MENU
klinika

Ndeshjet e treta në grupe

Champions, “big”-ët të dënuar për fitore

22.10.2019 - 12:45

Champions League rikthehet sot në mbrëmje, teksa do të luhen ndeshjet e treat në grupe. Në Grupin A, Real Madrid ende nuk ka arritur fitoren e parë pas dy ndeshjeve dhe është i detyruar për tri pikët në transfertë ndaj Galatasaray.

Trajneri Zidane nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Bale dhe Modriç të dëmtuar. Sakaq, statistikat nuk janë në anën e spanjollëve, të cilët kanë fituar në vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve.

Ndërkohë, turqit janë në kërkim të golit të parë për këtë sezon në Champions. Në takimin tjetër të grupit, PSG do të kërkojë të blindojë vendin e parë me një triumf në Belgjikë ndaj Club Brugge.

Francezët janë të pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit në grup, ndërsa në këtë sezon akoma nuk kanë pësuar golin e parë. Ndërkohë, janë treguar rezultativë në sulm teksa kanë shënuar në 26 ndeshje radhazi të Champions League.

Në Grupin B të Champions, Bayern Munchen do të udhëtojë në Greqi, për të sfiduar Olimpiakosin e Pireut. Bavarezët kanë triumfuar në dy takimet e para, teksa vijnë pas asaj fitoreje 2-7 ndaj Tottenham.

Megjithatë, shpresa e Olimpiakos është të përfitojë nga forma jo e mirë e shfaqur nga Bayern në kampionat, teksa në dy ndeshje ka marrë vetëm një pikë.

Në takimin tjetër të grupit, Tottenham duhet të lërë pas disfatën ndaj Bayern-it, teksa përballë do të ketë Cervena Zvezdën. Mund të llogaritet edhe si shansi i fundit i anglezëve për të mos rrezikuar kualifikimin.

Në Grupin C, Atalanta debutuese do të udhëtojë në Angli për të sfiduar Manchester City. Skuadra e mbrojtësit shqiptar Berat Gjimshiti, ende nuk ka marrë pikën e parë në këtë kompeticion.

“Qytetarët” nuk kanë pësuar akoma golin e parë në këtë sezon të Champions. Ndërkohë, që bergamaskët janë mposhtur në dy sfidat e para të grupit, teksa kanë shënuar vetëm një gol.

Ndërkaq, në takimin tjetër të grupit, Dinamo Zagreb udhëton në Ukrainë për të zhvilluar ndeshjen ndaj Shakhtar Donetsk. Të dyja skuadrat kanë grumbulluar tri pikë deri më tani dhe do të kenë një përballje direkte.

Në Grupin D, Juventus pret Lokomotiv Moskë në Torino. Që kur është ulur në stolin e Juventusit, Maurizio Sarri ka një rekord të lakmueshëm prej 8 fitoresh dhe 2 barazimesh, numra që e bëjnë startin e tij një nga më të mirët ndonjëherë në “timonin” e bardhezinjve.

Kundërshtari i mbrëmjes është në letër më i lehti i grupit. Bayer Leverkusen tashmë e ka bërë këtë në raundin e parë dhe e pagoi me humbje.

Ndër arsyet e tjera me mjaft interes të ndeshjes ka të bëjë me rekordin e Cristiano Ronaldos. Nëse ai shënon kundër Lokomotiv, një kundërshtar që nuk e ka ndëshkuar asnjëherë, numri i “viktimave” të yllit portugez do të shkonte në 34.

Kundër 33 ekipeve ka shënuar të paktën një gol në Champions League, deri më tani, duke qenë në të njëjtën gjatësi vale me Raul. Mbetet të shihet cili do të jetë partneri i tij sulmues i mbrëmjes.

Ndeshja tjetër e këtij grupi është Atletico Madrid-Leverkusen, me spanjollët favoritë jo vetëm për ta fituar këtë sfidë, por edhe për të kaluar grupin. Gjithsesi, thjesht fakti se gjermanët nuk kanë çfarë të humbin, mund t’u hapë punë të besuarve të Simeones.

SHËNIM: Të gjitha rezultatet e ndeshjeve kryesore të ditës i gjeni në kohë reale, duke klikuar Konica.al  në ballinën e rubrikës së sportit

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN