Një studim i rishikuar në një revistë akademike ka dëshmuar se Adolf Hitler vërtet ka vdekur dhe e vërteta ka qenë kështu që kur vrau veten në bunkerin e tij në prill të vitit 1945.
Fakti që shkencëtarët i kushtojnë vëmendje kaq serioze konfirmimit të vdekjes së Hitlerit më shumë se 70 vite pas ngjarjes, mund të duket e çuditshme. Por pothuajse që nga momenti që vdiq Fyhrer, nisi të ndërtohet një industri e teorive të konspiracionit, ku thuhej se ai ishte ende gjallë.
Hitleri është “parë” duke dalë nga një anije gjermane në Argjentinë me Eva Braun në vitin 1945, i rrethuar nga adhurimi i nazistëve të arratisur në Kolumbinë e viteve 1950 dhe duke iu afruar fundit të ditëve të tij në vitet 1980, si një i moshuar i lumtur me një të dashur të re braziliane. Tani, shkencëtarët francezë janë lejuar të ekzaminojnë një pjesë nofulle, që është ruajtur me xhelozi në arkivat e shërbimit sekret rus që nga vitet 1940.
Analiza e botuar në “European Journal of Internal Medicine” sugjeron se në këtë rast rusët po tregonin të vërtetën: Hitleri vrau veten, ushtarët nazistë dogjën trupin e tij, trupat sovjetike gjetën mbetjet e djegura dhe nofulla përfundoi në Moskë.
- STUDIMI
Studimi me titull: “Mbetjet e Adolf Hitlerit – Një analizë biomjekësore dhe një identifikim përfundimtar”, tregon se si kërkuesve francezë u lejuan përdorimin e nofullës në arkivat e FSB-së së Rusisë (pasardhëse e KGB-së), në mars dhe korrik 2017. Autori lider i hulumtimit, profesor Philippe Charlier, tha se ishte bërë e mundur të krahasohej nofulla e mbajtur nga rusët ndaj të dhënave dentare të Hitlerit, duke mundësuar që Fyhreri të identifikohej nga dhëmbët e tij të rremë.
Prof. Charlier tha se pavarësisht se ishte vetëm 56 vjeç kur vdiq, Hitleri kishte vetëm pesë nga dhëmbët e tij natyralë, gjë që ishte shumë e pazakontë. “Ne së pari e identifikuam atë nga protezat e tij, që ishin jashtëzakonisht të pazakonta, në forma krejtësisht të jashtëzakonshme”, tha prof. Charlier në një dokumentar francez. “Kishte një korrespondencë të përsosur anatomike dhe teknologjike”, sqaroi ai.
Përfundimi u konfirmua më tej nga analiza e mikroskopëve të elektroneve të mostrave të vogla nga disa dhëmbë të vërteta të mbetura të Hitlerit, në të cilat nuk u gjetën gjurmë të mishit dhe kjo është e rëndësishme sepse, pavarë- sisht vrasjeve ndaj njerëzve, Hitleri ishte një vegjetarian. Gjendja e protezave gjithashtu dukej se përputhej me të dhënat e pranuara, që Hitleri mori cianidin para se një plumb të qëllohej në kafkën e tij. Ekipi hulumtues sugjeroi që depozitat e kaltra në proteza mund të tregojnë një reaksion kimik midis cianidit dhe protezave metalike.
- VERSIONI AMERIKAN
Studiuesit francezë e kundërshtuan një studim të Universitetit të Konektikatit, i cili në vitin 2009 bëri bujë kur pretendoi se një fragment kafke me një vrimë plumbi, i ruajtur në një vend tjetër, ishte nga një grua, jo nga Hitleri dhe jo Eva Braun, sepse ajo u helmua dhe nuk qëlloi veten. Akademikët amerikanë kishin qenë në gjendje të shqyrtonin dhe të merrnin mostrat e ADN-së nga fragmenti i kafkës që përfundoi në Arkivin e Shtetit Rus në Moskë. Megjithatë, ata nuk e shqyrtuan nofullën që kishte FSB-ja.
