MENU
klinika

Serie A

‘Xhuxhi magjik’ shkëlqen sërish/ Inter kalon Udinesen!

14.09.2019 - 23:07

Stefano Sensi vijon të konfirmohet njeriu i momentit te Interi.

Edhe mbrëmjen e sotme ka qenë vendimtar për zikaltrit, duke shënuar golin e vetëm të takimit dhe duke u dhënë fitoren përballë Udineses në “San Siro”.

Vuajtën jo pak zikaltrit e Antonio Contes, që ndonëse patën epërsi numerike për më shumë se 55 minuta, nuk arritën të shënonin më tepër se një gol, duke mbajtur në ankth tifozërinë deri në vërshëllimën finale të arbitrit Mariani.

Sfida nisi me Udinesen të vendosur mjaft mirë në fushë, që qarkullonte topin dhe tentonte të zbriste rrezikshëm, por mbrojtja e Interit ishte në një ditë vërtetë të mirë. Shkëndijën e parë e dha Politano në një kundërsulm, por gjuajtja e tij nga distanca u përplas në shtyllën e portës së Muso.

Pak minuta më vonë, ishte Stefano Sensi që pasi mori një top mbi vijën e 16 metrave, gjuajti fluturimthi, por në të njëjtën mënyrë u përgjigj edhe gardiani i Udineses, që grushtoi topin në goditje këndi.

Në minutën e 35-të ndodhi edhe episodi që kushtëzoi ndeshjen, largimi me karton të kuq i argjentinasit të Udineses, Rodrigo De Paul. Ky i fundit tentoi t’i vjedhë një faull Candrevës, por anësori zikaltër nuk ishte dakord dhe i kërkoi llogari.

Në këtë moment numri 10 i bardhezinjve humbi toruan dhe qëlloi me shpullë italianin, ndërsa arbitri Mariani rishikoi aksionin me ndihmën e VAR dhe vendosi t’i nxjerrë menjëherë kartonin e kuq, duke lënë Udinesen me një lojtar më pak.

Takimi do të zhbllokohej në minutën e 44-t të pjesës së parë, kur Diego Godin avancoi në gjysmëfushën e Udineses dhe krosoi në zonë, ku të gjithë rendën pas Lukakut, por ishte Sensi që erdhi pas shpinës së belgut dhe gjuajti me kokë, duke çuar topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë ishte Interi që kërkoi të kontrollojë lojën dhe të shënojë gola të tjerë për të mbyllur ndeshjen, por shumë shpejt Udinese kërcënoi me një rast me Lasagnën, goditja e të cilit u prit nga Handanovic.

Pati vend në fushë edhe për Alexis Sanchez, por rezultati i ndeshjes mbeti i pandryshuar deri në fund!