Ndonëse gjatë rrugës së hetimit për Saimir Tahirin është folur shpesh herë nga opozita për kërcënime dhe shantazhe ndaj kryeministrit Rama dhe qeverisë, ish-ministri ka mohuar kategorikisht këto pretendime.
Në një konferencë për gazetarët Tahiri tha se ai nuk është nga ata njerëz që mban letra kërcënuese në xhep, ndërsa shtoi se; ‘A thua se këto 4 vite paskam punuar për të kërcënuar të tjerë’.
“Pse nuk pyesni opozitën që bëri akuzat. Pyesni ata. Është fyese kjo që vazhdoni ta bëni sikur unë kërcënova të tjerë me materiale. A thua se këto 4 vite paskam punuar për të kërcënuar për t’ja fut tjetrit dhe jo për të bërë detyrën. Në 4 vite kam bërë detyrën. Për mua është fyese sepse unë nuk mbaj letra në xhep për të kërcënuar këdo.
Unë kam vetëm të vërtetën. Është fyese dhe për ata që mendoni se unë kërcënoj. E di pse? Pasi duket se ata kanë bërë diçka. Duket se ata e kanë bërë aq baltë sa mund të kërcënohen prej meje. Unë mendoj që herë tjetër të dëgjoni deklarata të opozitës, kërkoni t’i vërtetojnë. Ata e kanë bërë vet, ndaj mendojnë se e kam bërë dhe unë. Unë kësaj rruge i shkoj vetëm me drejtësi.”, pohoi ai.
Në konferencën për mediat, ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri është shprehur indiferent ndaj heshtjes së kryeministrit Edi Rama, lidhur me vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda ndaj tij.
Pyetjes së gazetarëve Tahiri iu përgjigj duke theksuar edhe një herë se në këtë rrugë është i vetëm, dhe se do i shkojë deri në fund të vërtetës së tij.
“E çfarë pastaj se nuk e ka bërë? Nuk e kuptoj pse më pyesni mua a ka folur kryeministri apo jo. Drejtësisë i shkoj i vetëm përpara. Më habisni si keni kuriozitet për cdo gjë vec vendimit të gjykatës. “ përfundoi Tahiri.