MENU
klinika

Zbulohen dokumentet e Sigurimit

Përndjekja komuniste ndaj çamëve

17.09.2019 - 08:51

Të pushkatuar, të burgosur, të internuar, pasuri të konfiskuara… Janë mijëra faqe dokumente që dëshmojnë persekutimin e elementit antikomunist në zonën e Konispolit.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Bashkinë Konispol, ka hapur një ekspozitë me materiale arkivore të dhjetëra dosjeve të përndjekjes nga ana e Sigurimit të Shtetit, në jugun e vendit.

Shumë prej këtyre dokumenteve ekspozohen për herë të parë. Bëhet fjalë për tema të nxehta, personazhe të shumëlakuar, historitë e të cilëve ende nuk janë zbardhur deri në fund.

Flitet për emra si Teme Sejko, Tahir Demi, Rexhep Plaku e dhjetëra të tjerë, për të cilët numërohen disa mijëra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë të tyre dhe më gjerë.

Mësohet se për të ngritur këtë ekspozitë, e cila përfshihet në aktivitetet e “Javës Çame”, AIDSSH-ja e ka përqendruar kërkimin mbi viktimat e zonës gjatë viteve 1946- 1973, në dokumente dhe mikrofilma. Mbi bazën e tyre janë verifikuar të dhëna mbi akuzat, vitin e arrestimit, vitin e dënimit dhe formën e dënimit.

Në total janë verifikuar 40 dosje të natyrës formulare, hetimore-gjyqësore dhe bashkëpunëtori, për 46 viktima të evidentuara. Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar. Veç dosjeve të deklasifikuara, dokumenteve dhe fotove arkivore që shfaqen për herë të parë, bashkëpunimi me Arkivin Qendror Shtetëror mundëson korrespondencën e një pjese të të dënuarve me Komitetin Qendror të PPSH-së, ku hidhet dritë në aspektet që çuan në dënimin e tyre.

Po ashtu, “letra të popullit” në mbështetje të dënimit të grupit të Teme Sejkos.

Sipas Altin Hoxhës, anëtar i Autoritetit, “Janë qindra dosje, disa dhjetëramijëra dokumente, qindra mikrofilma, që pasqyrojnë intrigat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe gjithë makinerisë totalitare që regjimi komunist ndërmori ndaj më shumë se 150 personave dhe familjarëve të tyre në zonën e Konispolit, ndaj të ashtuquajturit “grupi armiqësor çam”.

Janë këto dokumente që evidentojnë viktimat, të ekzekutuarit, torturat në burgjet komuniste, mbi 1500 vite burg dhe dhjetëra familje të internuara.

Përmes materialeve të ekspozuara në ambientet e AIDSSH-së dhe që do të jenë të hapura për publikun deri në datën 22 qershor, tregohet se si goditja e elementit me kontribute antifashiste në jug të vendit nisi që në vitin 1946, me dënimin e Rexhep Plakut, themelues i batalionit “Çamëria” dhe vijoi në mënyrë të përshkallëzuar me dënimin e admiral Teme Sejkos dhe “grupit të tij” në 1961, që legjitimoi prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.

Deri në vitin 1973, terrori u shtri në dhjetëra emra e familjet e tyre, duke e shënjuar për disa breza fatin e një bashkësie të tërë.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen