Brenda muajit dhjetor mazhoranca socialiste do të paraqesë në Parlament, ndryshimet për gjyqtarët dhe prokurorët, pjesë e të ashtuquajturës “KÇK”.
Mësohet se brenda fundit të vitit do të jetë gati në Parlament, nisma për ndryshimet që prekin gjyqtarët dhe prokurorët të etiketuar nga Kryeministri Edi Rama si “Kap ça të kapësh-KÇK”.
Gjithçka pasi në seancën e kaluar parlamentare, kreu i qeverisë tha se: “Ka ardhur koha të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vettingun, që e dinë që nuk e kalojnë vettingun dhe që kanë nxjerrë dhe një togfjaësh KÇK. Këtë grup ky parlament duhet ta shpallë në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu”.
Sipas tij, shpallja në kërkim e KÇK-së është objektivi që duhet të ketë në Parlament një orë e më parë.
Kryeministri Edi Rama ka qenë i prerë me deputetet e PS-së, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, kur ka folur për çështjen e presidentit Ilir Meta dhe kërkesën e shumicës qeverisëse për shkarkimin e tij.
Rama ka theksuar se për këtë cështje do të pritet raporti final i Komisionit të Venecias.
“Për çështjen e presidentit do presim publikimin e raportit perfundimtar te Komisionit të Venecias dhe do hartojme nje dokument shpjegues per hapat qe do ndjekim më tej”- mësohet të ketë thënë Rama.
Po ashtu, kryeministri ka theksuar se Rezoluta e Parlamentit Europian për financimet, duhet të miratohet sa më shpejt si pjesë e paketës anti-shpifje.
Një tjetër porosi për të cilën ka folur Rama në mbledhje është ajo e buxhetit të ri. Ai u kërkoi deputetëve që të nisin punën për buxhetin e vitit 2020.