MENU
klinika

Anti-informaliteti

7 mijë biznese të inspektuara, 30% e tyre me shkelje

14.10.2019 - 22:01

Gjatë periudhës korrik e deri në ditët e para të tetorit, numri i inspektimeve të kryera në biznese arriti shifrën 7 mijë ndërsa 30% e tyre kanë rezultuar me shkelje proceduriale.

Shifrat u bënë publike nga zëvendës ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Elton Haxhi, gjatë një inspektimi të kryer në biznesin e një të riu, ambient i cili më parë funksiononte si pikë bastesh ndërsa aktualisht është një dyqan rrobash i menaxhuar nga një i ri i kthyer nga jashtë.

“Ky biznes është shumë interesant si rast pasi ambienti ka qenë i shfrytëzuar për një aktivitet tjetër. Djali vjen nga jashtë, nga një kulturë tjetër tatimore. Respektimi i ligjit dhe është gjetur konform legjislacionit apo rregullat që duhet të zbatojë por ngjitur me të, kemi një biznes tjetër që është gjetur me shkelje për herë të dytë, gjë që është një shkelje e rëndë dhe shpresoj që të mos bëhet për herë të tretë. Gjatë periudhës korrik-shtator sipas planit operacion janë inspektuar 6200 subjekte  dhe vetëm 10-ditëshin e parë të muajit tetor janë inspektuar edhe 800 të tjerë, ku numri total shkon në 7 mijë subjekte. Rreth 30% e subjekteve që janë inspektuar kanë rezultuar me shkelje të natyrave të ndryshme, disa për mos lëshim  kuponi, ca punonjës të paregjistruar apo të kasës fiskale që janë jashtë funksionit apo bizneset që nuk janë regjistruar fare”, -u shpreh Haxhi.

ekonomia

Inspektimet e kryera sipas zv/ministrit janë bërë konform ligjit ndërsa u shpreh se kontrollet do të vijojnë.

“Masat që janë marrë kanë qenë konform legjislacionit. Planet operacionale do të shërbejnë për ndërgjegjësim qoftë për biznesin ashtu edhe për konsumatorin. Ky plan operacion do të vazhdojë  me të njëjtat ritme, në sektorë të ndryshëm sipas riskut që ne vlerësojmë për sektorët dhe shpresojmë që të kemi më pak shkelje”, -tha ndër të tjera Haxhi.

Sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, qëllimi i kontrolleve nuk është ndëshkimi, por nxitja e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore duke mundësuar edhe konkurrencë të ndershme mes bizneseve.