MENU
klinika

PROFIL/ Ja çfarë nuk dinit për divën e muzikës shqiptare

“Sekretet” e Vaçe Zelës

01.09.2019 - 22:33

Ikonat e mëdha si Vaçe Zela janë të pazëvendësueshme dhe të pakrahasueshme si për artin, kulturën ashtu edhe për gjithë vendin. Ikja e saj nga jeta ka qenë një humbje shumë e madhe, po le ta kujtojmë përsëri këtë legjendë të këngës.

Vaçe Zela ka lindur në 7 prill 1939 në Lushnjë  dhe ka vdekur në 6 shkurt të vitit 2014. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

“Kur ishte 13 vjeçe, Vaçja mbrëmjeve merrte kitarën dhe ulej poshtë një ulliri para shtëpisë së saj.  Aty këndonte derisa gjyshja i dilte dhe i thoshte: ‘Ç’e ke këtë zë të bukur moj bijë?! Por po na lë pa gjumë’”.

Kujtimet rikthehen më ethshme tek të afërmit e Vaçes tani që kanë mësuar se ajo nuk rron më. Sot, as ulliri nuk është më, gjithashtu edhe shtëpia ku lindi dhe u rrit Vaçe Zela po rrënohet. Në Lushnjë kujtimet për Vaçen janë të forta te kushërinjtë, miqtë dhe bashkëqytetarët e saj.

Ata tregojnë se meloditë e para Vaçja i këndoi në shtëpinë e saj, në qendër të Lushnjës, derisa një koncert e bëri atë të famshme menjëherë. Pëllumb dhe Syrja Zela janë dy kushërinjtë e Vaçe Zelës, që jetojnë ende në qytetin e Lushnjës. Ata tregojnë se çdo mbrëmje Vaçja këndonte dhe i binte kitarës së saj, pa e ditur se shumë shpejt do të bëhej ikona e muzikës shqiptare.

“Vaçja ka jetuar këtu në Lushnjë që në moshën 14-15-vjeçare e më pas u largua për në Tiranë që të ndiqte shkollën e mesme. Kjo do të ishte dhe shkëputja e madhe e saj nga Lushnja. Në atë periudhë mori pjesë në një koncert në Kinë, ku zëri i saj bëri menjëherë jehonë. Prej atij momenti karriera e saj mori hov dhe i gjithë aktiviteti u përqendrua në Tiranë”, tregojnë kushërinjtë e Vaçes.

Brenda pak kohësh u shpërngul nga Lushnja për në Tiranë dhe pjesa tjetër e familjes Zela. Për këtë arsye shtëpia e saj private iu shit një kushëriri të familjes dhe vitet në vazhdim Vaçja kthehej shpesh në Lushnjë, por tashmë për të dhënë koncerte në qytetin e saj të lindjes.

Shtëpia e së famshmes Vaçe Zela vazhdon të njihet si e tillë edhe sot, ndonëse prej dekadash në dokumentet e pronësisë ajo u takon personave të tjerë. Mësohet se pronarët e shtëpisë kanë emigruar në shtetin grek dhe fakti që në të nuk banon njeri prej vitesh ka sjellë amortizimin e plotë të saj.

Shtëpia është modeste, njëkatëshe, me sipërfaqe rreth 70 metra katrorë. Muret e saj në një pjesë të mirë janë rrëzuar, dritaret janë mbuluar nga bari dhe shkurret që depërtojnë brenda saj, ndërsa tjegullat rrezikojnë të bien nga dita në ditë.

kolana e librave

Vaçe Zela është fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Vaçe Zela është fituesja e Festivalit të Parë të Këngës në Radio me këngën “Fëmija i parë”, më 26 dhjetor të vitit 1962, ndërsa ishte 23 vjeçe. Pas kësaj, Vaçe Zela do të bëhej numri një i skenës shqiptare, duke bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare:

Grimci, Daija, Prodani, Krajka, Deda, Gaci, Kushta etj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale” etj. kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.

Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik, por pa mundur. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.

Ndonëse brenda një sistemi të mbyllur, zëri i Vaçe Zelës i kishte kaluar kufijtë. Aktori Astrit Çerma shkroi dje në faqen e tij në Facebook ato çfarë prezantuesi italian Mike Bongiorno do të thoshte për Vaçe Zelën, vite më parë:

“Më kujtohet në ato vite kur u vendosën televizorë nëpër ndërmarrje e institucione, ne në Institutin e Arteve ndiqnim pothuajse çdo natë RAI-n. Një natë, i madhi i asaj kohe, Mike Bongiorno, në një nga programet që drejtonte, që në mos gabohem quhej “Pyetje për të gjitha”, bëri 3 pyetje që çuditërisht kishin lidhje me Shqipërinë….

Pyetja e tretë kishte të bënte me këngëtaren e madhe të asaj kohe, Caterina Caselli dhe me këngën hit të saj, “Xhovane, xhovane”..

– Cila nga këngëtaret në botë do ta këndonte këngën “Xhovane” më bukur se Caterina Caselli…?

Përgjigjet ishin rreth një niveli këngëtarësh që trondisnin skenat e botës, por Mike Bongiorno vazhdimisht i hodhi poshtë deri sa shpërtheu:

– Këngëtarja që do ta këndonte më bukur këtë këngë është shqiptarja Vaçe Zela!”