Kryeministri Edi Rama ka folur për Reformën në Drejtësi në Asamblenë E Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kreu i qeverisë tha se kjo reformë është proces i një pastrimi madhor, pasi largoi nga sistemi gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.
Rama deklaroi në OKB se për dekada me radhë korrupsioni në gjyqësor jo vetëm ndaloi bërjen e drejtësisë, por u shndërrua në pengesë. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, sistemi i ri i drejtësisë, që po formësohet ngadalë edhe me ngritjen e institucioneve të reja, do ta ulë në mënyrë të konsiderueshme korrupsionin, duke i hapur rrugë shtetit të së drejtës.
“Reforma e pa shembull në drejtësi, procesi i një pastrimi madhor, duke hequr gjyqtarë dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi, si dhe procesi i ngritjes së institucioneve të reja. Korrupsioni në gjyqësor për dekada jo vetëm ndaloi bërjen e drejtësisë, por u shndërrua në pengesë.
Do ta bëjmë drejtësinë normën e ekzistencës sonë të përditshme. Sistemi i ri i drejtësisë formësohet ngadalë. Ne shpresojmë që ai do ulë në mënyrë të konsiderueshme korrupsionin, dhe do triumfojë shteti i të drejtës”, tha Rama.