MENU
klinika

Një klasik pa kohë

Sot ushqehem me re dhe me largësi…

12.09.2019 - 12:57

     Së bashku me Salvatore Kuazimodon dhe Xhuzepe Ungaretin, Eugenio Montale (1896-1981) fituesi i çmimit “Nobel” për letërsi në vitin 1975, konsiderohet një ndër poetët e mëdhenj modernë të Italisë. Që të tre formojnë Trininë e shenjtë të shkollës poetike italiane e njohur ndryshe: Hermetikët. Poeti i madh e fitoi famën brenda institucionit letrar. Në harkun kohor të viteve 1926 dhe 1982, ai botoi tetë koleksione poezish, përfshi edhe një koleksion pas vdekjes. Po ashtu, Montale është një nga poetët më të studiuar nga kritikët./Konica.al

Eugenio Montale, lindur në 1896, është dukshëm një nga “mjeshtrit e vërtetë” të pesëdhjetë viteve të fundit të letërsisë italiane. Lindur në Xhenova, në një familje biznesmenësh, i ndërpreu studimet e mesme dhe filloi, në kurse private, të merrte mësime kantoje me baritonin Ernesto Sivori. Mirëpo, lufta e vitit 1915-1918, në të cilën shërbeu si oficer këmbësorie, vdekja e Sivorit dhe vendimi për t’i hyrë karrierës letrare, e largoi Montalen nga ai drejtim, në të cilin kishte treguar një interes të jashtëzakonshëm për melodramën, krahas aspekteve teknike. Kur filloi t’i përkushtohej poezisë, ishte i brumosur me kulturë të pasur dhe të gjithanshme, ngjëronte muzikën e Belinit dhe Debysisë, pikturën impresioniste dhe artin e romancierëve të mëdhenj të Evropës së shekullit XIX, në të njëjtën kohë ndante edhe interesat e poetëve ligurianë Roccatagliata-Cecardi, Boine dhe Sbarbaro. Sidoqoftë, këndvështrimi “rajonal” i poezisë së kohës së tij nuk ia kufizoi vëmendjen kritike që i kushtoi studimit të Leopardit dhe Foscolos. Vetëm pas luftës, poeti iu përkushtua plotësisht aktiviteteve krijuese dhe letërsisë.

 

 

 

 

Më 1921, dha kontributin e vet në “Primo Tempo”, me Solmin dhe Debenedetin, duke zbuluar, përveç dhuntive poetike, edhe një talent të rrallë kritik përmes mprehtësisë dhe pavarësisë së tij të modeleve konvencionale. “Homazh Svevos”, botuar në 1925 në gazetën milaneze “L’Esame”, ngjalli kureshtje të veçantë, duke përcaktuar, ndër të tjera, pasurinë e veprave të shkrimtarit triestin. Montale u vendos në Firence në vitin 1928, duke u emëruar drejtor i bibliotekës “Gabinetto Vieusseux”. Qe një nga frymëzuesit e parë të “Solaria”, gjithnjë duke qenë një nga intelektualët më aktivë dhe politikë jokonformistë fiorentinë, derisa, më 1938, duke mos pranuar t’i bashkohej partisë e, më pas, pushtetit, ai u shkarkua nga puna. Më 1925, ai botoi koleksionin e parë me poezi “Guaska sepiesh”, i cili u bë shpejt një nga “klasikët” e poezisë bashkëkohore italiane; përmes vargjeve të poezive, ndjenja shfaqet e zbehur nga një sertësi e ashpër intelektuale, e evokuar me plotësi intime në pamjet e guximshme dhe të mrekullueshme të peizazhit të Mesdheut. Kur u botua “Rastet” (1939), ajo solli konfirmim të vazhdueshëm të kësaj linje të brendshme të zhvillimit, e cila, duke pasur një gjurmë të re klasike-moderne, e identifikoi veten me poezinë e madhe bashkëkohore metafizike. Në vëllimin “Rastet”, poezia dhe kultura italiane në tërësi, që prej do të njihnin një libër që pasqyronte vetminë dhe agoninë në gjendjen njerëzore të atij që kundërshtonte me përpikëri shtypjen fashiste, duke krijuar një këngë të stoicizmit fisnik. Biografia e Montales është një kronikë e poezisë. Në vitin 1961, Montales iu akordua diplomë nderi në Universitetin e Romës dhe menjëherë pas kësaj, në universitetet e Milanos, Kembrixhit dhe Bazelit. Në vitin 1967, Presidenti Saragat e emëroi atë senator për jetën “në njohje të arritjeve të tij të shquara në fushën letrare dhe artistike”. Kjo ngjarje në një farë kuptimi e lehtësoi disi autorin nga detyrimi për të shkuar çdo ditë në redaksinë e “Corriere della Sera”, ku punonte si kritik muzikor, redaktor dhe korrespodent special që nga viti 1948. “Jashtë nga shtëpia” (1969 dhe 1975) dhe “Fletore tradhtie” (1948 dhe 1975) janë libra që japin një ide mbi gjerësinë e interesave të tij të shkathtësisë së talentit, të konfirmuar më pas nga “Stuhia dhe të tjera” (1970).

