MENU
klinika

E folura fluturon, ndërsa fjala e shkruar mbetet

Vdekja më vjen prej syve të tillë

24.09.2019 - 09:36

*Nga Zija Çela

Me kalimin e kohës askush nuk është i mbrojtur nga harresa, e cila shkakton humbje. E prirur për të humbur është sidomos fjala e folur. Prandaj dëgjohet shpesh: E folura fluturon, ndërsa fjala e shkruar mbetet.

Jo rastësisht më erdhi në mend kjo temë. Ndoshta secili, në mënyrën e vet, ballafaqohet përgjatë jetës me ronitjen e fshehtë, por të pandalshme të kujtesës. Edhe unë, kohët e fundit, u ndodha para një befasie. Po e rrëfej më poshtë. Është një rast domethënës nga Rexhep Qosja, personalitet i njohur gjerësisht. Ja citimi i tij:

“18.8.1987
Gazeta politiko-shoqërore dhe kulturore e Tiranës “Drita”, botoi një vështrim të gjatë, në tri faqe të saj, për romanin tim “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, të shkruar prej prozatorit, pa dyshim shumë të talentuar, Zija Çela. Nuk e njoh autorin e këtij vështrimi, nuk jam parë ndonjëherë me të sado kam qenë shumë herë në Shqipëri para vitit 1981. Vështrimi është shkruar me përkushtim, me dashuri, me kulturë dhe me dhunti kritiko-letrare. Vështrimi e nxit shumë kureshtjen e lexuesit për ta lexuar romanin – ashtu dinë të shkruajnë vetëm kritikët e rrallë. Zija Çela e ngre krijimtarinë time dhe etikën intelektuale. Prej vështrimit shihet se Zija Çela e ka lexuar edhe “Morfologjinë e një fushate”.

Nuk e di kur dhe se si mund t’ia kthej prozatorit të talentuar Zija Çela këtë përkushtim vëllazëror. Vështrimi i tij dëshmon se veprat e mia kritike, teorike, historiko-letrare, publicistike dhe letrare po bëhen gjithëkombëtare dhe po bëhen kështu gjithëkombëtare se kanë filluar të lexohen dhe, sigurt, do të lexohen gjithnjë e më shumë edhe prej lexuesve në Shqipërinë shtetërore.

Nuk jam krijues i vetëkënaqur, jo, në asnjë rast; jam krijues i vetëdijshëm për të metat e krijimtarisë sime por, megjithatë, mund të them se e gjithë vlera dhe rëndësia e veprës sime do të njihen plotësisht dhe do të çmohen drejt, aq sa e meritojnë, vetëm mbasi të njihet edhe ky Ditar, natyrisht, në qoftë se e do fati dhe ruhet e mbërrin një ditë në duart e lexuesve. Por, kjo do të ndodhë vonë, ndoshta vetëm pas vdekjes sime.”

Jo, jo, fati i mirë e deshi, ditari “Dëshmitar në kohë historike” mbërriti në duart e lexuesit në të gjallë të autorit. Ai është botuar në VIII vëllime nga Toena. Ndërsa citimi i mësipërm i përket Ditar VI, faqe 374. Ky episod ma rigjallëroi kujtesën, duke më dhënë shkak të rrëfej edhe unë se si u arrit të botohej në Tiranë romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.


Aso kohe unë punoja në gazetën “Drita”. Vjen një ditë në redaksi Ismail Kadare, i cili e kishte lexuar romanin e Qosjes, botuar në Prishtinë nga “Rilindja”, më 1974. Kishte ardhur me deshirën që libri të botohej edhe në Tiranë. Po i ndajmë punët, më thotë intimisht, unë po bëj një recension pozitiv për “Naim Frashërin”, ti pastaj kërko të jesh redaktor. U tha, u bë.

Merret me mend se midis Tiranës dhe Prishtinës së atëhershme kishte dallime në fushën e botimeve, atje publikoheshin tërë autorët përendimorë që këtej anatemoheshin si dekandentë. Akademik Rexhep Qosja, i shquar në fushën e Letrave, përveç të tjerave ishte tepër kurajoz në mbrotje të interesave të Kosovës dhe çështjes kombëtare. Intervistat që i jepte shtypit të huaj dhe që krijonin jehonë ndërkombëtare, i botonim herë pas here në “Drita”.

Autori e kishte cilësuar gjininë letrare të atij libri nëpërmjet një porozimi hipotetik: “Trembëdhjetë tregime që mund të bënin një roman”. Pa hyrë ende në përmbajtje, që këtu fillonte ballafaqimi me kritikën tonë letrare skematike, tepër skematike ama, si dhe ideologjike, tepër ideologjike ama, deri në mbingopje dhe në mbytje të lirisë së artit. (E si qenka e mundur, ku e thotë estetika marksiste-leniniste dhe metoda e realizmit socialist se trembëdhjetë tregime mund të bëkan një roman?! Një vër në ujë mund të bëjnë!..) Romani i Qosjes, duke dhënë tablonë e asaj kohe në një qytet konvencional, gjithë tehun e drejtonte te Danjolli i Sherkës, shërbëtori i pushtuesve të huaj, sytë e të cilit e përgjonin deri në atë shkallë, sa Xhezairit të Xhikës (protagonistit) prej tyre mund t’i vinte vdekja. E desha këtë vepër që në leximin e parë dhe ia vlente përballja me kritikën zyrtare. Si redaktor tashmë nuk kujtoj hollësira, me përjashtim të pak rreshtave që m’u desh t’i hiqja. Një plumb depërton nga dritarja në studion e protagonistit, i bie fotos së Mao Ce Dunit në mur dhe e rrëzon përtokë. Mbasi hoqa këto rreshta, shpresova se e “shpëtova” krejt veprën, të cilën e dorëzova te “Naim Frashëri”. Kështu, me gjasë, të dy nisiatorët e fjetëm mendjen.

