Historianët e kanë paraqitur prej kohësh të dashurën e Hitlerit, Eva Braun si diçka më shumë se një vegël politike e diktatorit.
Por një biografi e re e gruas që ishte bashkëshortja e Hitlerit për vetëm 40 orë, hedh dyshime mbi atë imazh.
Kërkimet për detajet e marrëdhënies mes Adolf Hitlerit dhe Eva Braunit nisën ndërkohë që diktatori ishte ende gjallë. Fyhreri përgjithësisht binte vonë për të fjetur. Mëngjesin e vonë, pasi largohej nga dhoma e gjumit, që nga dera e cila e lidhte me vendbanimin e Braun e teksa stafi ndërronte çarçafët, punonjësit kuriozë i shihnin me shumë vëmendje këta dhe këllëfët e jastëkëve, në kërkim të shenjave se çfarë kish ndodhur aty një natë më parë.
“E zhbironim përreth krevatëve”, ka thënë disa dekada mëvonë në një intervistë televizive Herbert Dëring, menaxher i Berghofit, shtëpia e Hitlerit në alpet bavarezë. Por ata nuk gjenin asgjë, gjë që e bënte Dërhingun të mendonte se marrëdhënia mes diktatorit dhe Braunit, 23 vite më e re se ai, duhet të ketë qenë platonike.
Në Rajhun e Tretë, Dëhringu ishte njëri prej një grupi shumë të vogël njerëzish, që kishin dijeni për marrëdhënien e ngushtë të Braunit me Hitlerin. Ndërsa publiku vetëm pas lufte e mori vesh se diktatori kishte kaluar shumë muaj nën shoqërinë e një bjondeje tërheqëse nga Mynihu, me të cilën u martua vetëm pak orë para se të kryenin vetëvrasje, në 30 prill 1945, në bunkerin e Fyhrerit në Berlin.
Fshehtësia e tyre bazohej në përllogaritje politike. “Shumë gra më gjejnë tërheqës sepse jam i pamartuar”, besonte Hitleri. “Eshtë e njëjta gjë me një aktor filmi: kur martohet, ai e humbet diçka mes grave që e adhurojnë, dhe këto nuk e duan më aq sa më parë”.
- Korrigjim imazhi
Për shkak të natyrës relativisht të fshehtë të marrëdhënies së tyre, pas luftës publiku ishte edhe më i intriguar nga historia e bijës së një mësuesi shkolle nga Mynihu, që kish kaluar një dekadë e gjysmë krah tij – kryesisht në Berghof në Alpet gjermane, dhe herë pas here në Berlin. Por përgjigjet e para nuk e kënaqën kuriozitetin. Historiani britanik njëkohësisht oficer i zbulimit, Hugh Trevor-Roper, i cili mori në pyetje shoqëruesit e Hitlerit menjëherë pas fundit të luftës, konkludoi se Eva Brauni ishte “jointeresante”. Cdo biograf i njohur i Hitlerit do të mbërrinte më vonë në të njëjtin konkluzion.
- Por a është e vërtetë?
Historiania nga Berlini, Heike Gërtemaker ka marrë tashmë përsipër detyrën e korrigjimit të këtij imazhi të Eva Braunit, duke shkruajtur biografinë e parë të saj. Vepra e saj është paraprirë nga disa të tjera më të lehta.
Me një qasje strikte akademike, Gërtemaker arrin të përjashtojë shumë prej anektodave që kanë argëtuar lexuesit. Sipas njërës prej këtyre historive, supozohet që Brauni të jetë ankuar në bunkerin e Fyhrerit, për zënkat e vazhdueshme me Hitlerin, në lidhje me vaktet e ngrënies. Hitleri, një vegjetarian i paepur, thuhet se kërkonte që ajo të hante vetëm qull dhe lëng kërpudhash, të cilat asaj ia shpifnin (“Nuk mund t’i ha këto gjëra”).
