Festivali “Sunny Hill” i organizuar nga Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjini, elektrizoi Prishtinën në datat 2, 3 dhe 4 gusht të këtij viti.
Këngëtarë të njohur performuan për publikun, duke e kthyer festivalin në kryefjalën e mediave jo vetëm shqiptare, por edhe atyre të huaja.
Ky super event do të organizohet sërish në vitin 2020, për të tretin vit rradhazi, sërish në Kosovë.
Koncerti do të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bernicë dhe kësaj here do të marrin pjesë më shumë artistë ndërkombëtarë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i tregtisë dhe industrisë, Endrit Shala, i cili ka nënshkruar sërish një marrëveshje me Dukagjin Lipën dhe Duan.
“Sot, kam nënshkruar marrëveshje me “Sunny Hill Festival”, duke bërë realitet premtimin e dhënë muaj më parë dhe duke dëshmuar që promovimi i turizmit kulturor vazhdon të mbetet njëri ndër prioritet e mia. Përmes kësaj marrëveshje, nga sot e tutje, organizimi i festivalit më të madh rajonal dhe me bujë ndërkombëtare, do të bëhet në Qendrën e Panaireve në Bernicë.
Kjo qendër është njëra ndër investimet e Shtetit tonë, që është shfrytëzuar minimalisht deri më tani, por kjo po ndryshon. Të gjitha investimet e vendit tonë duhet të shfrytëzohen nga qytetarët për qytetarët dhe në të mirë të vendit. Ne duhet të jemi Bashkë për Shtetin tonë!”- shkruan ministri në postimin e tij në Facebook.
Gjithashtu, ai ka ndarë me ndjekësit disa foto gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, ku shfaqet krah Dua Lipës dhe babait të saj.