MENU
klinika

Vendimi i Bashkisë në ditëlindjen e Dritëroit

13 Tetor…lindi Agolli dhe Devolli gëzoi përjetë!

13.10.2019 - 16:04

Shkrimtari i madh Dritëro Agolli është i paharruar jo vetëm për kombin por ai është një nga njerëzit më të dashur e të çmuar edhe në vendlindjen e tij, Menkulas të Devollit.

Gjithmonë ai ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit e tokës ku lindi. Ndaj me rastin e ditëlindjes Bashkia e Devollit dhe shoqata ‘Agolli’ organizojnë sot një koncert madhështor për poetin e madh “Nder i Kombit” Dritëro Agolli.

Festa oganizohet në vendlindjen e tij në fshatin Menkulas. Me këtë rast Këshilli Bashkiak, mori vendim që data 13 Tetor, ditëlindja e të madhit Agolli, të caktohet “Festa Lokale e Krahinës” me emërtesën “Dita e Dritëroit”.

***

Nëse nuk do të ndahej nga jeta 2 vite më parë, Dritëro Agolli sot do të mbushte plot 88 vjeç.

U lind më 13 Tetor 1931 në Menkulas të rrethit të Devollit, pranë Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Më pas vazhdoi studimet e tij në Falkutetin e Arteve në Shën Petersburg.

Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Dritëro Agolli vjershën e parë e ka botuar në vitin 1947, në gazetën “Rinia. Për tridhjetë vjet me radhë u zgjodh deputet.

Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje.

Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës.

Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Ai u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.

Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.

Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën. Në moshën 86 – vjeçare ndahet nga jeta nga një semundje kronike në mushkri, por ai do të mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare.

Një nga veprat e tij më të njohura për të gjithë shqiptarët është poezia “Kur të jesh mërzitur shumë”.

Këtu s’do të jem, do t’jem larguar,
Në tokë i tretur si të tjerë,
Në kafenenë e preferuar,
S‘do t’më shohin, kamarierë.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur,
Një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë,
Në raft të librave kërkomë,
Atje i fshehur do t’jem unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh,
Dhe unë do zbres, do vij pas teje,
Ti si dikur me mall do t’qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.

Në rrëfimet e Dritëroit për biografinë e tij ai thotë: “Jeta ime ka pasur dy momente të rëndësishme, vajtja në gjimnazin e Gjirokastrës ku u njoha me një kulturë të gjerë qytetare dhe pastaj Shën Petërburg-u. Atje e kuptova ç’ishte kultura”.

Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll, Poemë malore, Hapat e mia në asfalt etj.).

Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik.

Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve.

Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.

Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”

Shfaqjet do të vazhdojnë deri më 8 dhjetor

Festivali teatror “Hapat” në edicionin e tretë

"Deri dje, trashëgimi e braktisur"

“K’cimi i Tropojës”, zyrtarisht në UNESCO

Shkolla e parë kombëtare pedagogjike në Shqipëri

Nga Gurakuqi, te Xhuvani e Çabej, personalitetet e Normales së Elbasanit!

Mbahet “Konferenca për Turizmin e Qëndrueshëm”

Shqipëria anëtarësohet në GSTC

“Ari shqiptar t’i kalojë bankës së Moskës”

Kërkesa e Enver Hoxhës për Stalinin në 1949-ën!