Sipas një tjetër historie, rrëfyer nga një prej sekretareve të diktatorit, Brauni godiste në fshehtësi me shkelma qenin gjerman të Hitlerit, Blondie, sipas këtyre zërave, sepse ajo ishte xheloze për të. Thuhet se ajo rrinte e vështronte e kënaqur teksa qeni ulërinte nga dhimbjet (“Adolf është i habitur nga sjellja e çuditshme e kafshës. Kjo është hakmarrja ime”).
- “Historia e atij divani”
Gërtemaker i kushton shumë pak vëmendje historive të tilla për tabloidë. Historiania shkruan se çifti ka patur një jetë normale, të ngushtë, siç do të tregonin më vonë miqtë dhe të afërmit e Braunit. Sipas atyre rrëfimeve, kur Brauni kishte parë fotografinë ku kish dalë Kryeministri britanik, Neville Chamberlain i ulur në divan në apartamentin e Hitlerit në Mynih, në vitin 1993, kish qeshur dhe kish thënë: “Sikur ta dinte ai historinë e atij divani”.
Historiania e merr seriozisht personazhin në qendër të librit të saj, dhe në materialin që ka analizuar, ka prova të besueshme se Brauni ishte për Hitlerin më shumë se sa një “e re tërheqëse”, tek e cila diktatori “kishte gjetur, pavarësisht apo ndoshta për shkak të dukjes së saj të pashije, llojin e relaksimit dhe qetësisë që kërkonte”, siç do të thoshte më vonë fotografi personal i Hitlerit, Heinrich Hoffmann.
Në testamentin e tij, që Hitleri e shkroi në vitin 1938, emri i Braunit shfaqej menjëherë pas atij të Partisë Naziste. Sipas kushteve të testamentit, partia do të duhej t’i paguante asaj një goxha pension të përjetshëm, që do të përftohej prej aseteve të tij. Ministri i Propagandës dhe i besuari i Hitlerit, Joseph Goebbels vërente disa herë se sa shumë e vlerësonte Fyhreri të dashurën e tij (“Një vajzë e mençur, e cila ka shumë rëndësi për Fyhrerin”).
Ajo u angazhua në planet për shndërrimin e qytetit austriak të Linzit në kryeqytetin kulturor të Fyhrerit, ku Hitleri, i cili kish lindur në Austri, kish në plan të tërhiqej pas fitores përfundimtare të nazistëve. Dhe po t’i kish ecur ashtu si kish menduar, Brauni do t’i kish mbijetuar edhe rënies së Rajhut gjerman. Ai i kërkoi asaj në mënyrë të përsëritur që të largohej nga Berlini në ditët e fundit të luftës, dhe të shkonte në Bavari. Por Brauni refuzoi. Deri në fund fare, Hitleri fliste për “të me shumë respekt dhe nderim”, ka thënë Albert Speer, princi i kurorës i Hitlerit, në deklaratat e tij të para për aleatët, në vitin 1945.
- Pa miq?
Ideja që Brauni kish rëndësi për diktatorin nuk është aq banale sa mund të duket në pamje të parë. Perceptimi për të si një vegël e parëndësishme kontribuoi shumë për imazhin e Hitlerit, si një qenie e pastër politike. Ky është një këndvështrim që është përcjellë nga biografë me libra bestseller mbi Hitlerin, si Joachim C. Fest, Sebastian Haffner dhe Ian Kershaw.
Sipas versioneve të tyre, Hitleri bëri një jetë pa miq, pa dashuri dhe pasion – një jetë që ishte e lehtë ta hidhje poshtë dhe, kështu që, ai ka qenë shoqëruar gjithmonë nga një gatishmëri konstante për të kryer vetëvrasje. Të paktën për Haffnerin, vetëvrasja e Hitlerit në vitin 1945 në bunkerin e tij në Berlin “duhej pritur”. Në një kuptim më të gjerë, politikat gjithçka-ose-asgjë që ndoqi Hitleri deri në humbjen totale mund të interpetohen gjithashtu, si një pasojë e boshllëkut emocional të diktatorit.
