Në aksin rrugor Tiranë-Ndroq-Plepa është duke u punuar me intensitet për ta bërë këtë aks më lehtë të aksesueshëm për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Përgjatë gjithë gjatësisë së këtij segmenti, që nis nga dalja e Tiranës, është ndërhyrë për të bërë të mundur rehabilitimin e pjesëve të amortizuara si dhe pajisjen e saj me sinjalistikën e nevojshme me qëllim rritjen e sigurisë rrugore përgjatë gjithë segmentit.
Ecuria e punimeve u ndoq nga afër nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho.
Kreu i ARRSH-së në detyrë, bëri të ditur se ndërhyrja në këtë segment erdhi pas amortizimit të disa pjesëve të këtij segmenti duke shtuar se ky investim po bëhet i mundur në saj të fondit të mirëmbajtjes të akorduar nga Banka Botërore. “Rruga Tiranë-Ndroq-Plepa ka nisur si rezultat i përkeqësimit të tepërt të kësaj rruge. U munduam që nga mirëmbajtja rutinore nga Drejtoria Rajonale ta kalonim në mirëmbajtjen e Bankës Botërore me performancë. Është akorduar një fond 900 mijë euro ku nga ato 500 mijë euro janë ndërhyrje të thella në zonat ku gjeologjia dhe asfalti ka qenë i dobët”, tha Verdho.
Për drejtuesin e projekteve të Bankës Botërore, fokusi i kësaj ndërhyrjeje është rritja e sigurisë rrugore përmes vendosjes së të gjithë elementëve të nevojshëm. “Fokusi kryesor është në rritjen e sigurisë rrugore sepse edhe riparimet asfaltike që këtu janë bërë janë në funksion të kësaj. Plotësimi me sinjalistikë vertikale dhe horizontale, këto rrisin elementët e sigurisë gjë që është dhe një nga prioritetet, jo vetëm të projektit tonë, por edhe një direktivë nga Qeveria Shqiptare e cila e ka në vitet e ardhshme si një nga prioritetet kryesore e cila zbatohet edhe nga ARRSH në rastin konkret”, u shpreh Klodian Sava.
Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm faktin e mirëmbajtjes së këtij aksi rrugor, Ministrja Belinda Balluku tha se zona të cilën përshkon rruga Tiranë-Ndroq-Plepa është një zonë ku turizmi ka marrë një vëmendje të shtuar pasi ushtrojnë aktivitetin e tyre një sërë biznesesh kryesisht në agrikulturë.
“Aksi Tiranë – Ndroq – Plepa është një aks i rëndësishëm për zhvillimin e agrikulturës në këtë zonë. Zona e Ndroqit ka qenë një nga nismëtaret e zhvillimit të bujtinave, të agrikulturës, të prodhimeve bio, kështu që kjo është një rrugë që qytetarët, qoftë të Tiranës dhe Durrësit, apo dhe qytetarë të tjerë nga të gjitha vendet e Shqipërisë, e përdorin edhe për këtë lloj turizmi ndaj është shumë e rëndësishme. Për më tepër, të gjitha rrugët ndihmëse që lidhin qytetin e Tiranës me qytetin e Durrësit, pavarësisht autostradës që ne kemi, janë shumë të rëndësishme dhe duhen mirëmbajtur”, theksoi Balluku.
Pas rehabilitimit të aksit Klos-Burrel dhe tashmë rrugës Tiranë-Plepa-Ndroq, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se së shpejti do të nisë puna edhe për rehabilitimin e aksit rrugor që lidh Durrësin me Shijakun.
“Ne kemi bërë të njëjtën gjë në segmentin Klos-Burrel. Kemi riasfaltuar një pjesë shumë të rrezikshme të prishur nga makinat e tonazhit të rëndë. Të njëjtën gjë po bëjmë me Ndroqin, të njëjtin gjë do të bëjmë me aksin e Shijakut. Këto janë rrugë të vjetra por kanë funksion të rëndësishëm për qytetarët që jetojnë një këto zona, të cilat ne nuk do i lemë pas dore dhe do ofrojmë një mirëmbajtje modeste që siguron lëvizje të lirshme të automjeteve, pa problematika dhe sigurisht siguria rrugore është një nga elementët më të rëndësishëm që ne kemi ne fokus”, u shpreh ministrja Belinda Balluku.
Rehabilitimi i aksit Tiranë-Ndroq-Plepa përfshin riparimin e dëmtimeve të shtresave asfaltike, vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, instalimi i barrierave metalike në disa zona të rrezikshme si dhe instalimi i sinjalistikës paralajmëruese në tri vendndodhje që paraqesin rrezikshmëri të lartë, për shkak të rrëshqitjes së shpatit në të cilin është ndërtuar rruga.