13 Tetor, midis shumë ngjarjesh që mbushin ditën e sotme do të ishte edhe ditëlindja e 88-të e gjeniut të letrave Dritëro Agolli.
Siç shprehej dhe ai dikur: “Çdo ditëlindje është një festë. Edhe nëse ndonnjëherë do të donte të mos e festonte, askush nuk do ta lejonte”
Ndonëse, prej dy vitesh ai nuk jeton më, njerëzit vijojnë ta kujtojnë njëlloj.
Më poshtë do të gjeni disa pjesë të shkëputura prej ditarit apo edhe vetëm copëza kujtmesh, siç ajo i quan, nga vajza e tij Elona Agolli.
Copëza kujtimesh e bisedash me babin…
15 korrik 2015
Babushi im sot po rregullonte sirtarët, po shihte e kontrollonte çelësat etj.
-Hë o babush, sa i zoti je. Di të administrosh hapësirat, ekonominë, çdo gjë. Se kjo është zotësi – i thoja unë më tepër për ta ngacmuar e marrë ndonjë përgjigje.
– Po ja, ku i dihet ? Na bie ndonjë damblla. Të paktën të dinë këta( dhe bëri me shenjë nga mami) se ku i kam çelësat.
Po unë di edhe administrimin e hapësirës në fizikë – donte të vijonte bisedën.
– Po mos thuaj kështu o babush, se ne jetën do ta kemi të gjatë se na bekon mëma natyrë, se ti nuk e pranon perëndinë.
– Po moj po, – mu përgjigj babushi.
Një shkrimtar, publicist dhe burrë i mençur si Faik Konica, ka thënë:
“Ne jemi trima,
Dalim nga vrima,
Zëri i Zullulandit
Kur na thërret.”
Dhe qeshte, hi hi, me ironi.
Para disa ditësh festuam 50-vjetorin e martesës, dt 4 korrik.
Dhe babushi im që i puthte dorën mamit, duke i vënë unazën që ja porosita te Pirro, Ai nuk fliste shumë, por dukej mjaft i kënaqur. Pozonte për foto dhe madje edhe u puthën në buzë të dy me mamin. Çift i lezetshëm dhe burrë shumë ndryshe nga e përgjithshmja, por edhe nga e veçanta mashkullore.
Dt 10 Maj 2013
Fola me babin në telefon dhe mes të tjerash e pyeta: Hë o babush, po përfshihesh nga të rejat e politikës?
-Po ja, i përfshirë, por pa dhënë mendime, se po të jap nuk është mirë në këtë kohë. Po të isha i ri, do të ishte ndryshe, pasi do të përfshihesha me dëshirë në polemika.
Po ja, vijonte babi, duke nxitur bashkëbisedimin.
– Politikanët tanë nuk bëjnë kompromise. Janë si në fazën primitive. Majmuni që kaloi në njeri, ju deshën 3 milion vjet, që më pas të mësonte që 1 plus 2 e barabartë me 3. Këta tanët janë ende në fazat e majmunit.
Psh, ujku kur sheh prenë, nuk mendohet gjatë por vepron, e çapëlen. Dmth ai nuk e njeh kompromisin. Me pak fjalë, shoqëria nuk ka progres kur nuk njeh tolerancën dhe kompromisin – mbylli babi arsyetimin e tij.
20 mars 2009
Sot, pas një nate të trazuar, me ëndrra të çuditshme, kur arrita në zyrë, Dritëroi dhe Sadija, të cilët kishin marrë rrogën në Bankë, ndalën te Rogneri për një kafe sëbashku. Babi m’u duk mjaft mirë, me humor e ngjyrë të bukur në fytyrë.
Paçka se dita ishte e ftohtë dhe me shi, (andej nga Korça e Veriu po bëhet nami, bora 1 metër, dimri s’do të ikë dhe pranvera ka ardhur me dëborë e të ftohtë) Dritëroit i ishte mbushur mendja top që të dilte nga burgu shtëpi, e të sodiste shiun dhe rrugët e lagura. Ndoshta kishte dëshirë edhe të më shihte mua, pasi kisha nja dy ditë pa shkuar në shtëpi e pa e parë.