MENU
klinika

"Një histori dashurie"

Perandori Montezuma ishte kaq i apasionuar pas saj!

13.09.2019 - 14:16

      Është “aleatja” jonë me besnike dhe e pandarë: sot ka ditën e saj! Edhe pse, në vende të ndryshme ka data të ndryshme, 13 shtatori është Dita Ndërkombëtare e çokollatave. Le të zbulojmë më tepër, sesi erdhi kjo ëmbëlsirë deri në ditët tona.

Çokollata është një produkt ushqimor industrial, me bazë kakaon. Përdoret për ushqim në formë të pastër dhe si gjysmëprodukt në industri dhe kuzhinë. Fjala “çokollatë” rrjedh nga pija e parë me përmbajtje të saj “Xocóatl” (Xócoc: ëmbël; atl: ujë; d.m.th: “ujë i ëmbël”), që prodhohej nga astekët. Kjo pije, si filli ka qenë ujë i përzier me kakao, vanilie dhe beber Cajen.

Bima Theobroma Cacao (emri shkencor i kakaos) u klasifikua nga Lineu, duke patur parasysh emrin dhe përdorimin e tij në qytetërimet që e përdornin në atë kohë.

 

 

Historia e kakaos dhe çokollatës:

Bima e kakaos ka origjinë antike dhe sipas disa studimeve botanike mendohet të ketë qenë e pranishme mbi 6 000 vjet më parë, në lumenjtë Amazona dhe Orinoko. Bujqit e parë që filluan ta kultivonin bimën e kakos ishin ata të fisit Maja, rreth vitit 1 000 p.e.s. Tokat që shtrihen mes gadishullit Jukatan, Ciapasit dhe bregut paqësor të Guatemalës, ishin të parët që panë fillimin e historisë së kakaos dhe bashkë me të, të çokollatës.

Më vonë, majatë dhe astekët filluan kultivimin e kakaos, për të prodhuar më pas çokollatat.

Përveç përdorimit liturgjik e ceremonial, në Amerikë çokollata ishte një pije e quajtur ksokoatl, shpesh e aromatizuar me vanilje, spec djegës e piper. Kjo pije përftohej e ftohtë ose e nxehtë duke i shtuar ujë ose përbërës të tjerë, si mielli e mineralet. Një tjetër mënyrë prëgatitjeje, ishte duke i shtuar çokollatës miell misri dhe mjaltë.

Karakteristika e saj parësore ishte shkuma, që në antikitet përftohej duke e kaluar disa herë nga një enë në tjetrën.

Pas pushtimit spanjoll, filloi të përdorej “dybeku” (molinilo), që lëvizej poshtë-lart dhe kështu arrihej më shpejt shkuma aq e dëshiruar.

Nuk mund të mos vihet re koincidenca e mënyrës së pregatitjes të pijes së kakaos me traditën afrikane të pregatitjes së çajit (tre cikle të njëpasnjëshëm pregatitje, çdonjëri prej të cilëve përftohet nga zierja e gjetheve të çajit, përzierja e përsëritur deri në arritjen e shkumës).

 

 

 

 

 

 

Ksokoatl-i kishte si efekt lehtësimin e ndjesisë së lodhjes, gjë që lidhej me teobrominën që përmbante. Ai ishte një artikull luksi në gjithë Amerikën qëndrore prekolumbiane; farat e kakaos përdoreshin si monedhë dhe si njësi matëse: në thesarin e perandorit Motekuhzoma (më i njohur si Montezuma), gjendeshin thuajse një miliard të tilla. Thuhet se, ksokoatl-i kishte një shije të shkëlqyer.

Hoze de Akosta, një misionar jezuit spanjoll që jetoi në Peru dhe më pas në Meksikë, në fundin e shek.XVI, shkruante: Jo e shijshme për ata që nuk e njohin, më një shkumë në sipërfaqe që nuk ka aspak shije të mirë. Gjithsesi, është një pije shumë e vlerësuar nga indianët, të cilët e përdorin për të nderuar fisnikët që përshkojnë vendin e tyre.

Spanjollët, si burrat dhe gratë, të cilët janë mësuar me vendin, janë shumë xhelozë për këtë çokollatë. Thonë se përgatisin shumë lloje, të ngrohta, të ftohta, të vakta dhe se i fusin shumë erëza; bëjnë me të dhe një brume, që sipas tyre, është i mirë për stomakun.

Vetëm në vitin 1502, kakaoja u njoh nga qytetërimi evropian: Kristofor Kolombi gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë, zbarkoi në Honduras, ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje; në kthim morri me vete disa fara kakaoje për t’ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit. Vetëm Hernando de Soto, arriti ta sillte kakaon masivisht në Evropë, ishte viti 1519.

Ai arriti në Amerikë nga Spanja. Perandori Montezuma e priti krahëhapur dhe i ofroi një plantacion të tërë me kakao.

