MENU
klinika

"Blindohen" zonat kufitare

1-vjetori i vrasjes së Kostandin Kacifas, ndalohet hyrja e ekstremistit Karathanos

25.10.2019 - 20:26

Një ditë përpara 1-vjetorit të vdekjes së Kostandin Kacifas, antiterrori ka blinduar zonat kufitare të rretheve Sarandë dhe Delvinë.

Sipas informacioneve, ato do përqendrohen në tre pika kryesore, në Qafë Botë, portin e Sarandës, por edhe në kryqëzimet e rrugëve që çojnë drejt Gjirokastrës, me qëllim ndalimin e hyrjes në Shqipëri të personave të shpallur “non grata” si dhe identifikimi i personave që kanë qenë problematik në varrimin e Kacifas.

Burime bëjnë të ditur se shoqatat patriotike greke, duke përdorur “fuqinë e rrjeteve sociale” kanë bërë thirrje për grumbullimin e sa më shumë të rinjve, nga ku mësohet se të paktën rreth 10 autobusë me mbështetës të tyre, por edhe të Kacifas priten të mbërrijnë në Shqipëri.

Ndërkohë i është ndaluar hyrja në Shqipëri ekstremistit grek, Babis Karathanos, i cili ka tentuar të hyjë në territorin shqiptar pasditen e sotme nëpërmjet doganës së Qafë Botës.

Ai është kthyer mbrapsht nga pala shqiptare për shkak se shihet si një element që mund të shkaktojë trazira në ceremoninë e 1 vjetorit të vrasjes së Konstandin Kacifasit në Bularat.

Ish-deputeti i Parlamentit grek, Karathanos, ishte i shoqëruar nga deputeti i partisë në pushtet në Greqi, Demokracia e Re, Kostantinos Bogdanos dhe shoqëruesi i këtij të fundit Achileas Arvanitis. Edhe vete Karathanos ishte një nga kandidatët për tu bërë deputet nën siglën e partisë Demokracia e Re.