Mirëpo prit e prit, botimi kërkund! Takohemi përsëri. Ismaili kishte mësuar (atij nuk i shpëtonte gjë pa e marrë vesh) se, pasi e kishte lexuar, nëndrejtori i shtëpisë botuese e kishte futur dorëshkrimin në sirtar, duke qenë kundër. Mua më mbetej të trokisja menjëherë. Çfarë leximi të mbrapshtë që kishte bërë! Masakra niste nga fillimi e deri në fund. (Për shembull, duhej hequr krejtësisht “Trashja”, tregimi (kapitulli) me të cilin niste libri.) Kundërshtimi kryesor i nëndrejtorit: Romani nuk mund të botohet se është kundër (!) inteligjencies kosovare.

E pashë se me argumente nuk hante pykë dhe, siç e kishim lënë me Ismailin, duhej të provonim ndonjë ndërhyrje lart. Këtë ndërhyrje e bëra te Mehmet Karakushi, i cili mbulonte kulturën në Komitetin Qendror. Karakushi ishte nga një fshat i Kukësit, diku afër Qafës së Prushit, në kufi me Kosovën. Ne ishim dëgjuar gjatë viteve që kisha punuar si mësues në Has, madje njerëzit e së shoqes (Pogajt) i kisha njohur nga afër në Krumë. Dhe ky zotëri burrë, pavarësisht nga posti partiak dhe linja politike që mbronte, duke qenë mirëdashës, në mirëbesim me një telefonatë hapi rrugën e botimit, pa u prekur versioni i plotë që kisha paraqitur në redaksi.

Pastaj gjërat i çuam deri në fund. Unë bëra shkrimin në Drita. Dhe në dosjet e mia e gjeta këto ditë. Mban titullin “Në emër të dashurisë ndaj njeriut, të vendlindjes dhe të bukurës”. Është botuar më 26 korrik 1987, në faqet 6, 7 e 10 të gazetës. Për hir të së vërtetës, në atë kohë nuk e kisha lexuar “Morfologjinë e një fushate”.

Atëherë dhe sot, unë e pëlqej debatin e ideve mes kolegëve, por në kufirin që përjashton mëritë për njëri-tjetrin. Megjithatë, për ta mbrojtur botimin e romanit në Tiranë, ndër të tjera i dilja para atyre kritikave që kishte “depozituar” nëndrejtori dhe që mund të gjenin mbështetje.

Sidoqoftë, “fundi i lumtur” nuk mbaron me kaq. Ismaili e rekomandoi në Francë dhe romani u botua atje. Kritika franceze e mirëpriti dhe pati mjaft shkrime. Merret me mend, duke folur për autorin nga Prishtina, doemos përmendej Kosova. Në atë kohë, Prof. Remzi Pernaska bëri një përmbledhje nga shtypi franzes, duke i sjellë citimet e vlerësimeve bashkë me emrat nënshkrues.

Ne i dhamë vend menjëherë në gazetë. Më kujtohet se, në atë përmbledhje, profesori kishte përfshirë edhe një vlerësim nga shkrimi im.

Mbas dymijëshit i kam bërë një vizitë në shtëpi Rexhep Qosjes. Me kafen përpara, kemi shkëmbyer mendime, jemi pajtuar dhe, për ceshtje të caktuara, kemi pasur opinione të ndryshme. Por mbaj mend se i zoti i shtëpisë më ka dhuruar libra, pastaj më ka përcjellë deri te dera e oborrit, ku jemi ndarë miqësisht.

Nuk jam i sigurt sa vite kaluan pastaj, kur u “takuam” përsëri në panairin e librit në Prishtinë ose në Shkup. Botuesja jonë, zonja Irena Toçi, kishte vënë në stendën e Toenës dy posterat tanë. Si të mos mjaftonin emrat, ajo ishte kujdesur që secilit t’i shkruhej edhe “Nderi i Kombit”. Kishim ndjekur çdonjëri rrugën e vet dhe, së fundmi, ja një pikë ku bashkoheshin shtigjet. Ishim ballë për ballë, në atë mënyrë që shiheshim sy më sy dhe më dukej sikur diç po i thoshim njëri-tjetrit. Atëherë nuk e dija, por tash më lejohet të përfytyroj sikur Rexhep Qosja diç më murmuriste për pengun e tij të vjetër: “Nuk e di, Zija Çela, kur dhe se si mund të ta kthej atë përkushtimin tënd vëllazëror.” Ndësa unë, për ta qetësuar,pëshpërisja gjithashtu: “Pa merak, Rexhep i dashtun. E kam thënë me vakt dhe disa herë: Kur kam mundësi të bëj një të mirë, nuk e bëj që të më kthehet, por që të bëhem vetë më i mirë.”

Kështu pra, me kalimin e kohës kujtesa pëson humbje, madje rrezikon të shpërbëhet dalëngadalë. Ne që e jetuam gjatë një pjesë të historisë së letërsisë, ia vlen të dëshmohemi me shkrim. E shkruara mbetet.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit