MENU
klinika

Krerët e shteteve në 'alarm'

‘BE po merret peng’/ Refuzimi i negociatave – pasoja të rënda politike

18.10.2019 - 12:56

Shumë krerë të shteteve të Bashkimit Evropian kanë shprehur zhgënjimin që Franca, Holanda dhe Danimarka po kundërshtojnë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Kjo duhet të ketë qenë një çështje formaliteti pasi që presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dhe shefja për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini thanë që të dy vendet kanë përmbushur kriteret e përcaktuara për të filluar bisedimet”, tha kryeministri çek Andrei Babish.

***

Kryeministri lituanez Gitanas Nauseda, ndërkohë tha se nëse nuk jepet vendim për të filluar negociatat, do të shkaktohen “pasoja të rënda politike”.

“Duhet të pranojmë se nuk arritëm konsensus sepse 3 vende refuzuan vendimin për të filluar negociatat. Të gjithë e pranojnë se Maqedonia Veriore ka bërë shumë, ka ndryshuar emrin e saj, ka ndryshuar kushtetutën e saj dhe bëri të pamundurën për të fituar ftesën”, tha ai.

***

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç u shpreh sot i keqardhur për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ai theksoi se ky ishte një moment i mirë për çeljen e negociatave, ndërsa u shpreh se Kroacia do të vijojë të mbështesë reformat që kanë ndërmarrë këto dy vende.

“Sa i përket zgjerimit, ne kemi mbrojtur qartë dhe me zë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Për shkak të një numri të vogël vendesh, nuk u arrit në përfundim. Kroacisë i vjen keq për këtë, ne mendojmë se ky ishte një moment i mirë. Ne duhet të dërgojmë një mesazh për miqtë tanë në këto dy vende për të vazhduar reformat, dhe ne do të vazhdojmë t’i mbështesim fuqimisht ato.

Ndodh në një kohë kur ne duhet të përcaktojmë se çfarë duhet të bëjmë në dekadën tjetër dhe me çfarë mesazhi po shkojmë drejt Europës Juglindore. Zona nuk ka të ardhme tjetër, por të jetë pjesë e BE-së”, tha ai.

***

Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov ka deklaruar se asgjë nuk ka përfunduar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa i takon çeljes së negociatave.

“Asgjë nuk ka mbaruar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ajo vetëm po shtyhet. Është një fakt që ne nuk pranuam të kishim një vendim me shkrim për zgjerimin në Këshill. Ata kanë mbështetjen tonë që nga fillimi dhe gjithçka që filloi mund të përfundojë për gjashtë deri në shtatë muaj. Kam pasur një bisedë të gjatë me Zoran Zaev, dhe e këshillova që të mos jepte dorëheqjen. Ai bëri shumë dhe ka shumë për të bërë”, tha Borisov.

***

Kryeministri holandez, Mark Rutte ka folur pas përfundimit të samitit të ditës së parë të liderëve europianë.

“S’ka përfunduar asgjë në letër dhe çështja është shtyrë për një takim tjetër. Holanda kishte shqetësim të madh për Shqipërinë dhe s’është marrë vendimi për të hapur negociatat. Për Maqedoninë kemi më pak shqetësim, por ka shumë vende të tjera që konsiderojnë që duhet t’i trajtojmë të dy vendet bashkë. Për Shqipërinë ka shumë shqetësim pavarësisht se vendi ka bërë hapa përpara. Është e arsyeshme të mos hapen negociatat me Shqipërinë tani, por ndoshta në të ardhmen. Nuk jam takuar me Zaev dhe Ramën. Rama ka bërë hapa përpara, por ka shumë hapa për të ndërmarrë”, tha Rutte.

***

Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias thotë se Bashkimi Europian po përballet sot me një mungesë të fortë vizioni.

Ai i bën thirrje unionit europian që t’i hapen negociatat Maqedonisë së Veriut, përndryshe, nëse kjo nuk ndodh thotë ai, BE do të jetë përgjegjëse për çdo ndërlikim të ri në rajonin tonë.

“Ndërsa Siria është në zjarr, BE nuk ka vizion strategjik. Bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë tani. Mbështetja e prekshme e Marrëveshjes së Prespës dhe stabiliteti i Evropës Juglindore është e domosdoshme. Përndryshe, BE do të jetë përgjegjëse për çdo ndërlikim të ri në rajonin tonë”, shkruan ai.