MENU
klinika

Kush e bllokoi Shqipërinë?

Arsyet “franceze” të një gabimi gjeostrategjik evropian

23.10.2019 - 15:45
  • Nga Nezir Kraki

Franca e vitit 2019 nuk është Franca e vitit 1999.

Prandaj veprimet e saj sot neve na duken të çuditshme sepse presim që edhe Parisi ta ndjekë statizmin tonë ose të brengoset për neve. As Evropa e vitit 2019 nuk është ajo e vitit 1999. Gjithçka ka ecur dhe ka ndryshuar në Evropë përveç neve që kemi mbetur në stade të polikës stagnuese, të endur në mes krimit dhe korrupsionit, të qeverisur nga banda dhe klika që idenë s’ia kanë ndryshimit të rrjedhave politike evropaine e globale.

Franca e vitit 2019 është vend i frikësuar nga brenda dhe i përqendruar vetëm në hallet kombëtare. Sjellja e presidentit Macron në çështjet evropian e botërore nuk mund të kuptohet pa ia njohur sadopak atij hallet dhe brengat politike të brendshme. Ai nuk është as racist as anti shqiptar. Eshtë thjesht politikan i ri që kishte premtuar fundin e politikës së vjetër dhe që tash rikthehet me të dyja këmbët në të.

Kur u zgjodhë president, zoti Macron ishte më ambicioz dhe më i hapur sepse shpresonte në një qetësi në rendin botëror. Në fjalimin e tij inaugurues si president ai fliste për Evropën dhe dëshirën e tij për reforma në nivel evropian. Fliste për ekologjinë botërore dhe sfidat e përbashkëta në tema si Irani, terrorizmi, raportet me Rusinë… Nuk e kishte menduar se Donald Trump do ta zhbënte rendin botëror me 2-3 cicerima dhe do ta eklipsonte Francen duke e dekredibilizuar në skenën botërore dhe evropaine. Presidenti Trump ka dy vite që bën të kundërten e asaj që mendonte presidenti Macron dhe kjo ka bërë që Macron të pajtohet gradualisht me faktin se nuk ishte lojtar qendror në fushën kaotike të politikës botërore.

Ndërkohë, duke u marrë me tema evropiane e botërore, presidentit francez sikur i doli situata jasht kontrollit në shtëpi. Në këtë kontekst, para një viti lindi levizje kundërshtuese sociale e jelekverdhëve e cila e detyroi presidentin « të rikthehej urgjentisht në shtëpi » dhe të merrej me hallet konkrete të njerëzve. Qeveria u tërhoq nga temat « në modë » si ajo e takses karbon për mbrojtje të ambientit dhe premtoi që do ta rishikonte edhe marrëdhënien me Evropën për t’iu siguruar më shumë mbrotje punëtorëve francezë që ankoheshin në protestat e të shtunave.

Evropa si projekt politik unitar veç doli në plan të dytë e të tretë si temë, si preokupim. Në zgjedhjet evropiane të këtij viti, në nxehtësinë e lëvizjes kundërshtuese sociale, partia e presidentit Macron ‘La République en Marche’ (Republika n’lëvizje) doli gati baraz me ekstremin e djathë dhe ksenofob të Marine Le Pen. Ekstremi i djathtë i kishtë rrahur pikërisht temat e braktisura nga Macron duke u kthyer në një parti gati normale dhe të frekuentueshme. Zgjedhjet evropiane e konfirmuan në të njjetën kohë zbehjen dhe në disa raste zhdukjen e partive klasike si ajo socialiste apo e djathta e ish presidentit Sarkozy.

Dhe, ky ishte veç fillimi…

Në mars të vitit 2020 janë zgjedhjet lokale franceze dhe temat që i preokupojnë francezët sot nuk janë aspak zgjerimi i BE-së apo kurdët e Sirisë. Pradnaj presidenti Macron tha se e kishte të vështirë t’ia sqaronte francezëve dëshiren për zgjerim në Ballkan. E di që duket paradoskale por presidenti Macron deri në zgjedhjet lokale të marst 2020 do bëjë politikë lokale edhe kur do flasë për tema evropiane sepse votuesi francez nuk do më Evropë. Përveç kësaj, ka shumë rreziqe politike sot në Francë dhe opinioni është duke përqafuar sa më shumë rryma dhe parti me bindje anti Evropë sepse Evropa këtu shihet (pa të drejtë sipas meje) si një krijesë e lodhur dhe penguese, dmth e padobishme.

Francezi 20 ose 30 vjeçar e ka harruar arsyen fillestare të idesë evropaine që ishte evitimi i luftës. Prandaj skena politike franceze sot i ka dy blloqe të forta që gati nuk ekzistonin para pak vitesh : partinë presidenciale që është e papërvojë dhe disi e çorganizuar në terren dhe partinë ekstreme të djathtë e cila bën thirrje për mbyllje të Francës, dalje nga NATO, rishqyrtim të BE-së dhe të Euros ejj. Sondazhet aktualisht e nxjerrin keq partinë presidenciale dhe kjo ka bërë që edhe në pallatin Elysée të instalohet njëfarë klime paniku.

Pikërisht në këtë kontekst dhe i zënë ngusht nga rrethana kombëtare presidenti Macron e ka gjykuar si politikisht më të dobishme mbylljen e përkohshme të derës së integrimit për Ballkanin perëndimor. Pastaj, logjikshëm, atë e ndihmuan faktet e pakundërshtueshme të dështimit të brendshëm të Shqipërisë që, sipas tij, prodhon edhe eksodin e azilkërkuesve të dëshpëruar, numri i të cilëve veç rritet dita-ditës (Nga 2270 kërkesa për azil në vitin 2012 në 11300 të tilla në vitin 2017 dhe rreth 8600 në vitin 2018, shifra zyrtare).

Megjithatë, Franca gaboi dhe gabimin e saj do ta kuptojë dhe korrigjojë shumë shpejt, sapo të kenë kaluar ethet e zgjedhjeve këtu.

Kam vite që them se gjeneratat e reja të politikanëve evropianë dhe amerikanë nuk e kanë asnjë lidhje me Ballkanin dhe nuk i njohin rrethanat komplekse në të cilat gjendet vendet tona. Presidenti francez Emmanuel Macron është evropian me bindje por pa ia njohur Evropës problematikat gjeostrategjike që shpesh dalin nga gjiri i vendeve antare. Ai sot e përfaqëson atë Francën që ka dëshirë ta shohin si superfuqi por pa u lodhë shumë me hallet e botës. E Franca kurrë s’ka qenë kështu, prandaj ajo nuk duhet të bëjë politikë botërore duke aplikuar straetgji lokale të bazuar në sondazhe poullariteti.

E ne ? Ne si Shqipëri e si Kosovë duhet të vendosim të merremi seriozisht me veten tonë dhe të vrapojmë drejt qëllimeve tona sepse vitet iken dhe do ikin edhe dekadat fare pa u hetuar, bashkë me shpresën tonë. Franca dhe Evropa nuk na urrejnë por sot të dyjat janë të sëmura.

Derisa këto të shërohen, ne mund të bëjmë punë të dobishme që na afrojnë me Parisin.