MENU
klinika

Po Kosova?

Vuçiç takon Ramën, në tetor firmoset “Shengeni i vogël”

25.09.2019 - 13:21

Në Nju Jork ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar për mediat serbe se është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe me kryeministrin Zoran Zaev.

Sipas Vuçiç, me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka diskutuar për heqjen e barrierave për bizneset dhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe shërbimeve.

Një takim i tillë nuk është raportuar zyrtarisht në faqen e Presidencës së Serbisë dhe as nga Kryeministria e Shqipërisë.

Gjithsesi, sa i përket asaj që ka deklaruar për mediat e vendit të tij, Presidenti serb ka theksuar se është diskutuar në takim për një “Shengen të vogël” që pritet të formohet nga tre shtetet: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Vuçiç tha se një marrëveshje specifike në këtë fushë do të firmoset në konferencën e Novi Sadit, më 9-10 tetor, ku ai pret të jenë të pranishëm Rama dhe Zaev.

“Ajo që diskutuam është se duam të jemi më specifikë. Ne duam të krijojmë lidhje më të thella politike dhe ekonomike dhe të paraqitemi para BE-së si një bllok, sesa individualisht,” u tha Vuçiç gazetarëve.

Kosova nuk përfshihet në këtë marrëveshje dhe i pyetur nga gazetarët, Vuçiç u shpreh: “Është e rëndësishme për Serbinë që Prishtina të përfshihet në këtë proces”.

Ideja e të ashtuquajturit “Shengen ballkanik” qarkullon prej vitesh, por janë Kosova dhe Mali i Zi që e kundërshtojnë ashpër pasi e konsiderojnë këtë veprim si një përpjekje për rikthimin e ish-Jugosllavisë.