Ngarkesa e parë e dokumentuar e çokollatës drejt Evropës me qëllim tregtar, udhëtoi mbi një anije nga Verakruzi në Sevilje, në vitin 1585. Çokollata shërbehej gjithmonë si pije, por evropianët dhe sidomos urdhrat murgjërore spanjolle, që kishin një përvojë të gjatë me mishelat, i shtuan vaniljen dhe sheqerin për t’i hequr shijen e hidhur dhe ia hoqën piperin dhe specin djegës.

Gjatë gjithë viteve 500, çokollata mbeti një ekskluzivitet i Spanjës, e cila ia zgjeroi kultivimin. Vetëm në vitet 600, nëpërmjet Toskanës, kakao arriti në Itali me anë të tregtarit fiorentinas Antonio Carletti dhe në 1615 në gjithë Evropën. Gjurmët e lidhjes së vjetër të Firences me çokollatën gjenden në disa libra të Biblotekës Kombëtare Qëndrore të Firences, ku gjenden dëshmi të shumta të shkruara duke filluar nga viti 1600 me një debat mbi çokollatën dhe konsumin e saj.

 

 

 

 

 

 

Gjithmonë në Firence, nga viti 1680 gjenden gjurmë të shkruara mbi temën e çokollatës. Në 1680 botohet “Ndryshimet mes ushqimit dhe çokollatës…”, që e ndjekin në 1728: “Mendime rreth përdorimit të çokollatës”, “Letër ku ekzaminohen arsyetimet e autorit të mendimeve të para, rreth përdorimit të çokollatës”, “

Në shek. XVII u kthye në një luks mes fisnikëve të Evropës dhe hollandezët, lundrues të zotët, ia morën Spanjës kontrollin botëror. Në Venecian e viteve 700, lindnin dyqanet e para të kafesë, paraardhësit e bareve të sotëm; ato ishin sigurisht dhe dyqane çokollatash, ndaj ishin në garë për të ndryshuar recetat ekzistuese duke shpikur të reja. Në vitin 1790 “Gazeta Veneciane” dokumentoi përhapjen e produktit.

Deri në fund të shek. XVIII çokollata konsiderohej si shëruese ndaj gjithçkaje dhe mendohej me veti mrekullibërese. Brazili, Martinika dhe Filipinet e rritën kultivimin e kakaos; në të njëjtën kohë shumë qytete evropiane u shquan për përpunimin e çokollatës; një shembull ishte Torino, që kishte një prodhim prej 350 kg në ditë, pjesa me e madhe eksportohej në Austri, Zvicër, Gjermani dhe Francë, ku pak nga pak, pregatitja e pijeve të çokollatës u kthye në pasion.

Në fund të shek. XVIII, çokollata e parë e ngurtë, siç e njohim sot, u shpik në Torino nga Doret-i. Në 1802 Bozzelli, shpiku një makineri për ta rafinuar brumin e kakaos e për ta përzier me sheqer e vanilje. Duhet të vinte viti 1820, që sistemi të vihej në punë dhe kubi i parë prej çokollate u prodhua në Angli.

 

 

 

 

 

 

Në vitin 1826, Pierre Paul Caffarel filloi prodhimin e çokollatës në sasi të mëdha falë një makinerie të re, e cila mund të prodhonte mbi 300 kg çokollatë në ditë. Në 1828 hollandezi Conrad J. van Houten, e shpejtoi metodën e nxjerrjes së yndyrës nga farat e kakaos, duke i transformua në kakao pluhur dhe gjalp kakaoje. Zhvilloi gjithashtu të ashtuquajturin “proces hollandez”, i cili konsiston në trajtimin e kakaos me alkale për t’i hequr shijen e hidhur. Këto trajtime bënë të mundur prodhimin e çokollatës si ajo e sotmja.

Çokollata e parë me përmasa më të mëdha se ajo e Doretit, u prodhua në 1847 nga Joseph Fry. Në 1852-shin në Torino Michele Prochet filloi të përziente kakaon me lajthi të shtypura e të pjekura, duke krijuar brumin “Gianduia”. Daniel Peter, një fabrikant zviceran qirinjsh, u bashkua me të vjehrrin për të prodhuar çokollata. Në 1867 filluan të përzienin edhe qumështin si përbërës dhe nxorën në treg çokollatën me qumësht, në vitin 1875.

Për të larguar ujin nga qumështi, në mënyrë që çokollata të ruhej me gjatë, u ndihmua nga një fqinj, fabrikant i ushqimit për fëmijë, me emrin Henri Nestlè. Rudolph Lindt, shpiku procesin e quajtur “conching”, i cili konsiston në mbajtjen për një kohë të gjatë të çokollatës së shkrirë, për ta bërë masën homogjene. Në 1946, Pietro Ferrero shpiku një krem me çokollatë dhe lajthi, me qëllim për t’i shitur disa kile pastiçierëve: produkti pati një sukses shumë më të madh nga ç’pritej edhe disa vjet më vonë, në vitin 1964.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen