MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Rrëfimi i rrallë i Ramiz Alisë/ Enver Hoxha dhe hebrenjtë: Ja si…

06.09.2019 - 18:04

Senatori amerikan Xhon Mekkein, kandidat dhe njëherë tjetër për president i SHBA-ve, zbulon në një rezolutë vlerësimi për rolin e shqiptarëve në mbrojtje të komunitetit hebre episodin e rrallë. Ramiz Alia u kishte dhënë disa senatorëve amerikanë në 1990 një dosje me aktet e pashembullta të shqiptarëve në ndihmë të çifutëve.

Enver Hoxha, komunistët, kombi shqiptar & hebrenjtë

Flet Ramiz Alia, ish president i Shqipërisë për marrëdhëniet tona me një nga komunitetet më të fuqishme në botë, atë hebre. Pse i ndihmuam ndryshe nga grekët dhe bullgarët; pse Enver Hoxha ishte kundër Izraelit, por nuk i përndoqi hebrenjtë gjatë diktaturës? Ishte toleranca fetare dhe solidariteti njerëzor-thotë ish presidenti. Debati Qose- Kadare? Absurd, kombi ka probleme më të mëdha, -thotë Alia.

Papritmas në një rezolutë të senatit amerikan që u lexua nga një nga politikanët më popullorë,sërish kandidat potencial për president i SHBA-ve, si Xhon Mekkein vlerësohet mbështetja e Shqipërisë për bashkësinë hebreje gjatë luftës së dytë botërore. Ngjarje e jashtëzakonshme për imazhin e kombit, e që kaloi me një farë indiference në hapësirën shqiptare. Mbrapa saj qëndron Xhozef Dioguardi, një nga lobistët më të mëdhenj për kauzën shqiptare, ish kongresmen i cili me shumë mprehtësi dhe më parë ka ditur të vendosë pika kontakti midis shqiptarëve dhe lobit çifut në SHBA. Vitin që shkoi, Dioguardi organizoi udhëtimin atje të krerëve të komuniteteve fetare të Kosovës dhe takimin e tyre me lobin çifut në SHBA. Një inisiativë e jashtëzakonshme gjithashtu.

Një angazhim i tillë nuk e zvogëlon rëndësinë e rezolutës në të cilën përmendet dhe vetë Dioguardi, që ka vizituar Shqipërinë pikërisht në 1990. Prej dokumentit, i cili në fakt ndryshe nga përfytyrimi ynë nuk është një dokument që votohet, por një dokument që lexohet, që tërheq vëmendjen siç duket dhe në tekstin që boton ABC në një forum si Senati apo në përgjithësi në forume vendimmarrëse, del një fakt i ri. Gjatë vizitës së Dioguardit në Shqipëri asokohe, bashkë me kongresmenin tjetër Tom Lantosh, me origjinë çifute, Ramiz Alia u kishte dhënë një dosje me materiale për aktet e mbështetjes së shqiptarëve për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një ide thellësisht pragmatike e Alisë për mbijetesën e vet politike- afrimi me lobin çifut për pasojë me SHBA-të, ashtu si dhe një operacion i shkëlqyer imazhi për Shqipërinë, efektet e të cilit vazhdojnë dhe sot? Pikërisht për të zbuluar këtë episod, por dhe për të ndriçuar raportin e diktaturës komuniste me këtë komunitet, me shtetin e tyre, angazhimin e Shqipërisë në trajnimet e ekipeve palestineze dhe me armë,ABC ju drejtua ish presidentit Ramiz Alia. Në bisedë e sipër Alia nuk i shpëton dot tërheqjes për t’u përfshirë dhe ai në polemikën mbi identitetin kombëtar të shqiptarëve. “një debat absurd” thotë në baralargësi nga debutuesit ish presidenti i fundit komunist i cili vazhdon si zakonisht të lexojë në internet shtypin e ditës, krejt krejt ndryshe nga brezi i tij. “Nuk blej më asnjë gazetë,-thotë Alia i mirëmbajtur, ku koha arrin me vështirësi të lere gjurmë, megjithëse është diku tek 80 vjetët.

*Nga Mentor Nazarko

Si e gjykoni ju miratimin e një rezolute të propozuar nga senatorë të rëndësishëm si Xhon Mekkein dhe Shumer që vlerësonte kontributin e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve?

Fakti që Senati amerikan miratoi një rezolutë të tillë, unë gjykoj se është një vlerësim që Senati amerikan i bën popullit shqiptar, sepse vë në dukje një veti, që i bën nder Shqipërisë. Dhe kjo edhe nga pikëpamja politike për Shqipërinë e sotme: unë mendoj se të thotë një fjalë të mirë Amerika për Shqipërinë, është një gjë veçanërisht pozitive për popullin shqiptar.

Në këtë rezolutë në përmendjen e fakte që vërtetojnë kontributin ose sjelljen e shqiptarëve  ndaj hebrenjve, përmendet dhe një fakt që lidhet me ju. Gjatë një  vizite që kanë patur dy senatorë amerikanë, përkatësisht Tom Lantos dhe Jozef DioGuardi, në Shqipëri më 1990 ju i keni dhënë një dosje me materiale që e vërtetojnë këtë kontribut. A mund ta kujtoni ju këtë si ngjarje?

 Po. Më kujtohet takimi që kam pasur me  dy senatorët amerikanë, ka qenë qershor i vitit 1990, kur erdhën në Shqipëri, dy senatorët, Tom Lantosh dhe DioGuardi, unë i kam pritur që të dy dhe kam biseduar gjerë e gjatë për zhvillimet e Shqipërisë në atë kohë. Dhe natyrisht, ne folëm dhe për të kaluarën e Shqipërisë- rrugën në të cilën gjendej ajo atëherë, nuk është nevoja të filloj dhe t’u them tani e cila ishte situata në Shqipëri në atë kohë. Por në atë kohë  mund të them një gjë të sigurt, se ne kishim filluar një hapje drejt vendeve të tjera.

Ju nuk i kishit vendosur ende marrëdhëniet diplomatike me Amerikën, apo jo?

Jo, marrëdhëniet diplomatike me Amerikën nuk ishin vendosur ende, por bisedimet ishin bërë dhe formalisht ishin përfunduar të zgjidhuri të gjithë problemet apokapërcyer pengesat, nuk kishte ndonjë gjë, vetëm kishte mbetur për t’u firmosur marrëveshja me amerikanët. Por di që ne atëherë po hidhnim hapat drejt hapjes me Evropën, drejt botës së perëndimit, prandaj ardhja e Lantos dhe DioGuardit ishte në interesin tonë. Që të sqaronim pozitat tona me këta dy senatorë dhe midis të tjerave, në bisedë e sipër me ta unë fola, natyrisht, për historikun e popullit shqiptar, dhe vura në dukje dy momente thelbësore, e para, luftën antifashiste të popullit shqiptar dhe, e dyta, çështjen e tolerancës fetare të shqiptarëve. Dhe lidhur me këtë trajtova dhe problemin e hebrenjve në Shqipëri, pasiqë në vendin tonë asnjë hebre nuk u kap dhe nuk u vra nga gjermanët. Sepse hebrenjtë, qofshin ata që banonin në Shqipëri më parë, qofshin ata që erdhën më pas, -sepse erdhën më vonë shumë hebrenj nga Jugosllavia, pas vitit 1941-, asnjë nuk u dorëzua tek gjermanët. Por populli shqiptar, fshatarët shqiptarë i morën, një pjesë, bile, u futën në repartet partizane dhe mua më kujtohet që në brigadën tonë, në Brigadën e VII ka patur dhe dy a tre hebrenj, të cilët luftuan bashkë me ne deri në fund.

Por edhe administrata e kohës, administrata kuislinge, po e quajmë, edhe ajo ka treguar gjeste të vullnetit të mirë. Të paktën sipas historianit Shaban Sinani, ka marrëveshje, ka fakte për këtë, që tregojnë se në fund të fundit, kjo ishte një cilësi kombëtare. Pra nuk ishte vetëm e fshatarëve, e popullit të thjeshtë, apo jo?

Unë nuk di konkretisht se çfarë është bërë nga autoritetet shqiptare të kohës, por sigurisht autoritetet e kohës mund të ishin në dijeni, të paktën të atyre hebrenjve që banonin më parë në Shqipëri, dhe nuk janë denoncuar.

Dhe Ahmet Zogu ka shfaqje të tilla apo jo?

 Nuk e di për kohën e Zogut, është folur, bile deri atje sa është shkruar për ardhjen e Ajnshtajnit. Nuk e di në janë të sakta apo jo hipoteza të tilla.

Ju e keni jetuar periudhën e luftës. A ka patur në jetën tuaj pika kontakti, me hebrenjtë; le të themi të lagjes në Tiranë?

Unë nuk kam patur kontakt sepse në Tiranë, nuk mbaj mend që të ketë patur hebrenj. Mbaj mend se ka qenë vetëm një doktor Kalmari,  nuk e di nëse ka qenë apo jo hebre, të tjerë nuk di. Më vonë kam marr vesh që ka patur në Vlorë, ka patur në Gjirokastër hebrenj, që kanë banuar, kanë qenë banues, të cilët gjatë luftës janë fshehur, janë ruajtur nga populli dhe nuk u dorëzuan asnjëherë te gjermanët.

Cili ka qenë qëndrimi, pasi ju keni qenë drejtues i shtetit komunist për një kohë të gjatë, i këtij shteti ndaj hebrenjve? Ka patur ndonjë sjellje të veçantë, diferencuese, dyshuese ndaj tyre?

Mua më duket se problemi duhet të ndahet mirë, qartë. Qëndrimi ndaj hebrenjve është pak a shumë ai qëndrim që unë thashë përpara. Domethënë, ne si popull, flas si klasë politike e jona, ka qenë zemërhapur dhe në mbrojtjeje të tyre.

Kjo është gjatë luftës…

Gjatë luftës dhe në përgjithësi ndaj këtyre njerëzve, ne asnjëherë nuk…

Nuk janë parë me dyshim këta nga komunistët?

Asnjëherë populli shqiptar, hebrenjtë si hebrenj nuk i ka parë me dyshim si njerëz që ta bëjnë të keqen, etj. Tjetër problem është çështja  e Izraelit si shtet, është një problem tjetër, për shembull, në marrëdhëniet midis Izraelit dhe Palestinës, apo qëndrimet e njërës apo tjetrës palë. Në këtë drejtim politika shqiptare njihet, flas për politikën e kohës së mëparshme, se ka mbështetur Palestinën dhe palestinezët, ndaj të cilëve Izraeli ka bërë disa padrejtësi, sipas mendimit tonë. Unë mendoj që edhe sot e kësaj dite Izraeli bën disa padrejtësi ndaj palestinezëve, që nga ana e tyre gjithashtu, me metodat e luftës që përdorin për lirinë dhe pavarësinë e tyre, bëjnë disa veprime të padrejta, bile, të tipit terrorist ndonjëherë kundër Izraelit. Është një kapitull që ka të bëjë me politikën e shtetit me shtetin, dhe jo me hebrenjtë.

Ju doni të thoni që gjatë kohës së diktaturës nuk ka pasur qëndrim diferencues, dyshues, ndaj hebrenjve, nuk ka patur pengesë të tyre në karrierë, për shembull, për shkak të biografisë së tyre?

Jo nuk ka patur, jo vetëm kaq, por unë do të tregoj diçka konkrete. Kam njohur dy hebrenj me kombësi hebre në Shqipëri, njëri ishte shefi i personelit në Ministrinë e Mbrojtjes deri në vitin 1990, tjetri ishte shefi i tregtisë në Shkodër, ka qenë dhe në Tiranë. Dhe tani nuk më kujtohen emrat konkretisht, por di shumë mirë që të dy këta pas vitit 1990 janë kthyer në Izrael  dhe tani janë atje. Por dua të them që shteti ynë nuk kishte asnjë paragjykim se ishin hebrenj ;njeri drejtonte gjithë personelin, kuadrin në atë kohë, kur bëmë politikën e kuadrit në Ministrinë  e Mbrojtjes ose ky tjetri drejtonte tregtinë.

Pra nuk kishte sjellje të veçantë ndaj tyre? Pyetja ime lidhet me një realitet konkret: disa regjime komuniste, midis tyre edhe ai i Stalinit, për shembull, janë konsideruar dhe si regjime anti-semite. A mund të thuhet që diktatura e Enver Hoxhës ishte anti-semite?

Jo në asnjë mënyrë, nuk mund të thuhet që sistemi jonë ka qenë një sistem anti-semit, kurrën e kurrës. Asnjë rast nuk kemi ne që të jetë politikë ant-semite, kurrën e kurrës, regjimi jonë kundër hebrenjve.

Por ka fakte që Shqipëria ka patur, ka strehuar këtu grupe palestineze, madje, janë hedhur dhe supozime që janë përgatitur edhe ushtarakisht. Kjo domethënë nuk është provë e politikës anti-semite?

Jo, ajo nuk është provë, asnjë provë për mua nuk përbën, asnjë provë, unë e thashë kupton, tjetër problem është shteti i Izraelit, tjetër janë hebrenjtë; tjetër problem është shteti palestinez, tjetër janë arabët.

Me një fjalë nuk ka patur grupe të përgatitur, grupe ushtarake kundër hebrenjve?

 Jo, jo kundër hebrenjve nuk është bërë gjë asnjëherë. Nuk janë përgatitur grupe ushtarake kundër tyre, asnjëherë.

Ju përmendet si cilësi të shqiptarëve tolerancën  fetare, dhe këtë ju e “shitët”  dhe në këtë takim të rëndësishëm ndërkombëtar për ju si ai i 1991, koha kur ju po bënit politikë të jashtme, reale. Si e gjykoni këtë cilësi? Në bisedat që bëmë më parë ju u referuat dhe autorëve të huaj, a mund ta trajtoni këtë temë?

Ç’doni të thoni me fjalën e “shitët”?

Në pikëpamjen e marketingut politik, në këtë pikëpamje dua të them. Ju i ofruat një cilësi tw rrallw atyre dhe në kohën kur Shqipëria po hapej me botën do duhej të tregonte disa cilësi pozitive si komb apo jo ?

Por jo unë nuk e them se nuk ju kuptova ju, por sepse nuk jam dakord me shprehjen e marketingut politik, sepse nuk është marketing politik. Çështja e tolerancës fetare të shqiptarëve apo dhe çështja e antifashizmit që ka qenë një nocion i rëndësishëm, unë mendoj se këto dy momente janë me shumë rëndësi për popullin shqiptar, për historinë  e tij për të kaluarën dhe të tashmen e tij. Këto dy momente në duhet t’i ruajmë si të shenjta.

E qartë. Por antifashizmi, të paktën në këtë kohë, nuk është rrezik aktual. Unë po flas për tolerancën fetare që kërcënohet, që vihet në diskutim. ..

E vërtetë është se nuk është problem aktual, por rrezik është ta shuash, ta mohosh, ta heqësh nga defteri! Nuk duhet! E tërë bota mban në piedestal ndërsa ne kemi filluar ta hedhim nën këmbë. Për sa i përket tolerancës fetare, ky është një problem që e kanë konstatuar të tërë dhe në rezolutën amerikane, për të cilën po flasim. Ish-ambasadori amerikan  Bernshtain në vitin 1934, e thekson se Shqipëria është një nga vendet e rralla në Evropë, ku nuk  ekzistojnë paragjykimet fetare, edhe pse vet shqiptarë janë të ndarë në tre besime fetare. Këtë e ka thënë dhe Bajroni:ai shkruan që shqiptarët më parë thonë se janë shqiptarë, dhe nuk thonë asnjëherë se jam mysliman, katolik apo ortodoks.

Në një fare mënyre hymë tek tema e ashtuquajtur e identitetit të shqiptarëve, një temë e cila po diskutohet, rreth të cilës ka pasur polemikë të nivelit të lartë, një polemikë që ka pasur elementet e vet negativë dhe pozitivë. Cila është pikëpamja juaj lidhur me çështjen e identitetit?

Unë nuk diskutoj për tema të tilla që më duken një absurditet. Dhe se dy personalitete të mëdha merren me gjëra të tilla absurde.

Është absurditet sepse identiteti shqiptar është i përcaktuar, është absurditet sepse stili që përdoret prej këtyre të mëdhenjve është absurd, për çfarë është absurditet?

Është absurditet sepse Shqipëria ka probleme të tjera shumë e shumë më të mëdha, Kosova ka probleme shumë e shumë më të mëdha, shqiptarët e Maqedonisë kanë probleme shumë herë më të mëdha sesa të diskutojmë në mënyrë të tillë boshe. Qoftë nga njeri, qoftë dhe nga tjetri, cilido qoftë ky njeri.

Megjithatë në këtë kuadër, të çështjes së Kosovës, prapë serbët janë duke luajtur me përkatësinë myslimane të një pjese të shqiptarëve, kështu që kjo është e rëndësishme?

Jo e keni gabim, serbët nuk luajnë me çështjen myslimane, ata luajnë me çështjen shqiptare, serbët nuk duan që shqiptarët të fitojnë pavarësinë. Që Kosova  të jetë e pavarur, nuk thonë se nuk janë dakord me myslimanët shqiptarë! Pse me kosovarët katolikë janë dakord serbët, pse për ortodoksit që ka Kosova është dakord Serbia?! Jo, Serbia nuk është dakord me shqiptarët, nuk është dakord me pavarësinë e Kosovës, prandaj lufta jonë duhet për atëqë Kosova duhet të jetë e tërë e lirë dhe e pavarur, të fitojë pavarësinë e vet. Ky është problem themelor i yni, prandaj diskutimet e tjera mua më duken se janë boshe.

