gjatë një interviste televizive, ish-kreu i shtetit foli edhe për ftesën e Kryeministrit Rama drejtuar opozitës për reformën zgjedhore, gjithashtu edhe për komisionin hetimor të ngritur nga Presidentit Meta.

“Platforma e opozitës është një zgjidhje për situatën. Opozita s’ka për qëllim marrëveshje mes 2 njerëzve. Marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Platforma domosdoshmëri për të rivendosur shtetin e së drejtës. Marrëveshja duhet të mbështetet në platformën e opozitës, e cila do t’iu kthejë besimin qytetarëve. Nëse Rama s’pranon platformën, do ketë reagim të fuqishëm”, ka deklaruar Nishani.

Ai e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës të krizës politike. “Fundi politik i Ramës duhet të jetë i shpejtë”, shprehet ish-presidenti.

Ai komenton edhe ftesën e kryeministrit Edi Rama për liderët e opozitës. Sipas Nishanit, nuk ka besueshmëri e sinqeritet. Ish-presidenti tha se reforma zgjedhore është pjesë e platformës së opozitës.

Ai e quan një turp komisionin hetimor ndaj Presidentit Ilir Meta.

“Komisioni Hetimor ndaj Presidentit është i motivuar politikisht”, tha Nishani.