Gërtemaker shmang kritikën e drejtpërdrejtë ndaj këtij interpretimi, por është e qartë se rrëfimi i saj e ngre si çështje, edhe një herë, psikikën e Hitlerit. Sigurisht, libri i saj tregon edhe se sa e vështirë do të jetë të gjenden përgjigje, për shkak të urdhërit që Hitleri nxorri në 1945 për të shkatërruar të gjithë të dhënat private. Me shumë gjasa, urdhëri u shtri edhe në korrespondencën e tij me Braunin, që është vërtetuar se ka ekzistuar dikur.
Për këtë arsye, historiania mundet të shfrytëzojë vetëm disa letra që Brauni ua niste shoqeve të saj dhe të afërmve, si dhe disa fragmente të një ditari të vitit 1935, ndonëse autenticiteti i tij është vënë në diskutim. Ajo përdor gjithashtu deklarata të bëra nga shërbëtorë të Hitlerit, truproja, badigardi i tij si dhe disa zyrarë të lartë nazistë në dekadat e para pas luftës, megjithëse këtë informacion ajo e trajton me një goxha dozë skepticizmi, dhe me të drejtë. Një linjë konstante gjatë të gjithë librit është pranimi prej Gërtemakerit, se ka shumë pyetje të cilave ajo nuk u jep dot përgjigje.
Edhe fillimi i lidhjes është relativisht i turbullt. Hitleri u takua me Braunin në vitin 1929, kur ajo ishte 17 vjeç në “NSDAP PHOTOHAUS HOFFMANN”, një dyqan fotografish në Amalienstrass, në Mynih. Vajza e re, që në fotografi duket çapkëne dhe e hedhur, kish vazhduar më parë një shkollë vajzash për ekonomi dhe menaxhim zyrash, dhe tani punonte në dyqanin e fotografive. Shefi i saj Heinrich Hoffmann, që më vonë u përzgjodh si fotografi zyrtar i Hitlerit, ishte një nga anëtarët e hershëm të partisë naziste në Gjermani. Një antisemit, që pinte shumë alkool, Hoffmanni fitoi shumë para me fotografi propagande dhe libra me foto, duke përfshirë edhe një libër me titull: “Hitleri që askush nuk e njeh”.
- Sa politike?
Për Hitlerin, në atë kohë një politikan opozitar 40-vjeçar, kishte shumë shanse për të bërë vizita në dyqanin e Hoffmannit. Zyra kombëtare e Partisë naziste ishte prapa qoshes, po kështu edhe zyrat e gazetës së partisë, Völkischer Beobachter ashtu sikurse dhe restoranti i preferuar i Hitlerit, Osteria Bavaria.
Ashtu sikurse ka konfirmuar edhe më vonë vajza e Hoffmannit, lideri i partisë e joshi adoleshenten me një sharm fals prej vienezi. “A mund t’ju ftoj në opera, Miss Eva? E dini, unë jam gjithmonë i rrethuar nga burra, dhe kështu që mund të çmoj shumë fatin e mirë, kur e gjej veten në shoqërinë e një gruaje”.
Kur ishte me gra, manierat e vrasësit masiv rafinoheshin, dhe ai asnjëherë nuk tregonte as prirjen më të vogël për t’u dhënë pas femrave. Eva Brauni, një vajzë naive, e cila fantazonte për botën e filmave dhe që pëlqente shumë revistat e modës, u përthith prej fuqive të forta sugjestionuese, që edhe vëzhguesit më neutralë ia kanë atribuar Hitlerit. Menjëherë pasi takoi Braunin, lideri nazist urdhëroi menjëherë që të shihej, se mos familja Braun kishte ndonjë paraardhës hebre.
Askush nuk e di se kur ngacmimi u kthye në një marrëdhënie. Në vitin 1932, Brauni u përpoq të kryejë vetëvrasje me armën e babait të saj, që disa bashkëkohës dyshonin se kish qenë një përpjekje për t’i bërë presion Hitlerit, që t’i kushtonte më shumë vëmendje asaj. Lideri nazist e kishte syrin nga kanceleria, dhe kjo do të ishte vetëvrasja e dytë e një vajze të re që kishte lidhje me Hitlerin. Mbesa e tij, Geli Rauball qëlloi veten për vdekje, thuhet për t’i shpëtuar xhaxhait të saj xheloz.