Në këtë rezolutë që folëm më sipër, përmendet se ju i keni dhënë senatorëve materiale për qëndrimin e shqiptarëve ndaj hebrenjve. A mund të shohim dhe një përpjekjen tuaj politike për t’u lidhur apo për t’i bërë qejfin lobit të çifutëve në Amerikë, që ishte një lob i fuqishëm, i cili është edhe sot apo jo? Ju ishit në pozitë të vështirë personale… apo jo?

Unë e thashë dhe më përpara se në kishim filluar një hapje drejt Evropës, SHBA-së, drejt Perëndimit. Në këtë kuptim ne na interesonte çdo forcë e kohës që mund të ndikonte për ta mbështetur Shqipërinë në këtë rrugë. Pikërisht për këtë arsye unë shkova edhe në Kombet e Bashkuara në shtator 1990, për të gjetur këtë mbështetje nga të gjithë vendet e ndryshme, që Shqipëria të ecte në rrugën e hapjes, në rrugën e zhvillimit demokratik të saj.

Sigurisht, dhe për të shpjeguar apo propaganduar se ju vet ishit njeriu i hapjes, kjo ishte një pjesë e asaj loje apo jo?!

Nuk po flas për personin tim, unë po flas në përgjithësi…

Por unë po ju pyes për ju si person…

Edhe personi bashkë si të gjithë, padyshim.

Domethënë, ju ishit i vetëdijshëm për rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe brenda këtyre marrëdhënieve edhe për peshën e lobit çifutë apo jo?

Isha i ndërgjegjshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin padyshim një rol parësor.  Theksova më përpara se ne ishim në bisedime për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike siç kishinm bisedime dhe për vendosen e marrëdhënieve me Anglinë. Nuk ka dyshim që e dija se në Amerikë ka lobe, dihej që lobi çifut është një lob i fuqishëm në SHBA, siç ka dhe lobe të tjera.

Si shpjegohet, -meqenëse gjatë kësaj rezolute vihet fokusi te Lufta e Dytë Botërore,- këto qëndrime negative që kombe të caktuara mbajtën ndaj hebrenjve, përjashto Gjermaninë që njihet. Kemi parë në rajon rastin e Greqisë, lagje çifute të zhdukura, zhdukje të një komunitetit të tërë në Selanik, rastin e Bullgarisë, edhe ajo ka raste bashkëpunimi midis popullsisë vendase me gjermanët kundër hebrenjve. Si shpjegohet kjo sjellje, pse këta popuj kanë patur këtë sjellje negative dhe shqiptarët këtë sjellje që sot u nderua në SHBA?

Siç duket populli shqiptar e ka më të theksuar atë çështjen e  solidaritetit me njerëzit që vuajnë. Ashtu siç e kishte të fortë në atë kohë ndjenjën e antifashizmit, prandaj e mori në mbrojtje këtë popull pa paragjykim fetar. Tek të tjerët mund të ketë paragjykime fetare. Dhe për të mbrojtur besimin fetar,pastërtinë kristiane të këtij apo atij ansambli, le të zhduket kjo pjesa tjetër që na i prish këtë pastërti! Unë nuk di të flas se çfarë ka ndodhur në Greqi apo Bullgari, unë di të flas se çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Dhe këtij populli i heq tri herë kapelen.

Dhe në fund. A mendoni se ky fakt është përdorur sa duhet, sepse në fund të fundit, lobi çifut është një lob që ka peshë të madhe në vendimmarrjen botërore?A është përdorur sa duhet ky fakt bë gjykimin tuaj, në përpjekjet që Shqipëria të gjejë miq të rinj, në zgjidhjen e çështjeve të veta kombëtare?

Ne e kemi thënë disa herë këtë fakt, por e vërteta është se nuk është përdorur më parë dhe nuk përdoret as sot. Edhe sot u desh të dilte Senati amerikan për këtë çështje, bile, u deshët edhe ju si gazetë “ABC”, që të bëni një intervistë. Nuk kam parë deri tani ndonjë intervistë të ndokujt për këtë problem, pra nuk ka ndonjë interes, duket se njerëzit i harrojnë disa probleme që janë vitale për jetën këtu dhe që tregojnë karakterin e popullit tonë, atë solidaritetin moral të popullit tonë. Mua më duket kjo se ka rëndësi jetike për vendin tonë, për popullin tonë në këtë kuadër të rëndësishëm të zgjidhjes së çështjeve kombëtare të pazgjidhura.

*Kjo intervistë mbetet e rrallë pasi përgjigjet e së cilës janë marrë vetëm pak muaj para se Ramiz Alia të ndahej nga jeta.