Kampioni në fuqi i Italisë, Juventusi ndalet në javën e tretë të kampionatit, teksa nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola përballë Fiorentinës në “Artemio Franchi”, ku vendasit ia dolën të marrin pikën e parë sezonale, pas dy humbjeve në javët e para.
Pavarësisht rezultatit pa gola, pasditen e sotme u zhvillua një sfidë vërtetë spektakolare në Firence, e karakterizuar edhe nga një rivalitet mjaft i ashpër mes tifozërive të dy klubeve, ndërsa në fund ishin vendasit që festuan.
Kjo pasi Fiorentina e Vincenzo Montellës bëri një sfidë vërtetë spektakolare, duke krijuar disa raste të rrezikshme për gol dhe duke treguar një grintë të jashtëzakonshme, teksa Franck Riberi la në hije Cristiano Ronaldon, për plot 67 minuta.
Francezi ishte një frymëzim i vërtetë për skuadrën vjollcë, pasi përveçse merrte pjesë në çdo aksion të skuadrës, fitoi të gjitha dyluftimet një kundër një dhe për më tepër, u pa të zbresë shpesh deri në kufijtë e zonës, për të rikuperuar topat e humbur nga shokët e tij të skuadrës.
Nga ana tjetër, përveç dy pikëve, bardhezinjtë humbën edhe 3 futbollistë nga transferta në Firence, pasi fillimisht Douglas Costa e Pjanic në pjesën e parë dhe më pas Danilo në të dytën, u dëmtuan dhe kërkuan zëvendësim të detyruar.