Pavarësia e të ashtuquajturës Kosovë është një letër e ngordhur, tha Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç në përgjigje të deklaratës së Albin Kurtit se ai do të analizojë atë që është rënë dakord deri më tani midis Beogradit dhe Prishtinës.
Daçiç ngriti çështjen se çfarë duhet të analizojë udhëheqësi i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër i Kosovës kur, siç tha ai, Prishtina nuk e zbatoi atë që ishte rënë dakord në Bruksel.
I pyetur se si e sheh zhvillimin e situatës në Kosovë dhe nëse a ka ndonjë vend tjetër që do të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës së shpejti, kreu i diplomacisë serbe tha:
“Unë nuk duhet të flas, sepse ata në Prishtinë do të ligështohen.
Ata nuk do ta tërhiqnin kandidaturën e tyre në Interpol nëse situata nuk do të ishte e tillë, kur është e nevojshme një shumicë prej dy të tretash për ta pranuar Kosovën, gjë që ata nuk janë të bindur se e kanë një mbështetje të tillë.”
Daçiç gjithashtu iu referua çështjes së numërimit të votave serbe në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë. Ai tha se numërimi me maska i votave i kujtonte një film dokumentar të bërë nga amerikanët për Ebola.
“Ata i numërojnë votat serbe me maska! Nuk është vetëm racizëm, por një shfaqje që po zhvillohet në sytë e mbarë botës dhe të gjithë heshtin”, – tha Daçiç
Sipas tij, Serbia duhet të vazhdojë luftën për mbrojtjen e interesave të saj kombëtare pa asnjë kompleks.
”Kush dëshiron dhe kush është miku ynë, ne jemi me të, dhe kush punon kundër nesh, e ka të kotë”, – tha Daçiç.
Ai gjithashtu theksoi se bashkësia ndërkombëtare po pozicionohet vazhdimisht në mënyrë që Prishtina të mos ndjehet e fyer, duke përmendur si shembull ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë që ka biseduar me Kurtin nën hijen e flamurit shqiptar në zyrë.
Në përgjigje të vërejtjeve të Beogradit, britanikët, shtoi ai, thanë që ata nuk i rregullojnë ambientet e njerëzve që bisedojnë.
“Herën tjetër, kur të vijë ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, unë do të vendos flamurin e Republika Srpska në kabinetin tim. Ju nuk mund të modifikoni as ambientet e mia,” tha Daçiç.
Ministri shtoi gjithashtu se të tjerët do ta respektojnë Serbinë aq sa Serbia është e fortë.