- Prapa grupit
E reja Eva Braun, nga ana tjetër, dukej se kish vuajtur nga një mungesë vëmendjeje nga Hitleri. Veterani i Luftës së Parë Botërore, që në jetën civile kish qenë një dështim, vazhdoi të bëjë një jetë boheme pasi erdhi në pushtet në 1933. Ai shpesh herë mungonte me ditë nga puna e drejtimit të qeverisë në Berlin. Kohën e kalonte duke bredhur nëpër Mynih, duke shkuar në opera dhe teatër me shoqëruesit e tij misteriozë dhe duke vizituar sheshe ndërtimi që, Hitleri, një i dashuruar pas arkitekturës, i konsideronte të rëndësishëm. Në kohë të mirë, grupi do të shkonte në fshat, dhe shpesh herë në këto dalje shkonte edhe Braun.
Sigurisht asaj i kërkonte të udhëtonte veçmas bashkë me sekretaret, dhe gjatë shëtitjeve në fshatra vendi i saj ishte prapa grupit. Herë pas here, Hitleri i jepte asaj një zarf të mbushur me para, gjë që Speeret i kujtonte “filmat amerikanë me gangsterë”.
Në vitin 1935, Brauni u përpoq sërish të kryejë vetëvrasje, këtë herë me hape gjumi, dhe ka disa të dhëna që pas kësaj marrëdhënia u bë edhe më e ngushtë. Hitleri pagoi për apartamentin e saj dhe më vonë e vendosi në shtëpinë e tij, me qëllim që ajo më në fund të largohej nga shtëpia e prindërve. Ajo u bë zonjë shtëpie në Berghof, ku Hitleri shpesh herë kalonte edhe javë të tëra, edhe gjatë luftës. Titulloi i saj zyrtar ishte “sekretare private”. Por erdhi një moment që Hitleri dhe Brauni u bënë më të afërt me njëri tjetrin, edhe në sytë e njerëzve të tjerë.
Sigurisht, diktatori vazhdoi ta mbajë marrëdhënien e tij larg syve të publikut. Vetëm një fotografi e çiftit u shpëtoi censorëve dhe doli në shtyp. Në të, Hitleri shfaqet në Lojërat Olimpike të vitit 1936 në Mynih në Garmisch-Partenkirchen, me Braunin të ulur një radhë pas tij.
- Dëmtim i imazhit
Pavarësisht përpjekjeve të tij për të fshehur këtë marrëdhënie, shtypi i aleatëve mësoi herët a vonë se Hitleri kishte një të dashur që quhej Braun, dhe “Time” e nxori këtë lajm në vitin 1939. Por në Gjermani mbeti një sekret, dhe Hitleri ndoshta kishte të drejtë në supozimin se nëse do ta bënte publike marrëdhënien e tij dashurore, atëherë do t’i bënte dëm imazhit të tij si Fyhrer.
Reinhard Spitzy, një nazist i vendosur dhe i punësuar i ish-ambasadorit gjerman në Londër, Joachim Ribbentrop, u befasua kur pa që një vajzë e re të cilën nuk e njihte, ndërpreu krejt papritur bisedën ndërmjet Ribbentropit dhe Hitlerit në Berghof dhe tha se dy burrat duhej që më në fund të vinin të hanin darkë. Një koleg i shpjegoi Spitzyt pozicionin e Braunit. Ai u befasua, sepse Hitlerin e kish menduar “si një asket, mbi seksin dhe pasionin”. Por, tani, këtu mësoi se heroi i tij nuk ishte i ndryshëm nga gjithë të tjerët.
Brauni kishte një interes të madh për fotografinë dhe filmat, dhe asaj gjithashtu i pëlqente të fotografohej. Albumet fotografikë dhe filmat që kanë mbijetuar e tregojnë një grua të shkujdesur, tip atlete dhe ekstroverse, e cila pëlqente të pozonte me kostum banjoje dhe madje, edhe filmonte motrën e saj tek shkonte të bënte not lakuriq. Pas luftës, një ish pjesëtar i SS-ve do të deklaronte se ajo “nuk ishte në përputhje me idealin e një vajze gjermane”.
