MENU
klinika

Lufta ndaj informalitetit në rrugë

Taskforca “makth” i të dielës për taksitë e palicencuara

29.09.2019 - 20:47

Pa pushim, pa orar për të luftuar paligjshmërinë! Drejtoria e Transportit Rrugor njofton se edhe të dielën herët në mëngjes grupet e Taskforcës janë në terren për të kontrolluar dhe ndëshkuar taksitë e palicencuara.

“Ky fenomen duhet të ndalet!”, bën thirrje TPT.

Drejtori i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe thekson se në fokus është një transport i sigurt dhe me standarde.

“Prioritet lufta ndaj informalitetit në transportin e pasagjerëve, brenda e drejt kufijve për jashtë vendit! “Taksi” në të zezë apo “hajde Korça, hajde Greqia, hajde Vlora, hajde Jugu e Veriu” pa licencë transporti e kanë pisk me intensifikimin e kontrolleve nga Task-Forca e Transportit Rrugor – MIE në terren 24/7 në gjithë akset e vendit! Për muajin Shtator masat (të ekzekutuara dhe vjelur pagesa e gjobës!) për këtë fenomen paligjshmërie absolute zënë vendin e parë të totalit mujor në Komision, pasuar nga masat për mbipeshë në akse!”, bën të ditur Gonxhe

Ai thekson se përfitues janë linjat e rregullta, subjektet e licencuara, biznesi legjitim, operatorët.

“Janë pasagjerët, qytetarët që duhet të udhëtojnë me orare e linja të ligjshme.
Siguria rrugore, ulja e aksidenteve, eliminimi i kaosit, goditja e pikave të zeza. Ekonomia, tregu i transportit që formalizohet dhe evazioni që goditet. Qarkullimi jo i ngadalësuar, trafiku jo i mbingarkuar me mjete pirate”, theksoi Gonxhe.