Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka reaguar pas vendimit të Bundestagut gjerman për t’i hapur dritën jeshile Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Përmes një mesazhi në “Facebook”, Kryemadhi shkruan se “Gjermania ka mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme interesat e Shqipërisë dhe ka mbështetur aspiratën evropiane të popullit tonë.
Kjo pasqyrohet qartë në vullnetin pozitiv të shprehur në votimin e djeshëm. Maqedonia e Veriut shkon e sigurtë drejt bisedimeve për anëtarësim, ndërsa Shqipëria vendoset përballë sfidave që e kanë stërmunduar prej vitit 2016, kur u mor edhe rekomandimi i parë pozitiv”.
Reagimi i Kryemadhit:
Bundestagu gjerman miratoi ditën e djeshme rezolutën për Shqipërinë. Një rezolutë që jep një pamje të qartë të realitetit shqiptar, krizën në të cilën po kalon vendi si dhe nevojën emergjente që Shqipëria ka për të zgjidhur disa çështje që janë thelbësisht prioritare.
Gjermania ka mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme interesat e Shqipërisë dhe ka mbështetur aspiratën evropiane të popullit tonë. Kjo pasqyrohet qartë në vullnetin pozitiv të shprehur në votimin e djeshëm. Maqedonia e Veriut shkon e sigurtë drejt bisedimeve për anëtarësim, ndërsa Shqipëria vendoset përballë sfidave që e kanë stërmunduar prej vitit 2016, kur u mor edhe rekomandimi i parë pozitiv.
Nëntë kushtet e vendosura nga Bundestagu për hapjen e negociatave janë një semafor i kuq për Edi Ramën, pasi flasin qartë për kapjen e Sistemit të Drejtësisë, për krizën kushtetuese dhe institucionale, pandëshkueshmërinë e blerjes së votës dhe intimidimin e votuesve, si dhe paligjshmërinë e procesit të votimeve të 30 qershorit, ku Edi Rama vendosi ta kthejë Shqipërinë në një sistem monopartiak, duke synuar zhdukjen e pluralizmit politik!
Sot nuk është momenti i dekoratave si ato të 2018-ës, as për shampanjë apo euforizëm politik. Tani është koha ku gjithsecili nga ne duhet të marrë përgjegjësi përballë sfidave reale të vendit dhe përballë qytetarëve. Nëse duam vërtet që negociatat të çelen vitin që vjen, atëherë duhet të ndalim një herë e mirë propagandën politike dhe t’i japim qytetarëve shansin për një Shqipëri evropiane. Vullneti i mire i Gjermanisë për negociatat nuk do të thotë çelje e tyre e menjëhershme, por do të thotë shans që shqiptarët të ndërtojnë shtetin e së drejtës dhe Shqipëria të plotësojë minimumin e standardeve demokratike, në mënyrë që të jetë e denjë për të hapur negociatat me BE.
Shqipëria evropiane është detyrimi ynë ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Me përgjegjshmërinë, që duhet të kemi para tyre, kam shprehur prej kohësh bindjen e LSI-së për institucionalizimit e dialogut mes forcave politike në vend. Jo dialog për interesa individësh dhe karrigesh të pushtetit, por dialog transparent për qytetarët, gjithëpërfshirës e të sinqertë në shërbim të shqiptarëve dhe që lehtëson hallet që rëndojnë mbi ta. Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë të jenë pjesë e Evropës së Bashkuar.