“Fati i Shqipërisë në Evropë dhe kush përpiqet ta ndalë do të turpërohet si etërit e tyre”.
Kështu u shpreh kreu i PD, Lulzim Basha në kujtim të 72-vjetorit të vrasjës së 5 deputetëve nga regjimi komunist.
Në një status në Facebook, Basha shprehet se 72 vjet pas ngjarjes, ndjehemi krenarë për deklaratat që ata deputetë, tribunë të vërtetë të mendimit shqiptar, dhanë në gjyqin e montuar.
Ata u shprehën troç se nuk e donin regjimin që ishte ngritur në Shqipëri e se ata ishin organizuar e po përpiqeshin për një Shqipëri si Europa, një Shqipëri me demokraci perëndimore.
“72 vjet më vonë, në Shqipëri kemi një parlament monist, ku çdo ditë mendohet si të prodhohen ligje për të vjedhur e plaçkitur shqiptarët dhe pasuritë e tyre, për të ndaluar opozitën politike e median kritike. 72 vjet më vonë, regjimi autokratiko-kriminal i drejtohet opozitës politike me të njëjtën terminologji siç u drejtohej xhelati grupit të deputetëve, duke e quajtur një forcë e errët e cila do të marrë pushtetin.
Por siç na mëson historia e na e ka lënë trashëgimi edhe përpjekja e grupit të deputetëve, askush s’mund ta ndalë ëndrrën e një populli, lirinë e tij, fatin e tij. Fati i Shqipërisë është i shkruar dhe është në Europë. Ata që përpiqen ta ndalin këtë udhëtim, do turpërohen si etërit e tyre”, shkruan ndër të tjera Basha.
Basha thotë se duke përkujtuar betejën e grupit të deputetëve të pushkatuar, kemi detyrimin të ruajmë lirinë dhe demokracinë.
“Ato kërcënohen sot nga karikaturat e brezit të dytë të diktaturës komuniste, të shndërruara në një aradhë pa komb, që ka vetëm një kult, vjedhjen.
Është një betejë e re dhe të gjitha forcat demokratike, trashëgimtare politike të platformës së paraqitur nga grupi i deputetëve, janë thirrur në skenën e historisë, për ta fituar atë bashkë me të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë”, shprehet Basha.