Për studiuesit francezë, situata ishte pothuajse e kundërt: ata u lejuan të merrnin materiale nga nofulla, por ishin vetëm në gjendje të shihnin fragmentin e kafkës pa marrë mostrat e ADN-së prej saj. Kjo do të thotë se ata nuk ishin në gjendje të përsërisnin plotësisht testimet amerikane që gjenin ADN-në femërore, por profesor Charlier këmbënguli që shqyrtimi antropologjik i fragmentit të kafkës nuk mund të përcaktonte gjininë e personit të vdekur.
“Nga perspektiva antropologjike, kjo absolutisht nuk qëndron”, tha ai. “Kur bën një diagnostifikim të kafkës, ke një shans 55 për qind për të gjetur seksin. Kjo nuk është shumë e saktë”. Rezultatet e Universitetit të Konektikatit u përdorën nga një ekip televiziv prodhimi si bazë për një dokumentar, që u transmetua në “History Channel” me titullin sensacional: Arratisja e Hitlerit”.
- RRËFIMET E PËRKTHYESES
Studimi i ri francez sugjeron se cilado qoftë origjina e fragmentit të kafkës, nofullat janë nga Fyhreri dhe për këtë arsye nuk ka pasur arratisje. Për më tepër, autenticiteti i nofullës duket se mbështetet më tej nga publikimi i muajit të kaluar në anglisht të kujtimeve të përkthyeses ruse të kohës së luftës, Elena Rzhevskaya.
Ajo vdiq vitin e kaluar, por i publikoi rrëfimet e saj në rusisht në vitin 1965. Në maj të vitit 1945, ajo ishte pjesë e një njësie kundërzbulimi të Smersh që kërkonte në rrënojat e Berlinit për trupin e Hitlerit. Ajo tha se oficeri i saj komandues i kishte dhënë një kuti të lirë bizhuterish dhe kur ajo e kishte pyetur se çfarë ka brenda, ai i ishte përgjigjur: “Dhëmbët e Hitlerit. Dhe nëse i humbni ato, do të përgjigjeni me kokën tuaj”.
Ndërsa kishte hapur kutinë dhe shihte e habitur mbetjet e dhëmbëve pjesërisht të mbuluara me mish, koloneli i shpjegoi se nuk kishte ndonjë kasafortë, prandaj ai ia besonte dhëmbët e Fyhrerit asaj sepse “Jeni një grua, ju keni më pak të ngjarë që të deheni dhe t’i humbisni ato siç mund të bënte një burrë”.
Me dy oficerë superiorë, ajo ishte nisur në kërkim të dentistit të Hitlerit, por ai kishte ikur në Bavari. Ata gjetën asistenten e dentistit, Kathe Heusermann, dhe sapo e kishin siguruar se nuk kishin shkuar për ta përdhunuar, ajo i futi në ambientin e kirurgjisë së dentistit brenda rrënojave të Kancelarisë së Rajhut. Atje, Rzhevskaya tregoi se kishin gjetur të dhënat dentare të Hitlerit dhe grafitë e dhëmbëve me rreze X.
Heusermann i kishte përshkruar dhëmbët e Hitlerit. Dhe Rzhevskaya, e cila po përkthente, tha se ajo që ndihmësja e dentistit tha, përputhej me atë që ishte në grafi. Po ashtu, ajo konfirmoi edhe kur pa nofullën dhe dhëmbët e munguara në kutinë e bizhuterive. Faji që identifikimi relativisht i drejtpërdrejtë i trupit të vdekur të Hitlerit u errësua nga përrallat e mbijetesës së tij të vazhdueshme, është pjesërisht i diktatorit Joseph Stalin.
- “KURTHI” I STALINIT
Historiani Antony Beevor, autor i “Berlini: Rënia”, ka shkruar për mënyrën se si Stalini kishte dashur të sigurojë veten se Hitleri ishte i vdekur, por po fort donte ta fshihte këtë lajm nga aleatët e tij të supozuar, Britania dhe Amerika. Gazeta komuniste “Pravda” shkruante se thashethemet se trupi i Hitlerit ishte gjetur, ishin një provokim fashist. Autoritetet sovjetike përhapën “faktin alternativë” se Hitleri ishte gjallë dhe mirë, dhe për të po kujdeseshin amerikanët e pabesë në zonën e tyre të pushtimit.
