MENU
klinika

Financat publike

Akti Normativ/ Rishpërndarja e fondeve mes ministrive

12.10.2019 - 11:05

Këto ditë ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë Akti Normativ më fuqinë e ligjit, i cili bën ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin në vazhdim.

Akti, që është miratuar nga qeveria, duhet të marrë OK edhe nga ana e Parlamentit, në mënyrë që të hyjë në fuqi.

Sipas hartuesve të tij, Akti Normativ është i domosdoshëm që të ruajë nivelin e planifikuar, në buxhetin e vitit 2019, të parametrave kryesorë makroekonomikë, të tillë si: nivelin e deficitit buxhetor (rrjedhimisht dhe nivelin e borxhit publik), ndërkohë që niveli i sufiçitit primar vazhdon të ruhet në terma pozitivë nominalë dhe kundrejt PBB-së. Po kështu, që të reflektojë rritjen e tavanit të shpenzimeve për njësitë vendore, në masën 4 miliardë lekë, si rrjedhojë e rritjes në masën 3 miliardë lekë të të ardhurave vendore, dhe, në masën 1 miliardë lekë të financimit të huaj vendor. Ky i fundit, kompensuar me pakësimin në të njëjtën masë të financimit të huaj qendror.

Nga ana tjetër, ndryshimet në buxhet duhet që të mundësohet shlyerja në kohë e detyrimeve financiare kontraktuale të institucioneve buxhetore nëpërmjet rialokimeve buxhetore, duke reduktuar, kësisoj, mundësinë e krijimit të detyrimeve të prapambetura deri në fund të vitit 2019; akomodimin e nevojave të reja të funksionimit të institucioneve të sistemit të drejtësisë (Vettingu-t), si nga pikëpamja e shpenzimeve ashtu edhe e numrit të punonjësve; sistemime dhe/ose rialokime të tjera pa kosto shtesë efektive ndërmjet zërave të shpenzimeve buxhetore, bazuar në ecurinë faktike 9-mujore, por të cilat ndikojnë ndjeshëm në rritjen e performancës së pritshme të realizimit të treguesve në fund të vitit 2019, etj.

Ku shkojnë fondet
Në Akt vendoset rishpërndarje e fondeve brenda zërave te shpenzimeve të buxhetit, të cilat sigurojnë financimin për disa zëra sensitivë të shpenzimeve korente, si fondi rezervë, skema e fermerëve, skema e PAK-ut, arsimi i lartë, rendi, mbrojtja, etj. Disa prej tyre janë tek Ministria e Brendshme: 450 mln lekë për orët jashtë orarit për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ushqim & orë pune FNSH/kursantët, si edhe 30 mln lekë për pagat e Gjendjes Civile; Ministria e Mbrojtjes: 120 mln lekë për mirëmbajtjen e sistemit ‘Palantir’ dhe 330 mln lekë për misionet jashtë vendit; Ministria e Shëndetësisë: 300 mln lekë për skemën e PAK-ut, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019; Ministria e Arsimit: 300 mln lekë për Arsimin Bazë, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019 dhe Ministria e Bujqësisë: 200 mln lekë për Skemën e Fermerëve, për kompensimin e çmimit të qumshtit.

Investimet
Po ashtu, është parashikuar edhe një shpërndarje e burimeve dhe rishpërndarje e fondeve drejt projekteve të investimeve publike, të cilat rezultojnë me progres të mirë deri tani, me qëllim arritjen e nivelit të programuar të tyre për vitin 2019. Kjo, gjykuar edhe nga trendi ndër vite i realizimit të investimeve publike, ku punimet përqendrohen, kryesisht, në tremujorin e fundit. Konkretisht, ky Akt Normativ garanton ndër të tjera: 1 miliardë lekë financim i huaj për të mundësuar avancimin e punimeve në By-Pass-in Fier dhe përfundimin e një krahu të rrugës; dhe 370 milionë lekë shpronësimet në objektet e Autoritetit Rrugor Shqiptar; 800 milionë lekë për avancimin e projekteve kryesore të programeve të zhvillimit; 200 milionë lekë për shtimin e ritmit të punimeve për rikonstruksionin dhe pajisjet e godinës së TKOB, për të mundësuar përfundimin e këtij projekti të rëndësishëm brenda afateve të parashikuara; 200 milionë lekë për vazhdimin e financimit të projekteve me fokus mbrojtjen e argjinaturave lumore, dhe sistemin e kanaleve ujitëse; 125 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për “Polin e Drejtësisë”; 90 milionë lekë për “Rikonstruksionin e godinës së Maternitetit të Vjetër” dhe 1 miliardë lekë për avancimin e punimeve për projektin e “Bulevardit Verior dhe Rehabilitimit të Lumit të Tiranës”.

Si rishpërndahen fondet brenda ministrive
Ministria e Brendshme
450 mln lekë për orët jashtë orarit për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ushqim & orë pune FNSH/kursantët dhe 30 mln lekë për pagat e Gjendjes Civile

Ministria e Mbrojtjes
120 mln lekë për mirëmbajtjen e sistemit ‘Palantir’ dhe 330 mln lekë për misionet jashtë vendit

Ministria e Shëndetësisë
300 mln lekë për skemën e PAK-ut, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019

Ministria e Arsimit
300 mln lekë për Arsimin Bazë, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019

Ministria e Bujqësisë
200 mln lekë për Skemën e Fermerëve, për kompensimin e çmimit të qumshtit

Si rishpërndahen fondet për investimet publike
1 miliardë lekë financim i huaj për të mundësuar avancimin e punimeve në By-Pass-in Fier dhe përfundimin e një krahu të rrugës

370 milionë lekë shpronësimet në objektet e Autoritetit Rrugor Shqiptar

800 milionë lekë për avancimin e projekteve kryesore të programeve të zhvillimit

200 milionë lekë për shtimin e ritmit të punimeve për rikonstruksionin dhe pajisjet e godinës së TKOB

200 milionë lekë për vazhdimin e financimit të projekteve me fokus mbrojtjen e argjinaturave lumore dhe sistemin e kanaleve ujitëse

125 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për “Polin e Drejtësisë”

90 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës së Maternitetit të Vjetër

1 miliardë lekë për avancimin e punimeve për projektin e Bulevardit Verior dhe Rehabilitimit të Lumit të Tiranës