Sipas oficerit SS, Brauni fillonte të bënte “përgatitjet fillestare për gjithfarëlloj dëfrimesh – festa në vendin e fshehtë në mal – menjëherë pasi limuzina e Hitlerit ish larguar nga Berghofi”.
Deklarata të tilla janë në përputhje me një enturazh apolitik që të gjithë ata që ishin të përfshirë – nga shërbëtore deri tek njerëz të njohur si Labert Speer – e kanë përshkruar pas luftës, dhe në të cilin Brauni u integrua me lehtësi. Thuhet se në Berghof kishte një rregull: nuk duhej që të diskutohej për politikë në prani të grave. Në vend të kësaj, temat e diskutimit ishin moda, qentë dhe operetat.
- Politikë e pastër
Biografia Gërtemakerit nuk e ka problem të hedhë argumenta kundër ekskluzivitetit të këtij versioni. Një vështrim i albumit fotografik të Braunit, që përfshin fotografi që ajo ka nxjerrë në 23 gusht 1939, mjaftojnë për të vërtetuar këtë ide. Në atë ditë Ribbentropi, që ishte promovuar në postin e ministrit të jashtëm tashmë, ishte në negociata me Stalinin në Moskë në lidhje me ndarjen e Evropës Lindore mes Gjermanisë Naziste dhe Bashkimit Sovjetik. Hitlerit i duhej aleanca, me qëllim që të pushtonte Poloninë. Fotografitë tregojnë se sa i tensionuar dhe i paduruar ishte ai, teksa priste rezultatin e bisedimeve të Ribbentropit me Stalinin. Ishte politikë e pastër, dhe Brauni ishte aty.
Gërtemakeri beson gjithashtu se gruaja në krah të tij “ndante pa asnjë kritikë këndvështrimin për botën dhe bindjet politike të Hitlerit”. Vetë rrethanat tregojnë se kjo është e vërtetë. Brauni e kaloi gjysmën e jetës 33 vjeçare nën shoqërinë e nazistëve fanatikë.
Dihet mirë se në vitin 1939, Hitleri foli hapur në Reichtag për shkatërrimin e hebrenjve europianë – dhe në testamentin e tij të dytë, të cilin e shkroi pak para se të kryente vetëvrasje, ai nënvizonte edhe një herë urrejtjen për hebrenjtë. Eshtë e vështirë të besosh që Brauni do të kish duruar ato 2280 ditë mes dy testamenteve, nëse nuk do të kish qenë edhe vetë një antisemite. Megjithatë, ndoshta nuk do ta mësojmë asnjëherë nëse ajo u përpoq ta influenconte.
- Legjendat
Brauni ishte besnike deri në vdekje, dhe ishte kjo besnikëri pa kushte që Hitleri vlerësonte më shumë se çdo gjë tek ajo. “Vetëm Miss Braun dhe Pastori im gjerman janë besnikë ndaj meje dhe më përkasin”, thuhet se ka thënë ai aty nga fundi i luftës, kur Europa ishte në rrënoja dhe vrasja e hebrenjve europianë ishte kryesisht një fakt i kryer.
Në atë pikë, Brauni kish vendosur tashmë të qëndronte me Fyhrerin. Ajo madje i kërkoi dikujt ta mësonte si të përdorte pistoletën, kur Ushtra e Kuqe të hynte në Berlin. “Këtu po luftojmë deri në fund”, i shkruante ajo nga bunkeri i Fyhrerit, në 22 prill, një mikeshës së saj. “Do të vdes ashtu si kam jetuar. Nuk do të jetë e vështirë për mua”.
Sipas të dhënave të Gjykatës së Distriktit të Berschtesgadenit, Eva Brauni vdiq në 30 prill 1945, në orën 3:28 pasi piu një kapsulë cianid kaliumi. Hitleri e ndoqi pas dy minuta më vonë.
Tashmë mund të fillonte thurja e legjendave.