Sipas Beevor, në “New York Times” në vitin 2009, Stalini madje shkoi aq larg sa mashtroi komandantin e tij të përgjithshëm, Marshallin Georgi Zhukov, duke e akuzuar atë për dështimin e supozuar të gjetjes së trupit të Hitlerit. Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin se pse, kur një grup i oficerëve të lartë të RAF-it u përpoqën të vizitonin bunkerin e Hitlerit në vitin 1946, ata e gjetën të mbyllur dhe të ruajtur nga një oficer i Policisë sekrete të NKVD, i cili i tha delegacionit britanik se Hitleri kishte ikur dhe tani po fshihej në Argjentinë. Nisën teoritë e konspiracionit dhe me kalimin e kohës ato shtoheshin. Në vitin 1955 kreu i bazës së CIA-s amerikane në Maracaibo, Venezuelë, po shkruante një memo mbi një pohim se Hitleri jetonte në Andet kolumbiane në krye të një komuniteti të nazistëve gjermanë, që e ndiqnin atë me adhurim të stuhishëm.
- E VËRTETA E FUNDIT
Pasi ai dhe Eva Braun u vranë më 30 prill 1945, ndihmësit ushtarakë i mbartën trupat e tyre nga bunkeri në kopshtin e pasmë të kancelarisë së Rajhut, ku e mbështillnin trupin e Fuhrerit në një flamur nazist, e lyen me benzinë dhe i vunë flakën. Megjithatë, ata nuk arritën ta djegin plotë- sisht trupin dhe e përfunduan varrosjen e mbetjeve të djegura në një tokë të cekët. Në mëngjesin e 2 majit, ushtari sovjetik Ivan Churakov pa tokën e gërmuar dhe nisi të kërkojë me shpresën për të gjetur ar nazist. Në vend të kësaj ai gjeti një kockë këmbe. Sapo Rzhevskaya dhe ekipi i saj gjetën se kujt i përkisnin eshtrat, nofulla e rëndësishme u dërgua në Moskë.
Sovjetikët varrosën pjesën tjetër të Fyhrerit në periferi të Berlinit, në një pyll afër Rathenow. Më pas, në shkurt të vitit 1946, ata përsëri i nxorën mbetjet e Fyhrerit dhe e varrosën në bazën ushtarake ruse në Magdeburg, në Gjermaninë Lindore. Ndërkohë, në të njëjtin vit, Stalini gjithnjë-paranojak kërkoi siguri shtesë se Hitleri ishte me të vërtetë i vdekur. Pra, një ekip sekret i dytë sovjetik shkoi në varrin e Fyhrerit. Ky mision mbuloi fragmentin e kafkës me vrimën e plumbave, duke e kthyer atë në Moskë, ku përfundoi në Arkivin Shtetëror të Rusisë.
Në Gjermani, pjesët e varrosura të Hitlerit qëndruan të pashqetësuara deri në mars 1970. Por atëherë rusët vendosën t’ia dorëzonin bazën Magdeburgut qeverisë së Gjermanisë Lindore, duke u ndeshur me problemin se çfarë të bënin me trupin që kishin fshehur nën të. Ata nuk donin që të krijohej një zonë pelegrinazhi për neonazistët. Yuri Andropov, kreu i KGB-së, i cili më vonë do të bëhej president, këshilloi kreun rus Leonid Brezhnev se do të ishte “mirë që të shkatërroheshin mbetjet me anë të djegies”.
Kjo u krye nga një treshe e ushtarëve rusë në mbrëmjen e 4 prillit 1970. Tre ushtarët janë betuar se do ta merrnin me vete në varr sekretin e vendit se ku u hodh hiri i mbetjeve të djegura të Hitlerit.