Real Madrid vazhdon kërkimet për një mesfushor. Paul Pogba, Christian Eriksen dhe Donny van de Beek kanë qenë objektivat e madrilenëve gjatë verës, por tani duket se një yll tjetër ka fituar terren.
Ai është Kai Havertz, talenti 20-vjeçar i Bayer Leverkusen, i cili mund të kërkojë të largohet në janar nëse “Aspirinat” do të eliminoheshin në fazën e grupeve të Champions League, të cilën e kanë nisur me një humbje zhgënjyese në shtëpi kundër Lokomotiv Moscow.
Një rezultat ky që e bën më të vështirë arritjen e objektivit nga ana e gjermanëve, duke parë se ata janë në të njëjtin grup me Atletico Madrid dhe Juventus. Gjithashtu, një transferim në Madrid do t’i rriste shanset e tij për të siguruar një vend në formacionin titullar të Gjermanisë në Euro 2020.
Madrilenët do të duhet të shpenzonin rreth 100 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij. Për shkak të fuqisë, shpejtësisë, aftësisë për të luajtur me të dy këmbët dhe vizionit të lojës, Havertz konsiderohet si pasardhësi i Michael Ballack.
Sezonin e kaluar, ai ka shënuar 20 gola dhe ka dhënë 7 asiste në 42 ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet me Leverkusen-in. Edhe sezoni aktual ka nisur mirë për mesfushorin, i cili ka shënuar 2 gola në gjashtë ndeshjet e luajtura deri tani.
Problemi kryesor për Real Madrid është se duhet të mposhtë konkurrencën e Bayern Munich, Borussia Dortmund, Chelsea, Liverpool, Manchester United dhe Paris Saint-Germain, gjithashtu të interesuara për 20-vjeçarin.