Më 1971 botoi “Satura”, e cila shpejt u bë bestseller. Libri, ku shfaqet paqartësia gjuhësore e zakonshme tipike e Montales, aludon në një poezi që prish modelet e veta dhe të të tjerëve, duke përfshirë, në mënyrë paradoksale, shumë më tepër sesa zakonisht (edhe për Montalen) për të përfshirë në modelet stilistike dhe gjuhësore të poezisë: joshje medituese, tema ekzistenciale për njeriun e krishterë dhe perëndimor, një urti, gjithçka tjetër përveç humorit të moshuar, delikate dhe provokuese përballë një bote që ndryshon dhe përparon përgjatë rrugës së saj tragjike dhe misterioze.

 

 

 

 

 

Në të vërtetë, poezia e madhe e Montales lindi nga kërkimi i atyre pranive që zbulojnë dhe çlirojnë botën e fshehur, siç janë spektatorët dhe hajmalitë. Jo i papranueshëm nga mësimet stilistike të Paskolit dhe Gozzanos, as për bashkëkohësit që shkruajnë në anglisht, Montale nga ana e tij ka ndikuar tek poetët e rinj italianë, madje edhe poetët dhe eksperimentuesit pas-hermetikë. I vëmendshëm ndaj efekteve të historisë, poezia e Montales qëndron si e lindur për shpirtrat që janë të vetëdijshëm për pasojat, prej të cilave, nga shumë aspekte, ne ende nuk e kemi parë fundin, të tragjedisë së dytë botërore, të cilën shkrimtari e shihte si reflektime të përkohshme të një të keqeje pa origjinë dhe pa fund, sipas një shëmbëlltyre që e bën atë të takojë pjesën më të vetëdijshme të intelektit evropian./Konica.al

 

Xenia II

Kam zbritur, duke të zgjatur krahun, të paktën miliona shkallë

e tashmë që nuk je çdo shkallëz është një hon.

Megjithatë udhëtimi ynë i gjatë së bashku ishte i shkurtër.

Imi zgjat ende, e as me duhen më detyrat e përditshme,

rastësitë, datat e fiksuara,

kurthet, zhgënjimet e kujt beson

që realiteti të jetë vetëm ai që shihet.

Kam zbritur miliona shkallë duke të zgjatur krahun

jo sepse me katër sy ka të ngjarë të shihet më mirë.

Me ty i kam zbritur, sepse e dija që nga ne të dy të vetmet sy të vërtetë,

që shihnin përtej të dukshmes, megjithëse shumë te mjegullta,

ishin të tutë.

 

Montale është një stilist i jashtëzakonshëm i gjuhës së madhe të fqinjëve latinë dhe sfidues i detajit, por dhe një apogje i shkollave letrare poetike të shekullit XX.

 

Mendoj buzëqeshjen tënde dhe është për mua një ujë i kulluar

Nisur për aventurë midis guralecëve të zallishtesë së bardhë,

ndjek pasqyrën tënde ku një shelg shikon veten;

e mbi të gjitha përqafoj kthjelltësinë qiellore pa skaj.

Ky është kujtimi im; s’di ta them, e dashur,

Sepse nga fytyra jote shfaqet një shpirt i pafaj,

Apo vërtetë ti je nga ato endacake që të keqen e botës e fshijnë

Dhe vuajtjen e tyre me vete si hajmali e mbajnë.

Por mund të të them se portreti yt i menduar

Fsheh mendime të dalldisura brenda syprinës së qetë,

e pamja jote hyn tinëz në kujtesën time gri

e dlirë si maja e një palme të bleruar…

 

 

*OR* n. 22 seconda guerra mondiale – shoah: Il poeta Eugenio Montale, riferendosi agli anni delle leggi razziali ebbe a dire: “Distilla veleno una fede feroce”

 

 

 

“Isha një poet që shkruaja një autobiografi poetike pa pushuar së rrahuri dyert e të pamundurës, i bindur se jeta ka një kuptim që na shpëton. Trokita në mënyrë të dëshpëruar, si dikush në pritje të një përgjigjeje”. (Eugenio Montale)

 

Një jetë me poezi, një jetë për të treguar jetën, për të kërkuar një sens të thellë, të pakapshëm, të fshehur në nostalgji, ndjekur nëpër vargje. Poezia e Eugenio Montales i ka dhënë zë ankthit të gjithë atij brezi që njohu luftën dhe padobinë e pamëshirshme të fashizmit dhe nazizmit, ishte dëshmitar i tmerruar kur afroi Lufta e Dytë Botërore. Montale arrin të interpretojë ankthet, ligësinë dhe pafytyrësinë e njeriut, që i ka parë pikat e tij të referencës t’i vithisen para syve, ndjen zhdukjen e arsyes pas vite regjimesh joreale dhe totalitare. Vdiq në Milano më 12 shtator 1981./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


87 – vjetori i Dritëro Agollit

“Këtu s’do t’jem, do jem larguar”!

Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen