MENU
klinika

Çelet thirrja e dytë në “Punë të mbarë”

219 vende pune për studentët ekselentë

17.10.2019 - 10:13

Në kuadër të Paktit për Universitetin po vijon punësimi i studentëve ekselentë në institucionet e administratës shtetërore, ku në 20 shtator ka përfunduar aplikimi për thirrjen e dytë në platformën e punësimit punetembare.al për 219 vende vakante.

Kriteret e përzgjedhjes së studentëve janë mesatarja 9-10, si dhe diplomë e çdo niveli e përfituar nga 2015 e në vijim.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se vetëm në thirrjen e dytë të aplikimeve në punetembare.al janë hapur 219 vende për studentët ekselentë.

“Mirëmëngjes dhe me thirrjen e dytë të aplikimeve në punetembare.al për 219 vende vakante në dispozicion të studentëve ekselentë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu tha se “sot kemi filluar përzgjedhjen për thirrjen e dytë të punësimit të studentëve ekselentë, falë Paktit për Universitetin dhe falë platformës punetembare.al, ku janë shpallur 219 pozicione pune në institucionet kryesore të administratës publike qendrore”.

“Ekselentët që janë përzgjedhur janë rankuar bazuar vetëm mbi mesataren e tyre. Sot kanë mundësinë të përzgjedhin një vend pune, ndërkohë që falë Paktit për Universitetin ne zhvilluam thirrjen e parë në muajin janar dhe sot që flasim kemi 459 nëpunës publikë që punojnë në institucionet e administratës dhe që po përfitojnë një eksperiencë të vyer profesionale”, tha ajo.

Sipas saj, “kjo nuk është thirrja e fundit, ne do të vijojmë që të kemi edhe thirrje të tjera”. “Thirrja do të jetë periodike në vazhdim sipas modaliteteve që do të publikohen në platformën punetembare.al dhe në faqen e Departamentit të Administratës Publike”, tha ajo.

Njëra prej përfitueseve të këtij programi u shpreh se “kam mbaruar Financë-Kontabilitet në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe kam aplikuar në thirrjen e dytë të ekselencës. Pata mundësi të përzgjidhja dhe zgjodha te Sektori i Kontrollit Tatimor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve”.

Elisa, një tjetër studente ekselente tha se kishte mbaruar master shkencor për Financë pranë Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës në korrik të këtij vitit. Në momentin që u hap thirrja aplikova dhe erdha këtu sot për të përzgjedhur pozicionin. Ndihem shumë e kënaqur për këtë mundësi që i jepet studentëve ekselentë në mënyrë të tillë që të kemi mundësi të fitojmë një eksperiencë në administratën shtetërore”.

Ina Hasankolli tha se ka mbaruar master shkencor pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. “Përzgjodha një pozicion si specialiste pranë Sektorit të Çështjeve Tatimore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve”, tha ajo.

Një tjetër përfituese e këtij programi punësimi, tha se kishte mbaruar master shkencor për Financë-Kontabilitet me mesatare 9.9. “Për momentin punoj në një korporatë si kontabiliste, por doja të provoja diçka të re, zgjodha inspektore te Drejtoria e Tatimeve”.

Anxhela Hodaj tha se sapo ishte diplomuar këtë vit pranë Fakultetit të Ekonomisë për Kontabilitet dhe Auditim. “Për fat të mirë procesi i aplikimit përkoi edhe me fazën e aplikimeve në programin e ekselencës, kështu që ishte një mundësi shumë e mirë për të aplikuar. Bashkë me sugjerimet që mora brenda dhe me këshillat unë qëndrova si specialiste në Sektorin Marketing dhe Kërkim Analize pranë Qendrës së Kërkimit dhe Zhvillimit të Investimeve.

Mendoj se do të jetë një eksperiencë 1-vjeçare shumë e mirë”, tha ajo.